Saraçini: Pas zonës së lirë të Tetovës dhe Kërçovës rendin e ka Struga

1.Dymbëdhjetë muaj me radhë – rënie të prodhimit industrial, ekonomia edhe zyrtarisht është në recesion. Sa kanë ndihmuar masat qeveritare anti krizë?

Valon Saraçini: Kriza ekonomike e cila ka kapluar tregjet botërore është reflektuar edhe në ekonominë e Maqedonisë. Gjendja plotësisht u përkeqësua pas acarimit të krizës që i kaploi tregjet evropiane ku plasoheshin mbi 60 për qind e eksportit të kompanive të Maqedonisë. Tani më se e qartë është se kriza globale ekonomike do të zgjasë dhe do të vijojnë ridefinime  të caktuara të tregjeve. Gjendja nuk është aspak më optimiste as në rajon. 
Rënia e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) 0.9 për qind, në kuartalin e dytë të këtij viti ishte një njëfarë mënyre e pritur. Kriza që e përfshiu Bashkimin Evropian, ku plasohen pjesa më e madhe e prodhimeve tona, tregoi atë se do të ketë zvogëlim të porosive tek kompanitë tona, gjë që ndodhi dhe rezultoi me rënien e BPV-së në kuartalin e dytë. Për fat të keq, informatat e reja prej atje, konfirmojnë se kriza do të thellohet. Të gjitha këto ndodhi janë reflektuar edhe mbi ekonominë tonë, veçmas mbi kompanitë eksportuese të cilat më së shumti i ndjejnë pasojat. Kjo është arsyeja kryesore për shkak të cilës kishim rënie të BPV-së në kuartalin e dytë. As Qeveria as Ministria e Ekonomisë nuk kanë “formulë magjike” për tejkalimin e gjendjeve për fat të keq, por përmes masave sistematike mund të ndihmojë dhe të jetë partner konstruktiv i bashkësisë afariste në çaste të tilla delikate. Dialogu me bashkësinë afariste do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me intensitet të njëjtë dhe me kohë do të reagojmë me mekanizmat tona që i kemi në dispozicion.

2.Në fund e sipër është projekti Shkupi 2014. Një pjesë e projektit janë përmendoret e shumta. Biznesmenët vazhdimisht apelojnë që në kohë krize të ndërpritet me shpenzimet joproduktive. Përse Qeveria nuk pranoi këto vërejtje?


Valon Saraçini:Nuk do të doja të hyj në detaje, por unë personalisht shpreha qëndrimin tim se prioritet duhet të jenë projektet më të mëdha infrastrukturore të cilat mund të kontribuojnë drejt lëvizjes më të rëndësishme të ekonomisë.

3.Cilat janë projektet kyçe që Ju – si BDI keni arritur t’i realizoni në komunat me popullatë dominuese shqiptare?


Valon Saraçini:BDI punon në kontinuitet në drejtim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, veçmas në komunat ku ka popullatë dominuese shqiptare. Simboli i Shkupit dhe esnafëve, Çarshia e Vjetër e Shkupit është tërësisht e revitalizuar dhe ky projekt ka rëndësi të dyfishtë. Me fjalë tjera revitalizimi i saj tashmë kontribuon në zhvillimin e turizmit dhe rëndësia e dytë është zhvillimi dhe popullarizimi i zejtarisë dhe ndërtimit të shpirtit sipërmarrës. Në drejtim të modernizimit të rrugëve tërësisht është rikonstruar aksi rrugor Shkup – Tanushë, projekt në vlerë prej 12 milionë denarëve, më pas ndërtimi i urës në Saraj, projekt në vlerë prej 1.5 milionë euro, me çka rrënjësisht do të lehtësohet transiti i njerëzve dhe mallrave nga kjo komunë. Në komunën e Sarajit për herë të parë ndërtuam foshnjore, ndërsa objekti është në fazën përfundimtare dhe është me rëndësi të madhe për banorët e kësaj komune. Po ashtu është ndarë edhe truall shtetëror në po të njëjtën komunë për Universitetin e Evropës Juglinodre. 
Nga projektet e mëdha ekonomike do të veçoja, TIRZ Tetova i cili është i rëndësishëm edhe për atë se është projekti i parë privat-publik. Dy kompani tashmë kanë dhënë oferta për zhvillimin e zonës, të premten ata dhanë ofertat, dhe të njëjtat po shqyrtohen nga ana e Komisionit. Po ashtu është realizuar zona e lirë ekonomike në Kërçovë. Në rajonin e Likovës i cili deri para 10 viteve ishte njëra nga më të anashkaluarat, është zgjeruar gjimnazi, është ndërtuar ambulanca, në rrjedhë është ndërtimi i ujësjellësit, është ndërtuar një qendër për fëmijë me nevoja të posaçme, dhe projekte tjera. Janë rinovuar disa shkolla të mesme në më shumë komuna, ndërsa në komunën e Çairit në Shkup tërësisht është kryer rikonstruimi i shkollës fillore “Liria”, përmes projektit të Bankës Botërore i cili kushtoi 400.000 dollarë, ndërsa në plan është rikonstruimi edhe i një shkolle dhe foshnjore në po të njëjtën komunë. Nga projektet infrastrukturore do të veçoja rikonstruimin e aksit rrugor Strugë – Dibër dhe rikonstruimin e rrugës Haraçinë – Likovë.

