Lindje-perëndim, liri apo fyerje?

Mendoj se të gjitha trazirat, reagimet, protestat rreth karikaturave, filmave dhe talljeve tjera, të cilat, myslimanët i konsiderojnë si fyerje të palejueshme për simbolet e tyre janë në fakt, polemikë për atë se ku është kufiri midis lirisë së shprehjes dhe përgjegjësia dhe respektimi i gjërave të shenjta të tjetrit, atij që është ndryshe. Kjo është diçka që përgjatë historisë, gjithmonë ka ndodhur, por bota moderne e kërkon këtë kufi, tani, në kushte të globalizimit që sjell deri aty, që ky debat të mund të shpërthejë dhe të zhvillohet kudo. Sipas kësaj, në këtë debat myslimanët, tani, e kanë rolin e kufitarit të fundit të tradicionales. Ata janë ata që shënojnë kufirin deri ku mund të shtrihet ajo liri, gjegjësisht deri te liritë dhe shenjtëritë fetare. Kështu myslimanët këtë debat e zhvillojnë edhe për traditat tjera religjioze: të krishterët, hebrenjtë dhe budistët.

Në përgjithësi ka keqkuptim në komunikimin mes myslimanëve në Lindjen e Mesme ndaj botës edhe atë në shumë nivele. Kështu me rastin e karikaturave daneze mbreti saudit nuk mund të kuptonte pse ai nuk flet me mbretëreshën por me kryeministrin. Kurse tani shumë njerëz në Lindjen e Mesme nuk kuptojnë si dhe pse nuk është amerikane shtetërore, filmi në produksion privat të ndonjë amerikani. Po ashtu ka tendencë të paraqitjes së Perëndimit si një entitet, me ç’rast Evropa, Amerika dhe të tjerët paraqiten si një entitet i vetëm, dhe i cili është i ndërsyer nga hebrenjtë?!

Nga ana tjetër bota ende nuk është e njoftuar plotësisht për thelbin e simbolikës të profetit Muhamed për myslimanët. Personaliteti dhe vepra e këtij pejgamberi nuk paraqesin vetëm histori për myslimanët. Jo, ai për ta është i shenjtë edhe për nga çiltëria dhe pastërtia. Cilësi këto me të cilat është i garantuar jokompromiteti i shpalljes dhe fjalës hyjnore, Kuranit fisnik. Këtë aspekt ndoshta mund ta kuptojnë vetëm të krishterët, kur në bazë të botëkuptimit të tyre të krishterë, ata Muhamedin pejgamber do ta krahasonin me Shën Mërin (hazreti Merjem).

Kështu, siç është i rëndësishëm për të krishterët virgjëria dhe pastërtia e Shën Mërisë, ashtu për myslimanët është i rëndësishëm personaliteti dhe vepra e profetit Muhamed dhe mosfyerja e këtij simboli, nga veprat dhe fjalët e tjetrit, nga ata që janë ndryshe.

Kur e gjithë kjo kombinohet me mbetjet e regjimeve të cilat vite të tëra shtresonin antiamerikanizëm, si në Egjipt ashtu edhe në Libi, ku ende është në fillet e saja marrja autentike e pushtetit, nga ana e të përzgjedhurve të popullit, kjo sjell deri te ndodhitë e tmerrshme si ato të fundit që patëm mundësi t’i ndjekim tani, me rastin e publikimit të një filmi amateresk.

Ramadan Ramadani
© përkthimi në shqip Portalb
(doktorant në histori të kulturës pranë Institutit për histori nacionale, Shkup, Maqedoni. Ky opinion pjesërisht është përgatitur dhe përcjellë në gazetën ditore në maqedonisht “Nova Makedonija”, 19.09.2012)

Lajme të ngjashme

Back to top button