Fyle: MKO dhe BE vizionet e vetme të Maqedonisë

Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Bashkimi Evropian janë vizionet e vetme në të cilat duhet të orientohet Maqedonia, ka porositur evro komesari për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski në Shkup.

“Dhjetë vite pas nënshkrimit të MKO-së dhe 20 të pavarësisë së Maqedonisë, krijuat një sistem respektivisht një themel të shëndoshë për bashkëjetesë të të gjitha grupeve etnike. Ardhmëria qëndron në vizionin që keni për vendin tuaj Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja e Ohrit janë elementet kyçe të atij vizioni dhe ju inkurajoj të punoni në këtë drejtim” tha Fyle.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se qeveria dhe autoritetet e shtetit vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota ndërsa dallimet partiake nuk kanë kapacitet për të shkaktuar destabilizm ndëretnik.

“Mund të vlerësoj se marrëdhëniet janë komplekse dhe ne si partner të koalicionit ballafaqohemi me sfida për çka investojmë mund për ti tejkaluar ato përmes kontakteve të përditshme në nivele të ndryshme partiake, për të kërkuar dalje nga situatat e krijuara dhe për të vazhduar zbatimin e reformave dhe në këtë drejtim qeveria dhe autoritetet shtetërore punojnë me kapacitet të plotë ndërsa dallimet partiake nuk kanë kapacitet për të shkaktuar de stabilizim në vend” tha Gruevski.

I pyetur për atë se do të merr ose jo datë për anëtarësim me BE-në Maqedonia, evrokomesari Fyle tha Rregullat janë të qarta, ndërsa Komisioni për momentin po punon në përpilimin e raportit për përparimin e Maqedonisë dhe se i njëjti do të prezantohet muajin e ardhshëm./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button