Pse shkoi Ibra në PSG?

Zlatan Ibrahimoviq, pasi ka arritur të fitojë zemrat e tifozëve të PSG-së, synon që me skuadrën e re në këtë sezon të arrijë të fitojë kampionatin, pse jo edhe Ligën e Kampionëve. Në një intervistë për “Eurosport”, suedezi, në prag të ndeshjes ndaj Portos, ka folur për sfidën e dytë të PSG-së në Ligën e Kampionëve, e cila daton në ditën e ditëlindjes së tij “Do të jetë një ditë speciale, sepse do të bëhem një vit më i vjetër, por kjo nuk më shqetëson”, shpjegon Ibra dhe shton “Ndihem pak si vera: çdo vit që kalon, bëhem më i mirë. Shpresoj t’i bëj një dhuratë të bukur vetës duke luajtur mirë dhe duke marrë tri pikët kundër Portos”. Ajo që s’e ka nisur mirë është Milani, ndërsa i pyetur se cila është skuadra më e mirë mes kuqezinjve dhe PSG-së, Ibra nuk ka dyshime.

“Mendoj se kjo skuadër është më e fortë se Milani. Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Me ardhjen time, atë të Thiago Silvës dhe të disa lojtarëve të rëndësishëm, PSG-ja ka fituar shumë cilësi. Ndërsa Milani ka humbur. Unë kam besim se Parisi mund të bëhet një nga klubet më të forta në Evropë dhe në botë, por për të bërë këtë duhet të fitojmë”. Për të fituar, PSG-ja ka nevojë edhe për golat e tij, të cilët nuk kanë munguar: 7 në kampionat dhe plus 1 në Ligën e Kampionëve. “Çdo vit mundohem ta përmirësoj rekordin tim. Në sezonin e kaluar te Milani kam shënuar 35 gola në total. Sivjet do të përpiqem të bëj më shumë”. Neymar? “Është një lojtar fantastik. Nëse vjen, është mirë për ne, sepse ai është një futbollist që mbart një teknikë të lartë dhe është shumë i shpejtë”, përfundoi Ibrahimoviq.

Lajme të ngjashme

Back to top button