Pesë konkluzionet e Gruevskit për të cilat votoi BDI

Në prag të votimit për votëbesim të Qeverisë, kryeministri Gruevski morri fjalën, dhe në disa minuta dha qëndrimin e tij për çështjet me të cilat sipas tij kanë dallime principiele me BDI-në.

“Nuk ka asnjë skenar, por ka dallime principiele të cilat akoma ekzistojnë. Dallime të cilat dolën në sipërfaqe dhe nuk janë pasojë e vetëm një ngjarje, por më shumë. Dua përsëri ta them qëndrimin tim për disa gjëra që ndodhën në periudhën e kaluar. E para, mendoj se ngjarja në Sllupçan ishte kundërproduktive, dhe nëse qëllimi ka qenë ndonjë pajtim, siç u tha më vonë në opinion, megjithatë, ajo nuk u kuptua ashtu por si ndonjë provokacion parazgjedhor. Për mua ajo është e papranueshme, dhe unë menjëherë e thirra ministrin për mbrojtje dhe ia thashë atë drejtpërdrejtë.

E dyta, mendoj se ndërrimi i tabelave të shkollave në mënyrë të dhunshme është provokacion. Edhe përkundër faktit që në disa prej atyre shkollave mësojnë mbi 95% ose edhe 100% nxënës shqiptar, vendosja e emrave provokativ nuk kontribuon në ndërtimin e besimit siç nuk kontribuon edhe ndërrimi i paligjshëm i emrave me çka demonstrohet mosrespektim i kushtetutës dhe ligjit në këtë shtet. Ligji patjetër të respektohet, dhe ashtu do bëhet.

E treta, mendoj se intonimii himnit shqiptar për fillimin e vitit akademik apo shkollor mund të konsiderohet si provokim, dhe me gjithë respektin për atë himn, dhe për fqinjët tanë të Shqipërisë me të cilët kemi marrëdhënie të shkëlqyera, nuk duhet të keqpërdoret përdorim i himnit të një shteti tjetër në momente të tilla, sidomos në kontekst të ngjarjeve të lartpërmendura, para opinionit të hipersenzibilizuar më këto lloj tema. Viti 2001 nuk është aq larg sa duket, plagët në të dy anët janë akoma të pashëruara.

E katërta, ngjarje të tilla dhe të ngjashme ndodhnin një periudhë më të gjatë. Për disa prej tyre opinioni ishte i informuar, disa kalonin vetëm në kuloaret dhe negociatat politike. Siç duket gjithçka morri intenzitet më të fuqishëm pas ngjarjeve makabre pranë liqenit të Smillkovcit, sfidat rriteshin, mendimi im është se probleme të tilla nuk duhet të zgjidhen me heshtje, por duhet qartë dhe zëshëm të flitet për to. Ku shihni këtu skenar? Unë nuk do të bëj çfarëdo lloj kompromise vetëm që ta mbaj pozicionin e kryeministrit.

E pesta, mendoj që Kuvendi duhet të sjell ligj për përmirësimin e të drejtave të branitellave, por nuk duhet të sillet ligj për të ashtuquajturit ushtarë të UÇK-së” – tha Gruevski.

Pas kësaj, me 42 vota pro dhe 68 kundër Kuvendi nuk votoi mosbesim të Qeverisë së Nikolla Gruevskit. Qeveria e përbërë nga VMRO DPMNE dhe BDI mbetet qeveri legale dhe legjitime në Republikën e Maqedonisë. Pro interpelancës votuan deputetët e LSDM-së dhe RDK-së, kundër ata të BDI-së dhe VMRO-së, ndërsa deputetët e PDSH-së nuk ishin të pranishëm në sallë. 

Me këtë vendim përfundoi seanca për votëbesim të Qeverisë e propozuar nga LSDM opozitare. Kështu në 90 ditët e ardhshme deputetët nuk do të kenë të drejtë për interpelancë tjetër./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button