Shtatori i Ginesit

Politika s’është asgjë tjetër, pos mjeshtëri e rrenës në çastin e duhur. Kjo thënie volteriane, të cilën mezi po e lexoja nga pluhuri që këto ditë më ka mbuluar sytë, më duket domethënëse në fundin e shtatorit të Ginesit, që filloi me “branitellat” dhe përfundoi me “shkatrimtellat”. Të parët, qyqet më të zeza në kapërcyell të shekullit XX dhe të këtij fillimshekulli, të dytët, veglat e tyre qorre! Në mes tyre, shqiptarët! Shtatori i Ginesit nuk do të ishte i tillë, nëse ngjarjet e renditura si në shirit filmi, nuk do të ishin absurde.

Fillimi i vitit shkollorë për shqiptarët e Maqedonisë ishte përjashtues, paramendojeni në shek XXI të ua mohojnë shkollimin, vrasësi i dy të rinjëve shqiptarë të Gostivarit nuk nxirret para drejtsisë, paramendojeni përshkak sigurisë në qytetin ku nuk lëviz asgjë përveç të rinjëve të papunë, interpretimi i himnit të shqiptarëve në një institucion arsimorë shqiptar USHT, paramendojeni shqyrtohet mundësia e ngritjes së procedurës gjyqsore, vazhdimi i financimit të projekteve joproduktive, paramendojeni në kohërat kur ekonomia e vendit ndodhet zyrtarisht në recesion, protestat e mjekëve, paramendojeni ndalimin e tyre me aktvendime gjyqsore, deklarimi për të qenë antarë të NATO dhe BE, paramendojeni politikat anti – Bruksel, etj.

Ndodhi absurde në një vend absurd, ku politika është me temperaturë të lartë në çdo stinë. Temperatura e lartë në këtë vend është bërë e padurueshme për njerzit, sidomos për shqiptarët, pasi përfaqsuesit e tyre politik nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet e tyre reale. Politikat paralele të bëjnë të kuptosh se ata janë pjestarë memec në qeveri dhe udheheqës të institucioneve memece.

Memece në Maqedoni është edhe opozita dhe shoqëria civile që nuk drejtojnë gishtin kah e keqja që shkatërron çdo institucion të pavarur, duke u mundësuar pushtetarëve pushtetin ta përshtasin sipas terezisë së vet. Shtatori përfundoi. Shqiptarëve u mbetet të shohin e të mësojnë më shumë për zhvillimet “politike”, “patriotike” e “diplomatike” të “prijësve” të tyre. Shqiptarët duhet të shohin dhe t’ë u japin fund atyreve të cilët mohojnë shkollimin e fëmijëve të tyre, shqiptarët duhet t’a dijnë se kush janë ata të cilët mbrojnë policin vrasës të Gostivarit, shqiptarët duhet të shohin dhe të dinë se kurrnjëherë në historinë e tyre nuk i kanë pasur punët më keq e më zi sesa në këtë shtator, shqiptarët duhet të shohin e të dinë ata që po shkatrrojnë e plaçkitin gjithçka që u vjen doresh e mund ta vjedhin në emër të “shtetit” e të “pushtetit.

Shqiptarët duhet të shohin e të dinë gjithçka që po u punohet pas shpine. E drejtë e shqiptarëve, e garantuar me të gjitha të drejtat ndërkombëtare, është që të vendosin për fatin e vet dhe për fatin e fëmijëve të tyre! Ndoshta pluhuri i objektit që po shkatërrohet në Gostivar, në ditën e zgjedhjeve, përveç syve nuk do ua mbuloj edhe mendjen!

Lajme të ngjashme

Back to top button