Një portret psikologjik i politikanit modern

Sa mund të jetë e hidhur buzëqeshja që buzëve ua jep formën e cila nuk korrespondon me vërtetësinë e brendshme shpirtërore? Sa mund të jetë e dhembshme gjendja e një shpirti njerëzor që duke qenë i plagosur nga inferioriteti, përpëlitet të ngrihet mbi të tjerët, duke dashur ta shpërfillë dhimbjen që ia jep kjo plagë? Deri në ç’shkallë mund të arsyetohet veprimi i një njeriu të lënduar fizikisht, i cili në vend se ta kurojë plagën me ilaç, ai e mbulon atë me makiazhe kozmetike që të tjerëve t’ua ofrojë imazhin e njeriut të shëndoshë? Nëse një veprim i tillë cilësohet si absurd, atëherë si mund të cilësohet veprimi i njeriut të plagosur shpirtërisht, i cili, në vend se ta shërojë veten, fsheh plagën e tij dhe i thërret të tjerët ta besojnë se ai nuk është i sëmurë? Mbase, në vrojtim të parë, përgjigja mund të tingëllojë çuditshëm nëse do të thoshim se askush si politikani (sidomos ai modern) nuk mund t’i kuptojë më thellë pyetjet e parashtruara, sepse askush si ai nuk i ka provuar gjendjet në fjalë. Mirëpo, fakti se një gjë mund të na tingëllojë çuditshëm nuk e ndryshon gjendjen reale të shumë njerëzve që i janë qasur marrjes së pushtetit. Pushteti, paraja dhe epshi janë tre burgjet e njeriut në të cilat ai futet vullnetarisht dhe mësohet të jetojë brenda tyre. Madje, këto janë aq të lidhura mes vete saqë faqet e historisë të të gjitha kohërave janë të mbushura përplot me personalitete që bëhen të pasur për ta marrë pushtetin ose e marrin pushtetin për t’u bërë të pasur, pa e përjashtuar këtu epshin (në kuptimin seksual) i cili jo rrallë, është bashkëshoqërues në ndërtimin e gjithë kësaj ngrehine.

Me dëshirën për ta shmangur çdo paqartësi, pohojmë se këtu nuk bëhet fjalë për psikologjinë e politologut që i është qasur studimeve politike e as për mendimtarët e lirë që për të mirën e gjithmbarshme zhvillojnë aktivitet politik. Madje, ky portret psikologjik, nuk është domosdoshmërisht fytyra e të gjithë politikanëve, qofshin ata modernë, mesjetarë apo të ndonjë periudhe tjetër historike. Sidoqoftë, në këtë portret paraqitet fytyra e shumicës së atyre politikanëve, apo më qartësisht, atyre liderëve karizmatikë që ushtrojnë pushtet politik, e që duke menduar se nëpërmjet pushtetit mund të bëjnë gjithçka, janë të prirur të bëjnë gjithçka për pushtet. Në veçanti, një portret i tillë i përgjigjet politikanit modern që i posedon të gjitha përveç vetvetes. Dëshira e etshme për pushtet dëshmon mungesën e diçkaje. Njeriu që me çdo kusht mendon se duhet të ketë rol udhëheqës në pushtetin politik, dhe nuk mund të jetojë nëse nuk i qaset marrjes apo ushtrimit të këtij pushteti, e di çfarë domethënë ta ndërrosh formën e buzëve por të mos qeshësh, të ngrihesh mbi turmën dhe sërish të mbetesh inferior, të jesh i pasur dhe prapë të mbetesh lypës, të jesh i famshëm dhe sërish ta përbuzësh publikun.

Inferioriteti është ngjyra dominante e portretit psikologjik të politikanit, prandaj ai paraqitet aq superior, dhe kështu, nëpërmjet të tjerëve që ia ofrojnë ndjenjën e të qenit i madh, ai i sugjeron vetes se nuk është i vogël. Është thënë se njeriu për të qenë i lumtur duhet ta gënjejë veten por ç’e do që gënjeshtra gjithmonë na e kujton mospranimin e një të vërtete dhe si e tillë gjithmonë na vë në opozitë me vetveten. Prandaj, i etshmi për pushtet nuk e do opozitën (edhe atëherë kur është i pasur) sepse të qenit në opozitë atij ia kujton inferioritetin dhe fytyrën e tij të vërtetë të cilës i mungon buzëqeshja edhe atëherë kur qeshë.
Mahnitja me vetveten është ndjenjë e pashmangshme e politikanit modern, ndjenjë kjo që mundësohet duke iu referuar admirimit që e kanë të tjerët për të.

Madhështia e tij varet nga jashtë, respektivisht, nga mbështetja që i vjen prej bashkëmendimtarëve dhe simpatizantëve, prandaj, në rast se kjo përkrahje një ditë do t’i mungonte, ai do të ndihej i braktisur dhe i vetmuar kur veten do ta gjente në shkretëtirën e brendshme të shpirtit të tij. Përkrahja që i vjen nga jashtë vetes është paterica në të cilën ai mbahet dhe në çastin kur kjo patericë për ndonjë arsye mund të mos jetë pikëmbështetje për të, ai është i destinuar të bjerë, ngaqë nuk mund të mbështetet në forcat e tij shpirtërore ndaj të cilave vazhdimisht ka marrë qëndrim mospërfillës.

