Memorandumi i Greqisë, çështja e emrit po zgjidhet?

Memorandumi për mirëkuptim i iniciuar nga Greqia është një hap konstruktiv për të zgjidhur çështjen e emrit ndërsa Maqedonia duhet sa më shpejtë të përgjigjet në formë të njëjtë. Kështu e vlerësojnë ekspertët memorandumin e përgatitur nga Athina të cilin Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos ka ka kërkuar ta nënshkruajë homologut i tij maqedonas Nikolla Poposki. Në të kërkohet që të dyja palët të respektojnë integritetin territorial të shteteve të tyre, të mos kenë pretendime territoriale dhe të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin urrejtje dhe armiqësi mes dy popujve.

“Memorandumi është një iniciativë konstruktive tani para Raportit të Komisionit Evropian si dhe vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian në dhjetor. Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë mbetet ajo e cila gjithë kohën provokon ndërsa në realitet nuk ofron asnjë iniciativë. Më tej, insistimi i bashkësisë ndërkombëtare është që problemi lidhur me emrin të ndahet së paku në dy pjesë. Pjesa e parë është memorandumi i cili po të pranohet nga të dyja plot ndoshta nuk do të zhbllokonte procesin euroatlantik dhe pjesa e dytë e cila do të ishte finalizim i marrëveshjes që do të nënkuptonte ndryshim të emrit dhe marrëveshje për shumë komponenta. Memorandumi në fakt do të ishte një bajpasim momental për lehtësimin e problemit. Por, mbetet çështja e problemit të prefiksit “erga omnes”  thotë analisti Mersel Bilalli.

Për çështjen e emrit Avramopulos kërkon që çdo propozim të përfshijë përcaktim të qartë dhe definitiv për emrin, që nuk do të lë paqartësi për sa i përket dallimit mes territorit të IRJM-së dhe rajoneve të shteteve fqinje, veçanërisht të rajonit të Maqedonisë në Greqinë veriore.

Ministri i jashtëm Poposki e ka përshëndetur propozimin e Athinës duke e komentuar atë si mundësi për tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Ai në ditarin diplomatik të tij ka theksuar pesë pika: 

1. Fqinjët e mirë punojnë në uljen e ndjenjës së kërcënimeve.
2. Bashkërisht respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe nisin bashkëpunim ndërkufitar.
3. Marrin vendime në bazë të parimeve demokratike dhe qeverisjes së drejtë, brenda dhe jashtë.
4. Respektojnë plotësisht obligimet e marra paraprakisht,
5. Mbajnë llogari për ndërtim të besimit dhe i respektojnë ndjenjat dhe të drejtat e qytetarëve të tyre dhe të fqinjit.

Maqedonia tani duhet të bëjë dy gjëra, thekson  njohësi i politikës së jashtme Stevo Pendarovski.

“E para, nuk duhet të pritet shumë gjatë. Nevojitet një përgjigje relativisht e shpejtë gjatë debatit prej disa ditëve dhe e dyta ta kumtojë pozicionin e vet rreth elementeve të cilat e shënojnë vijën tonë të kuqe lidhur me zgjidhjen e kontestit për emrin. Do të thotë pozicionin e vet ta kumtojë në memorandum të vet ashtu që siç bëri pala greke me memorandumin e saj” vlerëson Pendarovski. 

Ai potencon se me memorandumin Greqia ka për qëllim të ndërmerr ofensivë diplomatike në vigjilje të samitit të dhjetorit të Bashkimit prej të cilit Maqedonia pret rekomandim pozitiv nga Komisioni. 

“Greqia ka interes të tregojë se ka vullnet që ta zgjidh problemin sepse tashmë një kohë të gjatë u akuzua, jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga disa qarqe në Bruksel se nuk interesohet që ta zgjidh këtë problem përr shkak të problemeve të saj të brendshme, thekson Pendarovski.
Ndryshe,  para disa ditëve në New York u takuan Poposki dhe Avamopoulos në suaza të Asamblesë gjenerale të Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht ato u takuan edhe me sekretarin e OKB, Ban Ki-Moon dhe mediatorin në kontestin e emrit Matthew Nimetz. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button