Ligji për shpifje me dispozita alogjike dhe nxitës i censurës

Ligji për Përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje që gjendet në lexim të parë në Kuvend, i propozuar si i tillë nga Qeveria në thelb është anti-evropian dhe madje nxit cezurën, në vend që të ndikojë në të kundërtën. Njëra nga direktivat kyçe të këtij ligji duhet kategorikisht të ndryshohet, ajo është ndarja e përgjegjësisë dhe dëmshpërblimit mes gazetarit, redaktorit dhe pronarit në qoftë se vërtetohet se ka ndodhur shpifja. 

Janë këto disa nga rekomandimet e ekspertëve medial dhe gazetarëve të cilët morën pjesë në debatin e organizuar nga Qendra për zhvillim të medieve (QZHV).

“Me këtë dispozitë, pronarëve u jepet e drejta legjitime të përzihen në politikën redaktuese të mediumit. Duhet ndryshuar dispozita dhe në vend të saj, marrëdhëniet mes redaktorit dhe pronarit duhet të rregullohen me marrëveshje mes tyre” tha gazetari Sasho Ordanovski. 

Me të është pajtuar edhe Nikolla Mlladenov nga gazeta Fokus duke thënë se duhet shikuar më thellë se çfarë do të sjellë kjo dispozitë sepse sipas tij, asnjë pronar nesër nuk dëshiron të paditet prandaj dhe do të kontrollojë se çfarë publikohet, kjo dhe sjell censurën.

Në debat u diskutua për analizën e QZHV e cila ka vënë në pah një numër të madh të parregullsive dhe a-logjikës në ligjin e ri të përpiluar nga Qeveria në bashkëpunim me Shoqatën e gazetarëve. Ndër to është edhe definimi i përgjegjësisë se kush do të paditet në qoftë se në publik dikush fyen dikë, do të jetë dhënësi apo përcjellësi i mesazhit fyes?

“Këtu është e nevojshme të precizohen shumë gjëra sepse në shumë raste gazetari nuk mund të llogaritet si fajtor, për shembull nëse emisioni shkon drejtpërdrejtë, gazetari nuk mund ta ndalojë bashkëfolësin mos të flet fjalë fyese” tha avokati Filip Medarski.

“Mes tjerash kontestuese është direktiva për dëshmimin e fajësisë në të cilën qëndron se paditësi është ai i cili duhet ta dëshmojë atë” vlerëson Roberto Beliçanec nga QZHV.

Më tej, Filip Stojanovski nga fondacioni për internet dhe shoqëri Metamorfozis theksoi se në ligj përdoret në mënyrë të paqartë termi “provajder”.

“Kështu i lihet në duar të gjykatësit të vendosë se a do ta konsiderojë “provajder të shërbimeve të internetit”, gjegjësisht bashkëpunëtor, edhe bloguesin i cili “ka lejuar” në pjesën për komente nën postimin e tij, ndonjë i panjohur të lë koment që është ofendues për ndonjë person të tretë, ose të paraqitet ndonjë link që çon deri te ndonjë blog ose ueb-faqe tjetër, që eventualisht përmban ofendime ose shpifje për ndonjë person të tretë” tha Stojanovski.

Duke pasur parasysh se ballafaqohen me rrezikun që të paguajnë dënime deri në 27.000 euro, ka shumë gjasa që provajderët e shërbimeve të internetit, që të mos rrezikojnë të paditen, do të pamundësojnë publikimin e të gjitha llojeve të përmbajtjeve të gjeneruara nga shfrytëzuesit ose në rastin më të mirë do t’i fshijnë të gjitha përmbajtjet për të cilat do të marrin kërkesa të tilla. 

Nga Qendra për zhvillim të medieve thonë se rekomandimet për përmirësimin e ligjit do t’ia dorëzojnë Shoqatës së Gazetarëve dhe deputeteve.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button