4.Kur mund të priten efektet e para në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës dhe Kërçovës?


Valon Saraçini:Para se t’i përgjigjem konkretisht kësaj pyetje do të doja të potencoj se procesi i tërheqjes së kapitalit të freskët pavarësisht se a bëhet fjalë për vendor apo të huaj është kompleks dhe nuk kërkon kohë veçmas për rezultate evidente. Kështu është edhe te këto dy raste. TIRZ zonat në Tetovë dhe Kërçovë janë dëshmi konkrete për angazhimin tonë serioz që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të huaja. Të dyja zonat janë në fazë progresive zhvillimore, por që të vijmë tek ajo ne punuam intensivisht në përgatitjet të cilat do të mundësojnë zhvillimin dhe jetësimin e zonave edhe përkundër asaj se ndoshta shumica e këtyre aktiviteteve nuk ishin evidente për opinionin. Efektet e të dyja zonave do të jenë evidente së shpejti. TIRZ Tetova do të zhvillohet sipas modelit të partneritetit privat publik, ndërsa kompania e cila do të zgjidhet si ofruesi më i mirë për zhvillimin e zonës vetëm në fazën e parë të përgatitjeve të zonës do të investojë 7 milionë euro, ndërsa tërë projekti vlerësohet në 500 milionë euro. Në TIRZ Kërçovë tani punohet në ndërtimin e infrastrukturës, që investitorët të ardhshëm do t’i jepet një fillim i mbarë për tërheqjen e investimeve. Ajo që është me rëndësi edhe për zonën në Kërçovë edhe për zonën në Tetovë është fakti se përveç futjes së kapitalit të freskët, zonat do të sjellin edhe vende të reja pune, që do të jetë me rëndësi të madhe për zhvillimin lokal ekonomik në këto rajone. Projekti ynë i radhës është zhvillimi dhe fillimi i Zonës së re teknologjike në Strugë, që do të jetë me rëndësi të madhe për Strugën dhe rajonin e Strugës.

5.Vitin e kaluar u nënshkrua Marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me Kosovën. A kanë dal në shesh rezultatet e parë të kësaj marrëveshje?


Valon Saraçini:Kosova është një treg i rëndësishëm për kompanitë maqedonase dhe siç dihet vendi i vetëm me të cilën Maqedonia ka suficit në shkëmbimin tregtar. Kjo është një informatë e qartë se potenciali në këtë treg për kompanitë e Maqedonisë është i madh dhe mund të shërbejë si “udhë” për depërtim në tregje të reja në rajon dhe më gjerë. Në kushte të krizës, pushtimi i tregjeve të reja dhe përforcimi i pozicioneve të atyre ekzistuese është me rëndësi kulmore. Praktikisht Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë me Kosovën kishte për qëllim t’i përforcojë lidhjet mes ekonomive të të dyja vendeve dhe t’i lehtësojë procedurat për plasman të mallrave dhe shërbimeve të tregut maqedonas dhe kosovar. Në këtë mënyrë kompanitë e Maqedonisë dhe Kosovës po bëhen më konkurrente që është me rëndësi të jashtëzakonshme. Unë si ministër i Ekonomisë vazhdimisht i ndjek gjendjet në këtë segment meqë bëj pjesë edhe në Komitetin e përzier maqedonas-kosovar qëllimi i së cilës është pikërisht kjo, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve në më shumë segmente dhe konsideroj se rezultatet që deri më tani i kemi arritur me ndërmarrjen e masave në kuadër të mundësive janë duke i dhënë rezultatet e para, e atë e ndjejnë edhe kompanitë.

