Inspektorati denoncon drejtorët, Mexhiti: Të shkarkohet Kralev

Inspektorati shtetëror për arsim sot kreu mbikëqyrje inspektive të pesë shkollave në Çair të cilat në fillim të këtij viti shkollor i ndërruan tabelat e shkollave. Gjatë kësaj mbikëqyrjeje u konstatua se shkollat nuk kanë vepruar në përputhshmëri me vendimet e sjella, nuk i kanë kthyer tabelat e mëparshme dhe për këtë arsye do të sanksionohen, lajmëruan nga Inspektorati.

“Janë parashtruar akuza për kundërvajtje deri  te Gjykata themelore dhe në përputhshmëri me Ligjin për arsim të ulët janë dhënë indikacione me propozime deri te bordet e shkollave dhe kryetari i komunës për shkarkimin e drejtorëve”, thonë nga ISHA.

Kryetari i komunës Çair, Izet Mexhiti ndaj propozimit të ISHA në lidhje me shkarkimin e drejtorëve, tha se komuna Çair do të kërkojë shkarkim të ministrit për Arsim dhe shkencë, sepse  ai nuk i ka shqyrtuar me kohë kërkesat e komunës për ndryshimin e emrave të shkollave.

“Ne shumë kohë më parë kemi kërkuar ndryshim të emrave, por ai na ka injoruar vite me radhë, ndërsa kur vetë i ndryshuam, reagoi menjëherë. Kërkojmë që ai të shkarkohet sepse ka shkelur ligjin,  më saktësisht nenin 77 të Ligjit për vetëqeverisje lokale sipas të cilit në qoftë se në afat kohor prej 60 ditësh nuk përgjigjet ndaj kërkesës, vendimi të cilin e kemi marrë do të konsiderohet si pozitiv. Pasi që ministri na injoronte, ne do të fillojmë edhe me procedurë gjyqësore ndaj ministrit, për mos respektim të legjislacionit”, u shpreh Mexhiti.

Sipas tij, mbetet vetëm edhe problemi me ditarët dhe dëftesat e shkollave të cilat janë të vlefshme vetëm në qoftë se në to qëndron emri i cili është miratuar nga Ministria për arsim dhe shkencë. Kryetari i komunës thotë se ky është një problem për të cilin do të kërkojnë mënyra për ta zgjidhur, por deri atëherë,  thotë ai, dëftesat dhe ditarët do të emërtohen në përputhshmëri me ligjin./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button