Narcisizmi (që e karakterizon personalitetin e politikanit) nuk është thjesht të rënit në dashuri me veten, por mbiçmim dhe mbivlerësim i  vetvetes, dhe kjo është e mundur vetëm duke u krahasuar me të tjerët, gjë që në vazhdimësi konfirmon përqasjen e politikanit modern: varësinë e tij jo nga burimet e veta shpirtërore por nga përceptimi që ka për të tjerët. Së këtejmi, krejt natyrshëm shtrohet edhe pyetja: Përse politikani në fjalë është i varur nga prania e të tjerëve? Natyrshëm vjen edhe përgjigja: Ai dëshiron të ketë pushtet mbi të tjerët, prandaj të tjerët janë referencë fundamentale për të.

Sadizmi, në kuptimin përgjithësues (dhe jo atë seksual) është një veçori tjetër psikologjike që përbën personalitetin e politikanit. Kënaqësia është pasojë e një veprimi, dhe sadizmi, është konstatuar të jetë jo kënaqësi ngaqë i shkakton dhimbje tjetrit, por kënaqësi ngaqë e sundon dhe ushtron pushtet mbi tjetrin. Asnjëherë kënaqësia nuk është gjë në vetvete, por vetëm rrjedhojë e diçkaje që na bën të ndihemi mirë dhe njeriu nuk do ta synonte kënaqësinë sikur ajo të mos e përmbushte një nevojë të tijën, qoftë ajo e arsyeshme ose jo. Në psikologjinë e politikanit rrënjëzohet dëshira për pushtet dhe rrjedhimisht edhe dëshira për ta përjetuar të ushtruarit e pushtetit, gjë që i jep një lloj kënaqësie sepse njerëzit që ngurrojnë ta gjejnë lumturinë te shpirtrat e tyre, priren për të provuar ndjenjën e kënaqësisë duke i përdorur të tjerët, madje edhe në mënyrat më perverse. Me kënaqësi i referohemi një ndjesie të përkohshme (që kryesisht lidhet me rrafshin biologjik) dhe knaqësia asesi nuk është sinonim i lumturisë. Çdokush që provon një kënaqësi nuk është medeomos i lumtur, gjë të cilën mund ta shembëllejmë me të shijuarit e një ushqimi të shijshëm gjatë kohës kur mund të jemi të pikëlluar për dikë që na mungon. Politikani, duke vrapuar mbas kënaqësisë e humbet lumturinë e tij, madje, disa nga politikanët barazohen krejtësisht me aktivitetin e tyre, gjë e cila më shumë i bënë të fuksionojnë se sa të jetojnë.

Primitivizmi fëmijëror edhe pse mund të mungojë si emërtim në terminologjinë psikologjike, asesi nuk i mungon personalitetit të politikanit, sidomos në rastet kur ai është shërbëtor i të mëdhenjëve (që e kanë emërtuar lider) dhe mbret i të vegjëlve (popullit që në një apo tjetër mënyrë ia mundëson të jetë lider). I ndodhur në mes të të mëdhenjëve dhe të vegjëlve, ky lloj politikani karakterizohet me primitivizmin fëmijëror që mund ta fsheh para të tjerëve por asesi para vetvetes. Në përballje me të medhenjët ndjehet inferior dhe i vogël, gjë që ia kujton shpërfaqjet e jetës fëmijërore dhe në përballje me të vegjëlit, sado i madh që mund të duket në sytë e tyre, ndjen keqardhje që madhështia  e tij nuk është e atij niveli çfarë përceptohet nga ata.

Këto nuk janë të vetmet veçori psikologjike që e ngjyrosin portretin psikologjik të politikanit, por sadopak japin një imazh deri diku të përceptueshëm. Me këtë “deri diku”, nuk dua, por mund t’i ngjaj politikanit, sepse edhe ai deri diku mund ta përceptojë veten, përndryshe nuk do të ishte i tillë. Fundja, politikani mund të mos jetë i njerëzishëm, por nuk mund të mos jetë njerëzor, sepse dihet se asnjë qenie nuk mund ta zhbëjë thelbin e saj, prandaj çdonjëri nga politikanët, sado që mund të jetë shpërfytyruar nga lakmia dhe mania për pushtet, nëse nuk barazohet tërësisht me aksionin e tij politik, ka mundësi ta gjejë zemrën e tij të humbur, në mënyrë që të mos e përmbyll jetën e tij duke qenë rob i vetë pushtetit  që e ka ushtruar, e ushtron apo mendon ta ushtrojë. E ç’duhet pushtet më i madh kur me buzëqeshjen tënde nuk e gënjen shpirtin tënd dhe sytë e të tjerëve?!

Shkruan: Fatmir Muja

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button