Dallimet

Ky shkrim, nuk është pjesë ditari, e as letër emocionesh për Amerikën. Është i thjeshtë, në vete posedon disa pika që në të vërtetë mund të vlerësohen si pika dallimi të jetës sonë këtu në Maqedoni dhe jetës së përkohshme, katër mujore në Amerikë. Nuk do ta publikoja poqëse në vete nuk përmban edhe elemente që dikujt do t’i duhen, qoftë edhe një të riu i cili është në kërkim të eksperiencës. Esenca qëndron te dallimet e shoqërise e në këtë rast rinisë evropiane dhe shoqërisë amerikane. Duke filluar nga marrëdhëniet tona, të studentëve shqiptar  dhe studentëve maqedon nga Maqedonia, se si mund të krijohen rrjete shoqërore me student nga vende të ndryshme e deri tek dallimet në ekonomi dhe zhvillimin e sajë.

Në Amerikë, sipas ligjeve dhe rregullave të pashkruara, nuk ekziston ne dhe ato, por ekzistion vetëm ne. Sipas kësaj, të gjithë ishim të barabartë dhe askush nuk guxonte të nënvlerësonte tjetrin. Nga kjo, maqedonët kërkonin që të kemi një shoqëri të përbashkët pasi e kuptuan se ne shqiptarët nuk jemi të njejtë me profilin e një shqiptari që është i plasuar nëpër media. Duke e marrë parasyshë këtë fakt, ne nuk kishim diçka kundër që t’u ofronim shoqëri.

Informatat se Amerika është në krizë janë të dyshimta, thuajse edhe jo të vërteta. Duke përmendur disa fakte, edhe ju do të bindeni për këtë. Harxhimi i një mesatare ditore prej 500 dollarë për familje vetëm në parkun për zbavitje është diçka që të tregon qartë se ata nuk janë në krizë. Veshjet e qytetarëve të Amerikës të lënë për të dëshiruar dhe vlen të theksohet se atje të blerit veshje për 200-300 dollar për një javë ishtë gjë shumë normale. Të qenit në krizë Amerika apo jo, vërteton fakti se pagesa minimale për një student ishte 1300 dollar për një muaj, përderisa në vende të Evropës kjo është mesatarja e ndërsa këtu në Maqedoni është pagesa mujore për një deputet. 

Katër muaj mjaftojnë për të praktikuar komunikimin ndërkulturor. Këto muaj duheshin për ta eliminuar urrejtjen ndaj kombeve, që do të thotë se secilin që e njoha atje më herët kishte pasur një dozë urrejte për një komb tjetër e cila kishte ardhur nga mediat, nga histori të mëparshme por edhe nga zhvillimet që kanë sjellë edhe viktima. Këto muaj ishin të nevojshme për të larguar paragjykimet racore, gjinore, paragjykime për kombet dhe për gjuhët e tyre. Si element shtesë është edhe mësimi i gjuhës së tjerëve, por edhe tjerët mësuan fjalë shqip dhe mua më përshëndetnin në shqip. Sot unë di të përshëndes një rus, një rumun, një francez, një spanjol, një çek dhe një bullgar. Sigurisht që edhe ato më përshëndesnin me fjalën tung. Toleranca për religjioni dhe respekti për atë që ti beson ishin të pakontestueshme gjatë gjithë verës.

Zhvillimi i një shteti bëhet duke kontribuar të gjithë në mënyra të ndryshme. Për këtë ishin edhe amerikanët. Pasi të moshuarit që kishin fituar të drejtën për t’u pensionuar, nuk donin që të harxhonin kohën për kot dhe punësoheshin në ndonjë kompani ku u jepeshte mundësia të punojnë punë të lehta siç është kontrollim i kartelave për identifikim në hotel, pagesë në markete të mëdha, ujitjen e luleve etj. Pa marrë parasysh se janë të moshuar apo të rinj, ato punonin. Punonin edhe nxënësit e shkollave të mesme por edhe studentët që ishin në studime deri diplomike por edhe ato me magjistraturë. 

Dallimi tjetër është se rinia këtu shumë qëndron nëpër kafene dhe e humb për kot kohën e lirë. Nëse nuk kishte punë, të rinjt amerikan atë kohë që e kishin e harxhonin në bibliotekë apo edhe në sallë për trajnim të ndonjë sporti. Këtu është esenca e dallimit! Atje rinia ishte shumë pro aktive dhe gjente gjithmonë alternativa për të zavendësuar gjëra që mungonin. Atje në vend të punës që u mungonte shkonin në bibliotekë apo ushtrime e këtu në vend të punës shkojmë në kafene…

Për fund, dua të them se ky program të aftëson për jetë duke filluar nga ,,gdhendja” e aftësive të çdo të riu, duke të mundësuar pavarësimin financiar nga familja, fitim të eksperiencës, mësim të kulturave të kombeve të ndryshme dhe mësim të gjuhës angleze. Para se të analizohen të mirat materiale që një student përfiton nga ky program, që nuk janë të pakta, duhet të shikojmë edhe pikat të cilat vlejnë më shumë në jetë sesa vlen paraja. Nga e gjithë kjo, me shumë përgjegjësi, do të jua preferoja të gjithë të rinjëve këtë program dhe prindërve të tyre do ju thoja që të lirojnë fëmijën e tyre të del, të shijojë botën, të gjejë fatin dhe të njohë aftësitë e veta. 

Lajme të ngjashme

Back to top button