LDK dhe VV kërkojnë zgjedhje, PDK kundër

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja “Vetëvendosje” kanë shprehur gatishmërinë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht nga mos përfundimi i punës me reformën zgjedhore.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës insiston se nuk duhet të shkohet në zgjedhje, pa mbaruar punë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese.

Zgjedhje të parakohshme ka kërkuar të dielën subjekti jashtëparlamentar, Partia Nacionale Demokratike Shqiptare. Kryetari i saj, Bujar Abdullahu, në një konferencë për media ka thënë se institucionet e Kosovës tashmë kanë humbur legjitimitetin për të vazhduar punën dhe veprimtarinë e tyre dhe se e vetmja dalje nga kriza janë zgjedhjet e reja.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk e kanë parë problem përfundimin e reformës zgjedhore deri në atë shkallë sa për të mos iu nënshtruar një procesi zgjedhor të ri.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, është shprehur se edhe ligji i vjetër nuk lejon abuzimin, porse në zgjedhjet e kaluara janë vjedhur votat, shkruan “Koha Ditore”.

Në lëvizjen “Vetëvendosje” kanë thënë se janë të gatshëm kurdoherë të hyjnë në zgjedhje. Drejtuesi i Sekretariatit për komunikim me media në “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, është shprehur se nuk mund të pritet shumë nga reforma zgjedhore e trumbetuar.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë dhe sa më parë”, ka thënë ai.
Mirëpo, në PDK insistojnë që paraprakisht të përfundojë puna në reformën zgjedhor dhe kushtetuese e tek pastaj të shkohet në zgjedhje.

Aanëtarja e Këshillit drejtues të PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë në një intervistë për “Koha Ditore” thotë se e tërë ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës nuk duhet të merret shkak për futje të vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Kosova nuk ka krizë institucionale. Koalicioni i ka numrat në Parlament. Sikur të mos ishte kusht, opozita nuk do të na linte në pushtet. Pres që situata të shtendoset. Këto janë debate normale dhe në demokraci ndodh nganjëherë që në debate dhe publike të kalohen kufijtë”, ka thënë ajo. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button