Meta përjashton PS, lavdëron bashkëqeverisjen me PD

Kryetari i Lëvizjes Socialiste Për Integrim Ilir Meta ka përjashtuar mundësinë e bashkimit dhe koalicionimit me Partinë Socialiste, pas takimeve në Bruksel me liderin socialist Edi Rama. 

Meta në intervistën për TV News 24 ka theksuar se LSI më shumë e sheh veten dhe pozicionimin e saj me Partinë Demokratike, një përvojë trevjeçare e bashkëqeverisjes. 

“Mendoj se hamendësimet janë pjesë e krijimtarisë së cilitdo dhe kjo është normale. Por ajo për të cilën ne kemi shkëmbyer disa mendime kanë qenë këto çështje që unë përmenda deri tani, por mbeten prioriteti të paktën i LSI-së, deri në 10 tetor. Ne kemi dëgjuar parti të reja që sapo janë krijuar, dhe kanë deklaruar këtu në studion tuaj që do t’i fitojnë zgjedhjet të vetme dhe nuk do të pranojnë as PD-në, as PS-në, as LSI-në në koalicion”, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta. 

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e një krize qeveritare në Shqipëri, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin me PD. 

“Ne kemi një marrëveshje të cilës do t’i përmbahemi dhe ne nuk kemi vullnetin për të parë krizë por ne kemi vullnetin për të parë bashkëpunim, për të parë arritje. Ne jemi në një koalicion qeverisës i cili vazhdon të funksionojë edhe si më parë pavarësisht nga hamendësimet e ndryshme që janë bërë dhe para tre viteve dhe para dy ditësh e kështu me radhë. Ndërsa për çështjen e zgjedhjeve të vitit 2013 nuk kemi një qëndrim sepse nuk ka ardhur koha për të pasur një qëndrim”, deklaroi Meta.  /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button