Faza e fundit e konkursit për policë

Konkursi për pranimin e 300 policëve është në fazën e fundit. Ministrja e brendshme Gordana Jankullovska tha sot se kandidatët janë duke kaluar fazën e fundit të kontrolleve mjekësore dhe shumë shpejtë, në bazë të pikëve të fituara në çdo fazë, do të bëhet përzgjedhja finale e kandidatëve. Jankullovska nuk përmendi se sa kandidatë shqiptarë do të pranohen në këtë konkurs. 

“Mund të them se konkursi për pranimin e 300 policëve hynë në fazën përfundimtare, pas përfundimit të fazave paraprake, disa prej të cilave ishin edhe eliminuese. Tani në radhë është faza e kontrolleve të gjendjes shëndetësore të kandidatëve që kanë kaluar fazat paraprake. Ajo fazë është duke u kryer nga personel mjekësor dhe në momentin kur do të mbarojë kontrolli i të gjithë kandidatëve, ne do të shkojmë me rangimin final. Normalisht që ata që kanë më shumë pikë do të përzgjidhen dhe do të fillojnë trajnimin fillestar për polic që do të zgjasë 12 muaj dhe në mënyrë shtesë, 3 muaj punë praktike”, tha Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.

Këto komente Jankullovska i bëri në qendrën trajnuese të policisë në Idrizovë ku u realizua një stimulim i një aksioni policor, konkretisht vrasja e pjesëtarit të njësisë speciale Tigrat, para pompës së benzinës Makpetrol në vitin 2008. Ky stimulim që zgjati rreth 4 orë kishte për qëllim të trajnonte të gjithë ata që duhet të veprojnë në përpurthje me ligjin e ri për procedurës penale.

“Qëllimi i këtyre trajnimeve praktike është që zyrtarët e policisë, prokurorët, hetuesit dhe të gjithë ata që marrin pjesë në procedurën e zbardhjes së veprës penale të ballafaqohen me situata që janë shumë afër reales, me qëllim që në të ardhmen, në kushte kur do të përballen me situatë reale, kanë një ide të qartë dhe metodologji pune të trajnuar, se si të sillen ndaj rasteve konkrete. Do të thosha se ky lloj trajnimi, ku bëhet fjalë për rregullativë të re komplekse siç është ligji për procedurë penale, është me rëndësi dhe paraqet risi në trajnimin e policëve” , tha  Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.

Nga nëntori i 2011-të deri në këtë shtator janë realizuar 27 trajnime në nivel qendror, ndërsa në atë lokal janë kryer 173 trajnime, pranë Sektorëve të Punëve të Brendshme./alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button