6.Gjashtë herë u bënë tentime për ndërtimin e Çebren dhe Galisht. Bëhet fjalë për projekte të cilat promovohen si strategjike për energjetikën. Pse dështuan dhe si do t’i realizojë tani Qeveria?


Valon Saraçini:Bëhet fjalë për projekte të cilat si ide ekziston tashmë 10 vite. Për fat të keq disa tentime gjatë periudhë së kaluar përfunduan pa sukses për shkaqe të ndryshme. Sipas mendimit tim suksesi i tenderit u determinua edhe nga recesioni që përfshiu ekonominë globale dhe mungesën e kompanive më të mëdha energjetike në tender. Megjithatë bëhet fjalë për projekt të madh strategjik në vlerë prej gjysmë miliardë euro, ndërsa në kohë të krizës kur investitorët janë të kujdesshëm dhe taktizojnë në qëllimin për të marrë pjesë në projekte të mëdha.
Në tenderin e fundit nuk morëm oferta të mira. Duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për objekt të rëndësishëm strategjik energjetik, ekziston opsioni që shteti vet ta ndërtojë këtë objekt energjetik përmes SH.A ELEM. Tani po shqyrtohen të gjitha opsionet pas çka Qeveria do të dalë me një zgjidhje konkrete. 

7.Cilat projekte, si ministër i Ekonomisë, do të mund t’i veçonit se i keni realizuar në mandatin e deritanishëm?


Valon Saraçini: Janë realizuar aktivitete për përmirësimin e efikasitetit energjetik të 18 godinave shkollore dhe foshnjore në komunat e Kisella Vodës, Gazi Babës, Zajazit, Çeshinov – Obleshevë, Kavadar, Bogovinë, dhe në fazë përfundimtare është përpunimi i materialit për përfitimet nga zbatimi i masave për efikasitet energjetik në shkollat dhe foshnjoret. Në Komunat e Çairit tashmë është kryer rikonstruimi i shkollës fillore “Liri”. Praktika tregon se vetkursimi  i energjisë gjatë zbatimit të standardeve për efikasitet energjetik është mbi 30 për qind, që fare nuk është për t’u  nënvlerësuar. Në kuadër të projektit “Subvencione për së paku 500 amvisëri në vit për instalimin e sistemeve solare-terminale” janë ndarë subvencione në vlerë prej 6 milionë denarë, që është po ashtu e rëndësishme si hap pionier i diçkahit që do të bëhet praktikë në të ardhmen e afërt. Energjetika dhe lëndët e para minerale janë njëra nga prioritetet mbi të cilat jam i fokusuar. Në këtë segment janë bërë projekte të mëdha të cilat janë realizuar. Gjatë vitit 2012 40 lokacione u janë ofruar investitorëve/koncesionerëve të interesuar për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Në mars të vitit 2012 janë nënshkruar 21 marrëveshje për koncesion për ujë për prodhimin e energjisë elektrike nga centralet hidroelektrike.
Në kuadër të projektit për “Ndërtimin e fermave me erë për prodhimin e energjisë elektrike sipas tarifave të autorizuara në 60 MË të fuqisë së instaluar”, janë zgjedhur katër lokacione në të cilat si veprimtari procesore për realizim janë bërë matje. Në rrjedhë është evaluimi i ofertave për realizimin e projektit Lugina e Vardarit-ndërtim përmes NP/investitor i huaj në 12 HEC. Në segmentin e turizmit dhe aktiviteteve për zhvillimin e tij janë bërë hapa të mëdha, që është me rëndësi të madhe sepse kjo degë ekonomike është e rëndësishme për shumë aspekte, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rritjen e ofertës eksportuese turistike dhe ardhjen e kapitalit të freskët për këtë arsye. Në drejtim të zhvillimit më të madh të turizmit si ministër i Ekonomisë i autorizuar për zhvillimin dhe rregullimin e këtij sektori kam ndërmarrë disa masa të cilat i japin rezultatet në shifra. 

Intervistoi: Aneta Dodevska

Lajme të ngjashme

Back to top button