Deputetët opozitar kërkojnë llogari nga Saraçini për Zonën ekonomike në Tetovë

Në diskutimin për Propozim Ligjin për Zonat teknologjike zhvillimore deputetët opozitar riaktualizuan çështjen e Zonës teknologjike në Tetovë. Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri pyeti ministrin e ekonomisë Valon Saraçini se pse Qeveria promovon vetëm zonat në territore maqedonase.

“Unë shpreh keqardhje se pse me mjetet e buxhetit nuk ndërtohet infrastruktura dhe nuk përgatitet Zona e lirë ekonomike në Tetovë. Këtu është edhe një vërejtje tjetër që në mënyrë permanente Qeveria edhe në shëtitjet e veta që i bën për nxitjen e investitorëve të huaj anashkalon Ministrin e Ekonomisë por edhe Drejtorin e Zonave të lira teknologjike dhe promovon në mënyrë të njëanshme potencialet dhe resurset e Republikës së Maqedonisë. Unë do të shërbehem vetëm me dokumentet dhe paralajmërimet që mendoj se do të realizohen. Janë 11 kompani të cilat do të investojnë në Republikën e Maqedonisë dhe nga të cilat priten dikund rreth 10.000 punësime. Pse Qeveria nuk i promovon të gjitha regjionet në mënyrë proporcionale në mënyrë që kompanitë të vinë dhe të investojnë edhe në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë, por edhe në ato që përgatiten, në Kërçovë dhe në Strugë. Këto kompani që do të investojnë, me diku 83 milion euro janë të koncentruar në Shkup. Në Shkup do të investojnë 6 kompani dhe janë të parapara 1.770 punësime, në Shtip një kompani dhe 1.400 punësime, në Manastir një kompani me 2.500 punësime dhe në Kavadar dy kompani me 4.350 punësime. Pse Qeveria nuk promovon edhe Zonën ekonomike të Tetovës, që edhe aty të kemi investitorë” – tha Zeqiri.

Nga ana tjetër, Gazmend Aliu nga PDSH, pikërisht për Zonën teknologjike të Tetovës pyeti ministrin se pse nuk ka zhvillim të barabartë në të gjithë territorin e Maqedonisë, gjegjësisht pse Zona teknologjike në Tetovë do të menaxhohet me modelin e pronësisë publiko-private, për dallim nga zonat tjera kryesisht në Maqedoninë lindore.

.”Vërejtja ime e parë është që Qeveria e Maqedonisë edhe me Kushtetutë por edhe me ligj ka për obligim të sigurojë zhvillim të barabartë në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. Më duket se edhe 1% prej buxhetit të Republikës së Maqedonisë është ndarë për atë qëllim që të ketë zhvillim të barabartë. Por ne e shohim se këtu nuk kemi zhvillim të barabartë, kjo a është me prapavijë politike apo është diskriminuese nuk dua të ndërhy, por nëse shohim në aspektin ekonomik do të shohim se Ministri i Ekonomisë ka vlerësuar se do të ketë të mjaft të interesuar, tre kompani për Zonës teknologjike të Tetovës të cilat do të marrin dhe të menaxhojnë këtë zonë. Nga ana praktike dhe ekonomike, nëse hipotetikisht themi se do të realizohet, a do të jetë sipërmarrja nga kompanitë që do të vinë në atë zonë, a do të kenë kërkesa më të larta, pasi që do të investojnë si kompani private dhe me siguri do të kenë qira më të larta, për dallim nga Zona ekonomike e Shkupit, apo e Shtipit, ku vetë Qeveria ka investuar” – tha Aliu.

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini u përgjigj se edhe Zona teknologjike e Shkupit është afër vendbanimeve me shqiptarë, duke shtuar se nuk është mirë që të bëhet ndarje etnike e këtyre zonave.

“Në fillim do të doja që deputetët e opozitës Nikollov dhe Zeqiri të qartësojnë punët, sepse njëri thotë që Zonat në Maqedoninë lindore lulëzojnë, tjetri thotë që nuk ka investime, le të marrin një qëndrim të përbashkët. Zona teknologjike industriale zhvillimore në Shkup është duke u zhvilluar. Besoj që kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Është mirë që po zhvillohen këto Zona, është mirë që ka investime, prandaj nuk do të bëj ndonjë krahasim se pse kjo Zonë po zhvillohet dhe zonat tjera nuk po zhvillohen. Nëse flasim nga aspekti gjeografik, atëherë të ju bëj me dije se Zona e Shkupit gjendet diku 3 kilometra nga Haraçina, ku jetojnë shqiptarë, jo më larg se 10 kilometra nga Komuna e Kumanovës, ku gjithashtu jetojnë shqiptarë, jo më larg se 7 kilometra nga Shkupi, ku gjithashtu jetojnë shqiptarë. Prandaj të mos i ndajmë në vijë etnike këto zona” – deklaroi Saraçini.

Siç njofton ministri, për bashkëmenaxhim me Zonës teknologjike në Tetovë ka të paraqitura tre kompani, ofertat e të cilëve po shqyrtohen./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button