Intervistë: Dëshira Imeri, përfaqësuesja e rinisë shqiptare në Kuvend

Një prej deputeteve më të reja në moshë, përfaqësuese e denjë e rinisë dhe bukurisë shqiptare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Vjen nga Gostivare, ka kryer magjistraturën në fushën e shkencave kompjuterike. Portalb u sjell intervistë ekskluzive me deputeten e Bashkimit Demokratik për Integrim, Dëshira Imeri.

Portalb: E lindur në Gostivar, magjistre e shkencave kompjuterike. Na thoni pak më shumë rreth karrierës suaj

D.I.: Jam e lindur në Gostivar, kam studiuar në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore në drejtimin  Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Evropës Juglindore, gjithashtu edhe studimet e Masterit i kam vazhduar po në këtë Universitet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike  drejtimi-Zhvillim i softverave aplikative.  Në fund të studimeve u punësova në ProCredit Bank –Gostivar, andej punova një vit të plotë ne sektorin e përpunimit të të dhënave, më pastaj u punësova ne SHMK “Gostivar” si profesoreshë e lëndës së Informatikes vetëm gjashtë muaj. Punesimi im i rradhës ka qenë në UEJL në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike si këshilltare akademike. Ne UEJL kam punuar deri momentin kur u verifikua mandati im si deputete në Parlamentin e R.M.

Portalb: Si u kyçët në politikë dhe pse zgjodhët pikërisht BDI-në si opsion politik?

D.I.: Që para shumë vitesh  kam qenë anëtare aktive  dhe nënkryetare  e FRBDI-së, dega  Gostivar. Gjatë zgjedhjeve të fundit të parakohshme  parlamentare  dega e Gostivarit me kandiduan si deputete nga po kjo zonë. Pas konfliktit te 2001, krahu i luftës  formoi partinë  politike  të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim, formacion i cili idealet kombëtare  tani më do i shprehnin përmes platformës politike.   Që asaj kohe nuk kam ndryshuar bindjet e mia politike. Gjatë periudhave kohore kur ka qeverisur BDI kanë bërë shumëçka për popullin shqiptar, por nuk duhet harruar që kemi dhe shumeçka për të bërë për të mirën e këtij vendi dhe popullit shqiptar.  

Portalb: Cilët janë ambiciet e juaja politike, do të vazhdoni si deputete apo mendoni për ndonjë funksion tjetër?

D.I.: Ka një periudhë gati njëvjeçare që jam e kyçur ne mënyre aktive  në politikë, dhe mu desht pak kohë për tu ambientuar në Parlament edhe pse unë vija me një bagazh njohurish nga shkencat egzakte, por me kohën gjërat rregullohen . Tani për tani më pëlqen detyra e deputetit dhe nuk kam menduar për ndonjë  funksion tjetër.

Portalb: Jeni e martuar, edhe atë e sapomartuar. Keni menduar për zgjerimin e familjes?

D.I.: Në kohën kur u kandidova  për deputete isha e sapofejuar. Pas zgjedhjeve parlamentare  të vitit  2011, më 4 nëntor kisha dasmën. Bashkeshorti im  quhet Dashmir Saiti, i punësuar në Eurostandar Bank në Gostivar. Sa i perket pyetjes suaj për zgjerim te familjes,  me ndihmën e Zotit shpresojmë që të zgjerojmë familjen sikurse  çdo çift bashkëshortor. Kjo në gërshetim me rolin e deputetit mund të thotë pak më tepër sakrificë, mirëpo mendoj se i dilet mbarë.

Portalb: Shiheni si përfaqësuese dhe shembull i suksesshëm për rininë shqiptare në Maqedoni…

D.I.: Punës asnjëherë nuk i thuhet mjaft. Është vetëm fillimi i ambientimit tim ne parlament, besoj që duhet të jap maksimumin në shtëpinë ligjvënëse dhe të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze edhe të rinjtë edhe popullatën e qytetit prej ku vij unë, Gostivarin.

Portalb: Femrat deri vonë kanë qenë shumë pak të përfaqësuara nëpër institucione. Në këtë përbërje parlamentare numri i femrave është i përlqyeshëm, por jo edhe në institucionet tjera

D.I.: Është e vërtetë që më herët nuk ka pasur përfaqësim të mjaftueshëm të femrave nëpër institucione, por tani gjërat po ndryshojnë.  Ja para disa diteve  deputeti Ljubisav Ivanov Zingo dha dorëheqje dhe mendoj se pas tij do të vie një deputete femër, atëherë arrijmë numrin 40 te deputeteve  në Kuvend që është numër i konsiderueshem. Mirëpo mbetet punë për tu bërë akoma nëpër institucionet tjera, për shembull kandidate për komuna por edhe institucione tjera.

Portalb: Sa keni kohë për jetën private dhe për argëtim pas kyçjes në politikë?

D.I.: Me kycjen time ne politikë  eshte fakte qe mu shtuan edhe me teper obligimet dhe angazhimet,  koha e lire vjen gjithenje  e duke u reduktuar.  Nuk kam shume kohe  te lire per tu argëtuar  me shoqëri, por mendoj që është sakrificë që ia vlen.

Portalb: Sa lexoni dhe cilët janë shkrimtarët dhe veprat që ju kanë lënë përshtypje?

D.I.: Atëherë kur gjej kohë për të pushuar pak më gjatë, prehje gjej duke lexuar romane, edhe pse ndonjëherë  ju kthehem librave të informatikës  dhe profesionit tim.  Përshtypje më kanë lënë veprat e Paulo Cuelhos, Hermann Hesse, do e kisha veçuar “Ujku i stepes”, Jim Marrs- “ Komploti botëror”, Ismail Kadare “Dimri i Madh”, po edhe tjera.

Portalb: Si e shini veten pas 10 vitesh?

D.I.: Vizionet janë të shumta, por dhashtë Zoti e realizohen!  Shpresoj të kem suksese në politike,  mbi të gjitha kam ambicie  të vazhdoj pas masterit dhe studimet e doktoraturës, dhe të jap kontributim tim maksimal si në rrjedhat politike po ashtu edhe në rrjedhat akademike.

Lajme të ngjashme

Back to top button