Kur shteti mishëron krimin

Rasti tragjik i 28 shkurtit në Gostivar, edhe një herë vuri në sprovë shtetin e së drejtës në Maqedoni. Viktimat ishin dy të rinj shqiptarë, dorasi një efektiv i policisë i përkatësisë maqedonase. Deklarata e parë zyrtare që erdhi nga institucionet e shtetit, u kujtoi shqiptarëve se në këtë shtet asnjë nuk paska ndryshuar për ato, edhe pas dy dekadave pluralizmi politik. Vetëm pas pak çaste nga ngjarja tragjike, pa u kryer asnjë hetim dhe pa u dhënë asnjë verdikt nga drejtësia, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Koteski doli në opinion me qëndrimin se polici ordiner e kishte kryer aktin vrasës në vetëmbrojtje. Një konkluzion kontrovers që më pas rezultoi se nuk përputhej me deklaratat e dëshmitarëve të rastit. Kjo deklaratë e zyrtarit të Policisë, nxiti protestën popullore në Gostivar, nga ku mijëra qytetarë ngritën zërin për drejtësi. 

Por ky qëndrim i zyrtarit të Policisë nuk mbeti i izoluar. U krijua përshtypje se i gjithë aparati shtetëror u vu në mbrojtje të policit vrasës, i cili edhe pse jo në orar të punës kreu aktin e vrasjes me pistoletën zyrtare. Në korridoret e gjykatës së Gostivarit, qarkullonin zëra se po bëhet presion tek prokurori dhe gjykatësi hetues në përpilimin e lëndës. I gjithë procesi kaloi nën hijen e dyshimeve. Mbeti enigmë nëse ekzistonin video incizime nga ky rast. Drejtuesi i objekti afarist para së cilit ndodhi krimi, pohoi se nga policia ishte kërkuar video incizimi nga kamerat e sigurisë së objektit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme mohuan se kanë kërkuar një gjë të tillë, edhe pse dokumenti përmbante vulën e kësaj ministrie. Edhe gjykatësi hetues i lëndës, mohoi të posedonte një material të tillë si  dëshmie gjatë procesit hetues. Video incizimi ishte marrë nga policia, por enigmë ngeli se në sirtarët e cilit institucion përfunduan ato. 
Dyshimet e ngritura në opinion, u forcuan ende më tepër kur i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gostivar u transferua nga Burgu i Shkupit në atë të Prilepit. Arsyeja ishte se i burgosuri mund të vihej në rrezik për jetë nga të burgosurit shqiptarë që po vuajnë dënimin në Burgun e Idrizovës. Ky veprim privilegjues lejoi të kuptohej se i gjithë shteti ishte vënë në mbrojtje të policit vrasës.

Se institucionet e shtetit veprojnë në dy kute, varësisht për kë bëhet fjalë, dëshmon rasti me të paraburgosurit e aksionit policor “Monstra”. Të dyshuarit shqiptarë për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit mund të qëndrojnë në paraburgim në Burgun e Prilepit dhe nuk paska rrezik për jetën e tyre atje, kurse i paraburgosuri maqedonas qenka në rrezik për jetë në Burgun e Idrizovës. Situata ende më tepër rëndohet nga sjella e gardianëve me të paraburgosurit shqiptarë në Burgun e Prilepit, dhe sjellja e inspektorëve të Policisë gjatë procesit të hetimeve. Se si malltretoheshin të paraburgosurit shqiptarë, dëshmitë dolën në opinion. 

Përkujdesja e shtetit ndaj policit vrasës vazhdon. Për të dytën herë me radhë prolongohet fillimi i procesit gjyqësor ndaj tij. Policia nuk mund të asiston në bartjen e tij nga institucioni ndëshkimor ku po qëndron në paraburgim, në institucionin ku ndahet drejtësia. Arsyeja qenka mospasja e sigurisë, edhe pse avokati mbrojtës lirshëm udhëton nga Shkupi, vjen në seancë kërkon delegimin e lëndës në Gjykatë tjetër dhe askush nuk e nguc. Askush nuk i nguci edhe të afërmit e vrasësit, edhe pse mediat maqedonase paragjykonin se do të ndodhte hataja. Biznesi i tyre familjar funksionon pa ndërprerje dhe pa asnjë problem. Nuk u dogj as banesa e tij disa metra larg shtëpive të familjarëve të viktimave. Në këtë rast vjen në pikëpyetje edhe reciprociteti ndërinstitucional. Ministria e  Punëve të Brendshme, në këtë rast i përgjigjet negativisht Ministrisë së Drejtësisë (Drejtorisë së Burgut – Prilep dhe Gjykatës së Gostivarit) për asistencë policore, kompetencë kjo burimore e këtij dikasteri qeveritar. 

Para objektit të gjykatës, në të dyja seancat e thirrura vërehej vetëm prezenca e pjesëtarëve të Policisë, dhe tek tuk ndonjë kalimtar rasti. Prononcimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, është sa kontrovers aq edhe komik. Policia nuk paskan resurse të nevojshme për të mundësuar që i dyshuari të del para drejtësisë, kurse munden dhe paskan kapacitete që të organizojnë aksione policore spektakulare dhe mediatike për arrestimin e fundamentalistëve Islamik, me qindra forca speciale policore dhe eskortë të pafund automjetesh të blinduara. Kanë mundësi të futen në vendbanime ku jetojnë ekstremistë islamik, të futen në fshatra malore si Brodeci e gjetiu, dhe nuk paskan mundësi të sjellin një të paraburgosur nga qytet në një qytet tjetër urban. Habit fakti se si një shtet i përshtatshëm për investime të huaja, aspirues i integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, lejon që përfaqësuesit e OSBE-së dhe Komitetit të Helsinkit të pranishëm në sallën e gjykimit të nënvizojnë në procesverbalet e tyre se i dyshuari nuk qenka i pranishëm në seancë për shkak se organet e rendit nuk mund të garantojnë transferimin e  tij, dhe se Gostivari na qenka qytet me indeks të lartë pasigurie pa ofruar as edhe një argument të vetëm që do të argumentonte pohimin.

Ky mishërim institucional ndaj krimit, lë hapësirë të besohet në dyshimet e ngritura nga avokati mbrojtës i familjarëve të viktimave, se po tentohet që lënda të delegohet në gjykatë tjetër dhe me këtë të ndikohet në lartësinë e dënimit ndaj kryerësit të veprës penale, vrasje e dyfishtë. Marshi popullor për drejtësi që shpërtheu pas vrasjes monstruoze dhe deklaratave tendencioze të zëdhënësit të Policisë, mbetet të shpresojmë të mos ketë nevojë të riorganizohet sërish,  pasi që drejtësia ta thotë fjalën e fundit. Shqiptarët do të kërkojnë drejtësi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button