Pogradec, takohen Ahmeti e Panariti

Mbrëmë në Pogradec është realizuar një takim midis kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Edmond Panariti.

Marrëdhëniet dy palëshe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, roli i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, Marrëveshja e Ohrit si dhe zhvillimet tjera në rajon, ishin temat që u diskutuan në takim, njoftojnë nga kabineti Ali Ahmetit.

Panariti e Ahmeti kanë theksuar nevojën për të realizuar bashkëpunim të dy vendeve në sferën ekonomike, me çka do të sigurohej një lidhje e mirë biznesi fqinjësor.

Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Panariti, ka thënë se me rëndësi të posaçme për stabilitetin e Maqedonisë janë marrëdhëniet ndëretnike, njëkohësisht duke përshëndetur dialogun politik të derisotëm mes partive të koalicionit qeverisës në Maqedoni, duke shprehur besimin për ecurinë e reformave në funksion të integrimit të Maqedonisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, thuhet më tej në komunikatë.

Sa i përket rajonit, Ahmeti dhe Panariti, kanë përshëndetur përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, si një arritje të madhe historike jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjithë kombin shqiptar dhe popujt e tjerë të Ballkanit. Vlerësuan progresin e Kosovës në raportet e saj me BE-në, marrjen e udhëzuesit për liberalizimin e vizave dhe fillimin e studimit të fizibilitetit për MSA-në. Theksuan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik Kosovë-Serbi, me lehtësimin e BE-së.

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë u diskutua mbi punën që po bëhet, kalendarin e aktiviteteve dhe koordinimin e hallkave përgjegjëse në të dy vendet tona, si dhe u shpreh domosdoshmëria e realizimit të një bashkëpunimi të ngushtë institucional ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoni edhe me synim forcimin e imazhit të faktorit shqiptar në rajon si faktor i rëndësishëm, konstruktiv për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button