(VIDEO)Arsenali i pamposhtur!

Me rezultat të barabartë, prej 1-1, ka përfunduar derbi i dytë i kësaj jave në Ligën Premier që u zhvillua në Etihad Stadium ndërmjet Manchester Cityt dhe Arsenalit.

Topçinjtë ishin skuadër më e mirë me top në fraksionin e parë të lojës, mirëpo Gervinho e Lukas Podolski nuk kombinoheshin si duhej kur vinte puna për të shënuar.

Ndërkaq, skuadra vendase u organizua më mirë për t’i ndëshkuar mysafirët. Një harkim nga këndi të David Silvas e priti në zonë Joleon Lescott, i cili falë reagimit jo të mirë të portierit Vito Mannone, shënoi golin e epërsisë (40’).

Përmendim një goditje të fuqishme të Cazorlas, të cilën e ndali portieri Hart për ta dërguar topin në goditje nga këndi. Dhe pas harkimit nga këndi, ishte Laurent Koscielny që u gjet më mirë në zonë për t’i barazuar shifrat (82’).

Kah fundi i takimit pati disa raste nga të dyja anët. Fillimisht, Kompany goditi në mënyrë të bukur, por i mrekullueshëm ishte intervenimi i portierit Mannone, ndërsa në rrjedhën e këtij aksioni Kun Aguero dështoi ta dërgonte topin në rrjet.

Gervinho ka mundur t’i dërgojë Topçinjtë me pikë të plota në shtëpi, mirëpo pasi bëri gjithçka mirë, goditja e tij ishte për t’u harruar.

Pas xhiros së pestë, Arsenali dhe Manchester City kanë nga nëntë pikë dhe gjenden katër pikë prapa liderit Chelsea. Nga ana tjetër, Tottenhami ka fituar me rezultat 2-1 përballë QPR-së, për t’u pozicionuar në pozitën e tetë me po aq pikë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button