A mund që Nëna Terezë, një jo-myslimane, të shkojë në parajsë?

Vrasjet e fundit të shiitëve dhe akuzat për blasfemi kundër një vajze të re të krishterë nga Pakistani nuk vijnë si rezultat i ndonjë grupi të huaj ushtarak që terrorizon këtë vend.

Incidentet e dhunës kundër minoriteteve dhe grupeve të sekteve të ndryshme janë rezultat i ideologjive që ekzistojnë në të  gjitha këndet e shoqërisë sonë. Pa marrë parasysh se a je liberal apo konservator, i edukuar apo injorant, të gjithë e ndajmë fajin për incidentet e tilla.

Pikërisht në këtë temë, një përleshje e nxehtë shpërtheu në klasë në momentin kur pyeta studentët e mi: “A do të shkojë Nëna Terezë në parajsë?”

Për habinë time, më shumë se 80% e kësaj elite të edukuar u përgjigj me një “jo” të furishme. Të gjithë këta të cilët u përgjigjën kështu thanë se, përderisa Nënë Tereza ishte një grua bujare, ajo nuk ishte myslimane dhe prandaj, ajo nuk mund të hyjë në parajsë. Një ideologji e tillë është hapi i parë drejt dhunës dhe brutalitetit.

Më poshtë keni një dialog timin me një student i cili e përfaqësonte këtë shkollë të mendimit:

Pra, Nëna Terezë nuk do të shkojë në parajsë?

Studenti: Jo, pasi që ajo nuk është myslimane.

Por, ajo ka shpëtuar miliona jetë.

Studenti: E po, ajo është shpërblyer për këtë në këtë botë, por dikush nuk mund të hyjë në parajsë në qoftë se nuk është mysliman, në qoftë se nuk e thotë dëshminë.

Pra, sipas teje, vetëm myslimanët mund të hyjnë në parajsë, pa marrë parasysh se sa të këqij janë?

Studenti: Po, myslimanët  e ligë do të dënohen për një kohë, dhe më pas do të dërgohen në parajsë.

Pra, kur ti do të vdesësh, do të shkosh në parajsë, pa marrë parasysh se çfarë do të bësh në këtë  jetë, vetëm  pse je lindur si mysliman?

Studenti: Po, pikërisht!

A ke vendosur ti se ku do të lindësh?

Studenti: Jo.

Kush e ka vendosur këtë?

Studenti: Zoti.

Atëherë, Zoti veç më ka vendosur gjatë lindjes sate se ti do të shkosh në parajsë, ndërsa Nëna Terezë, e cila ka shpëtuar mijëra jetë,  do të shkojë në ferr?

Studenti: Mmm…Mendoj se po.  Zoti e ka thënë këtë në disa pjesë në  Kuranit të Shenjtë. Në qoftë  se kishte arritur ai mesazh deri te ajo dhe e kishte ndryshuar fenë duke u shndërruar në një myslimane, do të kishte mundur të hyjë në parajsë.

A është më me rëndësi ta  pranosh mesazhin, apo ta përcjellësh atë?

Studenti: Ta përcjellësh, natyrisht.

A  mendon se ti po e përcjell mesazhin e Islamit?

Studenti: Mundohem, por nuk ma merr mendja.

A mendon se Nëna Terezë e përcolli mesazhin e Islamit?

Studenti: Hmm, ajo nuk bëri namazin e as nuk e lexoi Kuranin e Shenjtë, por e përcolli mesazhin.

Atëherë, ajo ende nuk mund të shkojë në parajsë, edhe pse e përcolli mesazhin e Islamit?

Studenti: Nuk e di, do të duhet të bëj disa hulumtime shtesë për këtë.

Nejse, harroje këtë. A e ke lexuar ti Kuranin e Shenjtë?

Studenti (i entuziazmuar): Po!

Me përkthim ose vetëm në gjuhën arabe?

Studenti: Vetëm në gjuhën arabe.

Atëherë, si mund të pohosh se diçka  është e shkruar në Kuranin e Shenjtë kur ti nuk e ke lexuar atë në të vërtet?

Studenti: Nuk e di, kam dëgjuar  për këtë.

Pra, Nëna Terezë do të  shkojë në  ferr sepse ti ke dëgjuar nga dikush se një gjë e tillë është e shkruar në Kuranin e Shenjtë, e që edhe ai dikush me siguri ka dëgjuar nga dikush tjetër?

Studenti: Hmmm.

Ti në fakt po thua se një gjë e tillë thuhet në Kuran dhe ti po supozon se Nëna Terezë nuk do të shkojë në parajsë.

Studenti (i frustruar): Nuk e di.

A e pranon faktin se pa e lexuar dhe kuptuar Kuranin e Shenjtë, çfarëdo që pohon është një supozim?

Studenti: Po.

Mirë. Atëherë, a ka mundësi që Nëna Terezë të shkojë në parajsë tani që ti nuk je Zot dhe që nuk e ke dijen absolute për atë që do të ndodh nesër?

Studenti: Nuk e di, ndoshta?

Ky dialog përshkruan një nga shkaqet themelore të shumicës së problemeve sektare dhe fetare në  Pakistan. Besimet dhe dituritë tona për botën na i ka treguar dikush që ka dëgjuar nga dikush tjetër dhe kështu me radhë. Në kulturën tonë, ideja e vetë-hulumtimin nuk ekziston dhe njerëzit i kanë marrë besimet dhe idetë si diçka të gatshme.

Për më tepër, jemi fundosur kaq shumë në debate të imëta saqë kemi humbur  gjurmët e  asaj që me të vërtetë është e  rëndësishme për mbijetesën tonë. Prandaj, duhet t’i tejkalojmë këto lloj debatesh në lidhje me atë se kush do të shkojë në parajsë e kush në ferr. Kemi nevojë që t’I ndryshojmë debatet në shtëpitë tona, në klasat tona, dhe çështë më me rëndësi, në mediat, me qëllim që të fillojmë të mendojmë për problemet urgjente dhe reale. Përderisa nuk ndryshojnë këto debate, do të vazhdojmë t’i diskriminojmë pjesëtarët e sekteve dhe religjioneve tjera.

Burimi: The Kashmir Monitor

Lajme të ngjashme

Back to top button