Chelsea: policia të hetojë racizmin ndaj John Obi Mikel

Chelsea ka kërkuar nga policia që të hetojë fyerjet raciste ndaj mesfushorit John Obi Mikel, derisa lojtarët e zinj të Tottenhamit kanë qenë shënjestër e fyerjeve raciste gjatë një ndeshjeje në Ligën e Evropës.

Fyerje raciste në rrjetin social “Twitter” janë adresuar te Mikeli, pasi reprezentuesi i Nigerisë ka bërë një gabim të mërkurën në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, nga i cili ka rënë goli i barazimit në ndeshjen mes Chelseat dhe Juventusit (2:2). 

“Chelsea ka informuar policinë dhe kërkon që të merren masat më të forta të mundshme”, thuhet në një komunikatë të Chelseat. Mikel të enjten ka mbyllur llogarinë e tij në “Twitter”. 

Të enjten mbrëma, tifozët e Lazios kanë bërë zëra majmunësh në drejtim të lojtarëve të Tottenhamit, Jermain Defoe, Aaron Lennon dhe Andros Townsend. 

Trajneri i Tottenhamit, Andre Villas-Boas nuk ka dëgjuar fyerjet raciste dhe thotë se autoritetet e UEFA-s duhet të nisin hetimet për këto raste. 

“UEFA është shumë aktive në këto lloj situatash dhe objektivi ynë i përgjithshëm është që të largojmë racizmin nga futbolli. Unë nuk mund të bëj me gisht nga askush, pasi nuk kam dëgjuar asgjë. Por mbetet te autoritetet që të hetojnë këto raste”, ka thënë Villas-Boas për agjencinë e lajmeve AP. 

Të mërkurën politikanët britanikë kanë kërkuar nga autoritetet e futbollit që të bëjnë më tepër për të luftuar racizmin në futboll./koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button