Sa kushton neglizhenca e gjykatave për vrasjen në Gostivar dhe Kondovë?

Gjatë kësaj jave sërish pritet të mbahen seancat gjyqësore për vrasjen e maturantit Muhamedali Jashari nga Kondova dhe vrasjes së dyfishtë në Gostivar të të rinjëve Besnik Shehapi dhe Imran Mehmedi në shkurt të këtij viti nga ana e policit Jakim Trifunovski, procedura këto të cilat zvarriten me muaj dhe vite.

Prolongimi dhe anulimi i seancave gjyqësore për ekspertin e çështjeve juridike Osman Kadriu, edhe një herë flet për jo efikasitetin dhe pa përgjegjësinë e Gjykatave të Maqedonisë.

Këto raste sipas Kadriut, duhet të zbardhen menjëherë sepse paraqesin rrezik të madh edhe për marrëdhëniet ndër etnike në vend.

Edhe rasti i Kondovës edhe rasti i vrasjes nga ana e policëve të Gostivarit, flasin edhe tash por jo vetëm tash, kjo përsëri e vërteton rrethanën se gjykatat në Maqedoni nuk janë efikase. Gjykatat në Maqedoni i zvarrisin lëndët edhe në lëmin civile edhe në atë penale tha Kadriu.

“Sidomos kur punohet për lëmi penale dhe për këto vrasje drakonike, vrasje të rënda me pasoja për familjen për shoqërinë dhe me pasoja për marrëdhëniet ndër nacionale, flasin do të thotë se nuk kemi përgjegjësi nga gjyqësori, nuk kemi një kompetencë të theksuar nga gjyqësori edhe jo rastësisht edhe vërejtja nga Bashkimi Evropian me theks të veçantë nga Këshilli Evropian është se gjykatat në Maqedoni nuk janë në nivel të detyrës edhe se funksioni gjyqtar nuk ushtrohet, nuk realizohet komfor kushtetutës dhe ligjit flasin do të thotë se me të vërtetë duhet të zhvillohet një reformë e theksuar për gjyqësorin duke përfshirë edhe çështjen e përgjegjësisë të gjyqtarëve dhe gjithë pjesëtareve tjerë që ushtrojnë kompetenca të veçanta në gjyqësor” u shpreh Kadriu.

Në Maqedoni, sipas Kadriut mungojnë gjykatësit përgjegjës dhe të pa anshëm, ndërsa rastet në fjalë flasin se ne gjithmonë do të kemi pasoja të rënda në realizimin e të drejtës së njeriut.

“Duhet të sigurohet të kemi një gjyqësor kompetent me përgjegjësi, të jetë i pa anshëm, me baza profesionale i përgatitur dhe vendimet ti sjell në baza profesionale e jo vendimet ti sjell me ndikimin e politikës ditore apo me ndikimin e partisë në pushtet apo në opozitë.  Këto raste flasin se akoma gjyqësori nuk është i gatshëm nuk ka edhe vullnet ndoshta që ti zbardhojë këto raste, ndërsa ata janë kompetencë e tij dhe ka përgjegjësi që këto raste të zgjidhen sa më shpejtë meqenëse këtë e kërkon edhe siguria juridike këtë e kërkon edhe sistemi i drejtësisë, dhe me këtë të sigurohet funksionimi i shtetit juridik dhe sundimi i së drejtës. Nëse këto nuk funksionojnë ne gjithmonë do të kemi problem dhe pasoja të rënda në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut kur ai paraqitet si palë konkrete, si subjekt i së drejtës si para gjyqësorit ashtu edhe para organeve administrative dhe para organeve shtetërore” përfundoi Kadriu.

Ndryshe ashtu siç është paralajmëruar, procesi gjyqësor për  Jakim Trifunovskin vrasës i dy të rinjve në pritet të mbahet nesër, me 19 shtator me fillim në orën 10 e 30, ndërsa gjykimi për vrasjen e Muhamedali Jasharit do të mbahet me 26 shtator në orën 10.00./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button