Shqipëri, deti, marrëveshja ishte “tregtare”

Gazeta greke “Kathimerini”, raporton se zbatimi i marrëveshjes për kufirin ujor me Greqinë është “parakusht” për Shqipërinë sa i takon realizimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Në këtë mënyrë Athina ka rritur presionin mbi Tiranën për të ratifikuar marrëveshjen edhe pse ajo është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo pasi për realizimin e TAP, fillimisht duhet të ketë një marrëveshje paraprake Greqi-Shqipëri. Një marrëveshje e tillë është nënshkruar në prill të vitit 2009 bashkë me marrëveshjen për kufirin ujor. 

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, pritet të kryej një vizitë në Athinë në fillim të muajit tetor me urdhër të kryeministrit, Sali Berisha raporton gazeta greke. Në shkrimin e saj thuhet me tej se Berisha ngriti një komision ndërministror për të zgjedhur një zgjidhje për këtë çështje por tani ka dalë edhe raporti konfidencial i Panaritit që parashikon skenarë negativë nga ana e Greqisë nëse nuk zbatohet marrëveshja.

“Kathimerini”, citon burime nga Ministria e Jashtme e cila parashikon që në rast se Greqia nuk pranon rinegocim atëherë çështja do të çohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ose do kërkojë arbitrim ndërkombëtar. Çështja e marrëveshjes së kufirit në Shqipëri nga partitë opozitare dhe më gjerë është konsideruar si një marrëveshje e fshehtë e qeverisë ndërsa nga pala greke burime diplomatike për “Kathimerini” kanë thënë se marrëveshja është ratifikuar nga Greqia dhe pritet që të njëjtën gjë të bëjë edhe pala tjetër./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button