Prej në Los Anxheles deri në Pogradec

Njëmbëdhjetë vite pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, të gjitha skenaret e paralajmëruara për një përsëritje tronditëse u treguan si të gabueshme. Në pritje të sulmeve të qendrave bërthamore, goditjeve me armatim biologjik dhe çka tjetër jo, goditja e radhës erdhi në formën e cilësisë jashtëzakonisht të dobët dhe kapacitetit tepër të lartë të provokimit. 
 
Filmi i incizuar në Amerikë dhe i vendosur në rrjetin YouTube në korrik, mbase do të mbetej vetëm një tjetër incizim i tretur në rrjetin global, po të mos raportohej në një televizion egjiptas në fillim të shtatorit. Si edhe shumë të tjera, ironia e fatit është që pikërisht ky lajm ia rriti popullaritetin incizimit disaminutësh, që vështirë do të arrinte shikueshmërinë e miliona njerëzve në mbarë botën. Por, protestat që tashmë mbërthyen njëzetë shtete janë përtej ironisë, veçanërisht në vendet ku rezultuan me viktima të protestuesve dhe forcave policore. Mbi të gjitha, vrasja makabër e Ambasadorit amerikan, Christopher Stevens, ishte tronditje e jashtëzakonshme që i tejkalon skenat e dhunës me të cilat tashmë jemi mësuar. Ndërkohë që rrethanat mbetet të zbulohen, pesha e humbjes së ambasadorit të gjashtë në shërbim në historinë diplomatike amerikane, tregon qartë se protestat ngërthejnë shumë më tepër se shprehje pakënaqësie ndaj fyerjeve, që rregullisht shkaktojnë tërbim tek popullata myslimane.
 
Reagimet e këtilla nuk janë aspak befasuese, veçanërisht jo pas precedencës së vitit 2006, kur karikaturat në një revistë daneze e zbuluan fuqinë e provokimit dhe kundërpërgjigjen e pakontrolluar. Të gjitha këto mund të shihen si sprovë e globalizimit, ku vështirë gjendet kompromisi mes frymës ‘perëndimore’ të lirisë të të shprehurit dhe ndjenjës së dinjitetit të shkelur në ‘lindje’, që shpesh degjeneron me akte të dhunshme në vende ku edhe ashtu nuk nevojitet shumë për djegien e flamujve amerikanë. Bota me Facebook-un si shtet i tretë sipas popullsisë, po e shijon kundërthënien e vlerave, që tani thehet mbi një filim amator që përfiton nga promovimi gratis. Në botën reale, gjithandej ka grupe profiterësh, qofshin ata regjisorë filmi, provokues ordinerë ose manipulues të bindjeve fetare, që fyejnë ndjenjat e të tjerëve ose i shfrytëzojnë turmat për agjenda personale ose grupore. Në përgjithësi, ka pak dallim mes skenaristëve të filmit tashmë të njohur, atyre që përfitojnë nga çasti për ndezjen e urrejtjes anti-perëndimore dhe të tjerëve që veprojnë nga butësia e on-line rehatisë. Provokimi dhe fyerja mbetet e njëjtë, pa dallim nga sofistikimi i paketimit. 

Përsëri me ironinë e fatit, ndeshja e vlerave është ajo që e krijon problemin, ku njëra anë mendon se krejt mund të futet në karikaturë dhe film, kurse pala tjetër thuajse kërkon rast për të zhdukur gjithçka që e simbolizon praninë e kulturës demokratike, përfshirë edhe kinematë ose McDonald’s. Kjo që e shohim tani është një konflikt mes prioriteteve perëndimore, ku vlerësohet liria e të shprehurit, me pak kuptim për ndjenjat e thyera nga provokimi i dinjitetit fetar, dhe pjesa me popullatë dominante myslimane, ku masa e konsiderueshme në Afrikën veriore dhe gjetiu në Azi vështirë ballafaqohet me faktin që jo gjithçka që publikohet jashtë është qëndrim zyrtar i shteteve perëndimore. 
 
Në mes, padyshim gjendet budallallëku i atyre që tentojnë të përfitojnë nga emocionet e polarizuara, me papërgjegjësinë e skajshme për profitim. Akti i revistës françeze ‘Charlie Hebdo’ vështirë se mund të fshehet nën petkun naiv të lirisë të të shprehurit, për më tepër që edhe porosia e Kryeministrit francez ishte në kuptim të respektimit të lirisë së shtypit dhe bindjeve fetare, duke e dënuar çdo teprim. Nënkuptohet, motivet u qartësuan me të lajmëruar që revista ballafaqohet me vështirësi financiare – për dallim nga shitja e ulët në të kaluarën, botimi satirik tani ka kaluar edhe në shtypje të dytë. Kjo, si edhe filmi fyes, do të arrihej vështirë pa gratis-reklamën përmes lajmeve, ku rrallë raportohet që protestat aktuale janë dukshëm më pak të frekuentuara nga ato që rezultuan me të ashtuquajturën Pranverë arabe. Në detin e trazirave, kjo mund të tingëllojë si lajm i mirë, pa harruar faktin e hidhur që britjet anti-perëndimore janë çdo herë atraktive, për dallim nga heshtja e pllakosur e masave që pothuajse as nuk e ngritën zërin kundër masakrave në Siri.
 
Për fund, në qoftë se ka diçka të mirë në këtë katrahurë të provokimeve dhe manipulimeve, kjo vjen nga qyteti i Pogradecit, ku Lidhja e hoxhallarëve me të drejtë e ka dënuar filmin ofendues dhe dhunën që tashmë kushtoi shumë jetë të pafajshme. Me porosinë e matur të dënimit të fyerjeve dhe akteve të dhunës, shqiptarët sërish e dëshmuan veten me pjekuri në raportet fetare. Si freski ndaj rritjes së ekstremeve fetare të cilat me zhurmë tentojnë t’i shesin ideologjitë e importuara, porosia e Pogradecit duhet trajtuar si obligim kundrejt shpërthimeve radikale. Këtu gjithsesi që përfshihen edhe ato që drejtohen ndaj besimeve tjera dhe për më tepër – figurave markante me të cilat krenohet mbarë kombi jonë. E pakta që mund të bëhet, përfshirë këtu edhe personazhet publike, është përmbajtja nga primitivizmi i gjuhës së urrejtjes, ngase respekti për veten meritohet vetëm duke i respektuar të tjerët. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button