Zeqiri: Burgjet e Maqedonisë ngjasojnë në Goli Otokun

Rasti i vdekjes në qeli të Ibrahim Sulejmanit, ish-ushtar i UÇK-së në opinion ka ngjallur dilema lidhur me mënyrën e vdekjes. Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri shprehi ngushëllime familjes së tij dhe brengosjen e tij për vdekjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në burgjet e Maqedonisë.

 “Ne si RDK shprehim ngushëllime familjes së Ibrahim  Sulejmanit dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga organet e drejtësisë që të japë shpjegime të hollësishme për rrethanat e vdekjes dhe ta ndriçojë rastin. Kjo vdekje është e treta me radhë e ish-ushtarëve të UÇK-së në burgjet e Maqedonisë në kushte kur ministër i Drejtësisë është kuadër shqiptar , Blerim Bexheti. Vdekjet dhe vetëvrasjet nëpër burgje tashmë janë bërë përditshmëri më burgjet e RM-së, të cilat ngjallin dyshime për mënyrën misterioze të vdekjes së këtyre të rinjve” – tha Zeqiri.

Ai përkujtoi që Ibrahim Sulejmani ishte i vetmi që nuk përfitoi nga amnestia, duke shtuar se situata e burgjeve në Maqedoni ngjason në Goli Otokun famëkeq.

“Është për të ardhur keq se Ibrahim Sulejmani nuk arriti të përfitojë nga amnistia edhe përkundër premtimeve të njëpasnjëshme të ministrit Blerim Bexheti. Përkundrazi atij ju vazhdua dënimi dhe nuk ju lejua që të merr pjesë as në varrimin e babait të tij të ndjerë. Këto tragjedi na kujtojnë shumë me vrasjet e mistershme të ushtarëve dhe të burgosurve shqiptarë në ish-Jugosllavisë. Burgjet e Maqedonisë tani na përkujtojnë Goli Otokun famëkeq ku njerëzit shkonin te gjalle për të vuajtur dënimin të gjallë ndërsa janë kthyer në arkivole” – tha Zeqiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button