Podgorcasit vijojnë mësimin në shqip pa lejen e Ministrisë

Nga mesdita e djeshme fëmijët shqiptar të Podgorcës, sërish startuan më mësimin në gjuhën shqipe në shkollën e fshatit të tyre, pavarësisht vendimit më të fundit të MASH që i urdhëronte që procesin edukativo-arsimor ta ndiqnin në shkollën ‘’Murat Labënishta’’në Llabunisht.

Nga Këshilli i prindërve të nxënësve shqiptar informohemi se gjithçka kaloi pa probleme gjatë futjes së nxënësve shqiptar në objektin e shkollës fillore’’Goce Dellcev’’ të Podgorcë edhe pse ka qenë e pranishme policia si dhe vëzhgues të OBSE-s.

Mësimi në gjuhën shqipe në shkollën e Fshatit Podgorcë filloi në fillim të vitit 2010 pas kalimit të të gjitha procedurave të nevojshme që rregullojnë këtë problematikë. Mësimi nisi pa shumë bujë dhe probleme, kurse pas kërkesës së prindërve Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte dhënë edhe lejen, e cila më pas menjëherë u tërhoq.

Prej atëherë e deri më tani, askush nuk i bie në fije problemit, megjithëse prindërit i janë nënshtruar një presioni të madh pse i dërgojnë fëmijët të mësojnë në gjuhën shqipe. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button