Misteri i vdekjes së Ibrahimit, Ministri Bexheti: Vdekje natyrore

Të dhënat e para për vdekjen e mistershme të 39 vjeçarit Ibrahim Sulejmani në burgun e Shtipit nuk flasin për vdekje të dhunshme. Në një prononcim për Portalb, Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti deklaroi se të dhënat e para rreth këtij rasti flasin për vdekje natyrore.

“Të dhënat e para flasin për vdekje natyrore. Mund të ketë edhe implikime tjera, mirëpo deri tani nuk ka të dhëna për dhunë. Gjatë ditës do të dalim edhe me prononcim zyrtar” – tha Bexheti për Portalb.

Të njëjtën informatë e ka thënë edhe drejtoresha e burgut të Shtipit, Lidija Gavrillovska duke theksuar se vdekja e Sulejmanit është natyrore dhe nuk ka pretendime tjera.

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ibrahim Sulejmani është gjetur i vdekur sot në mëngjes në burgun e Shtipit. 39 vjeçari Ibrahim Sulejmani vuante dënimin me burg prej 15 vjetëve, ndërsa në burgun e Shtipit ka qëndruar 4 vjet e gjysmë. Ibrahim Sulejmani ishte dënuar për vepra që kishin të bënin me krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, ndërsa me miratimin e ligjit për amnisti në Kuvend Ibrahim Sulejmani nuk u lirua. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button