Kryeqeveritari qëndron stoik

Njëri nga debatet që tërheq kërshërinë e njerëzimit me mileniume është ai se kush duhet të udhëheqë me institucione të caktuara, përfshirë këtu edhe shtetin. Në Greqinë dhe Romën antike ishin një sërë filozofësh që e trajtuan këtë temë. Mes tyre u dallua  Platoni i cili me mjaft mjeshtri u mor me këtë çështje në veprën e tij Republika. Por ai që e bëri të njohur këtë doktrinë pa dyshim është Nikolla Makiaveli në veprën e tij të famshme “Princi”- (Janë dy tituj që hasen në literaturë për veprën në fjalë Princi dhe Sundimtari). Pavarësisht kritikave në lidhje me qëndrimin e tij përjashtues se “qëllimi i arsyeton mjetet” ai me mjaft mjeshtri i sqaron tiparet që duhet t’i posedojë lideri. Sipas tij,   nëse lideri nuk i posedon të njëjtat e ka të vështirë që të ballafaqohet me sfidat që i ka përditshmëri. 

Pse kjo hyrje me Princin e Makiavelit? Debatet e fundit në Parlamentin e Maqedonisë i dhanë mundësi që njeriu i parë i Qeverisë të dëshmohet si Princi i Makiavelit. Gjatë fjalimit të tij kur kërkohej votëbesim për qeverinë me të cilën udhëheq dhe kur dikush priste se do të gjunjëzohej ai përkundrazi qëndron stoik dhe  e merr situatën nën kontroll.  Nuk iu dridh as qerpiku i syrit. Me besim të plotë  në vete ai dëshmon se di se ku dëshiron që të arrijë. Nuk i bëhet vonë për partnerin e tij të koalicionit. Mos të harrojmë  se të njëjtit pa problem mund ta delegjitimojë.  Së paku përkohësisht. Deri në zgjedhjet e ardhshme?! Pastaj shohim e bëjmë.    
Cili ishte mesazhi i fjalimit të tij? Ai e tregon vijën e kuqe se deri ku mund të lëvizet. Nëse në diçka janë pajtuar dashamirët e çështjes kombëtare unanimisht  ajo është se ne nuk e kemi njohur kurrë këtë vijë të kuqe. Kjo është vija prej nga nuk është dashur të lëshohet pe asnjë centimetër. Si do t’i komentonte skenat që ndodhin në parlament një i huaj i cili nuk anon për asnjë palë. Nga njëra anë sheh një kryeministër i cili  tregon besim në vete dhe sqaron se ku do të kish lëshuar pe dhe ku  jo. Me një qëndrim të këtillë imponon autoritetin e sovranit, atij i cili jep ose merr kur të dojë dhe çka të dojë. Nga ana tjetër (për fat të keq) kryekomandanti e minimizon veten, paraqitet inferior, përdor do formulime që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Vullnetarisht pranon pozitën e të përbuzurit dhe nënçmuarit. Nuk do të kisha reaguar për këtë nënçmim po të bëhej fjalë për pozitën e tij personale sepse secili nga ne e zgjedh me vetë dëshirë pozitën që e meriton.

Fatkeqësia qëndron në atë se ai (falë fitoreve elektorale) e përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Me këtë veprim në fakt ai i përbuz të njëjtit. U krijua një traditë kohëve të fundit që edhe për pozita të këtilla inferiore gjendet arsyetimi. Kuzhina propagandistike e lanson tezën se janë sugjerimet e ndërkombëtarëve që të kemi durim. Ndërkombëtarët nuk kanë simpati për të dobëtit dhe servilët. Arsyetimet e këtilla nuk hanë bukë. Nuk ka dyshim se në vendet konfliktuoze faktori ndërkombëtar e zbaton formulën e “mos ma lëkund barkën” dhe nëse një popull e parapëlqen pozitën inferiore nuk do të kërkojnë me çdo kusht që ne ta luftojmë të njëjtën. Bartja e përgjegjësisë te faktori ndërkombëtar nuk është korrekte. Vendi i punës më ka mundësuar që të jem i pranishëm në më shumë takime me diplomatë të niveleve të ndryshme. Kam përshtypjen se të njëjtit janë shumë konstruktivë dhe fajësimi i tyre nuk qëndron.

 
Prej nga kjo arrogancë në Parlament dhe jashtë saj? A është e rastit apo bëhet fjalë për skenar të parapërgatitur? Vasko Eftov  di shpesh që të ftojë struktura të ndryshme sigurimi që kanë qenë dhe janë aktiv në shërbimet sekrete të ish Jugosllavisë. Nuk e di se sa autentike janë thëniet e tija por nuk ka dyshim se shteti i Maqedonisë, pas luftës së 2001 ka investuar me të madhe në armatim të sofistikuar për rast nevoje. Raste të këtilla ndodhin shpesh nëpër botë. Nuk nevojiten shumë njerëz dhe shumë lehtë mund të inskenohet një e   ashtuquajtur blitzkrieg (bëhet fjalë për luftë të shkurtër ku përdoret i gjithë arsenali me qëllim të nxjerrjes nga loja të armikut dhe pamundësimit të tij të reagojë). Me një luftë të këtillë do të kompensohej ajo që u humb një decenie më parë-lufta e 2001-shit. Sa është reale një aventurë e këtillë?

Mysafiri i Eftovit, Jugosllav Petrushiq një spiun profesional, i cili paska punuar së paku për 4 shërbime sekrete të shteteve evropiane,  në mes tjerash flet për armatimin e ushtrisë maqedonase pas luftës së 2001-it. Sipas tij, shteti i Maqedonisë ka shpenzuar afro 1.5 miliardë dollarë për këtë destinim. Për një shtet të vogël si Maqedonia një shumë e këtillë është marramendëse. Për çka do të shërbente ky armatim në kushte normale? Prej kujt do të mund të mbrohej objektivisht nëse merret parasysh forca reale ushtarake e Maqedonisë? Nga Greqia, Bullgaria ose Serbia? Çdo skenar shkon drejt shqiptarëve ndaj të cilëve ekziston mllefi e pa frenuar. Të supozojmë se një skenar i këtillë realizohet, kush do ta pengonte të njëjtin. Nëse i hedhim një sy këtij dhjetëvjeçarit të fundit në Maqedoni, në aksione mirë të organizuara u vranë dhe u burgosën disa nga ushtarakët më me zë që luftuan gjatë 2001-it. Do të ishte mjaft naive që të thuhet se kjo ka ndodhur rastësisht. Rastësitë ndodhin vetëm nëpër filmat e Hollyëood-it. Moszgjidhja e statusit të ish luftëtarët të UÇK-së janë argument shtesë për zhgënjimin e të njëjtëve që t’i kundërvihen një skenari të parapapërgatitur. Edhe nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrisë së punëve të brendshme të Maqedonisë dhe Serbisë nuk është e rastit. 

Ndoshta për dikë kjo që u tha më lartë është ‘science fiction’ por mos të harrojmë se historia e Ballkanit na kë mësuar se këtu çdo gjë është e mundur. Skenarë të këtillë gjithmonë janë pjesë e analizave në qarqet e vendosjes. Sidoqoftë ne edhe më tutje heshtim me dinjitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button