Reka: Në gjitha komunat shqiptare udhëheqim 3 me 1, në ato maqedonase kemi vota (VIDEO)

Jemi shumë të kënaqur nga rezultati dhe kjo i ka tejkaluar pritshmëritë tona, tha mes tjerash kandidati për president Blerim Reka i shoqëruar në skenë nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami njofton Portalb.mk. Ai tha se deri më tani kanë sigurtë 50 mijë vota ndërsa pret 80 mijë, duke e vlerësuar procesin si të drejtë dhe demokratik.

LEXO: Rezultatet e numërimit të votave nga KSHZ deri në orën 21 e 15, ja si kanë votuar qytetarët (FOTO)

“Në të gjitha komunat shqiptare udhëheqin 3 me 1 ndaj kandidatit të dytë, ndërsa në të gjitha komunat maqedonase kemi marrë vota. Kjo është për t’u shënuar sepse koncepti ynë “Me Republikën”, me ligjin mbi të gjithë është koncept universal për të cilin do të votojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim fe, kombi bile dhe partiake. Vota për mua në komunat maqedonase më jep shpresë se vendi ynë do të jetë shtet i të gjithëve. Rreth 80 mijë vota janë korpus politik i ndryshimeve në Maqedoni i cili më nuk mund të injorohet, këto vota deligjitimuan politikat e mëparshme jo vetëm të partive shqiptare në pushtet por edhe të atyre maqedonase. Ky korpus është një pranverë e re politike në zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen shpejtë. Iu uroj suksese dy kandidatëve që shkojnë në rrethin e dytë” tha Reka.

Ai tha se është skeptik se do të arrihet censusi prej 40% në rrethin e dytë votues duke e pasur parasysh sa vështirë u arrit tani.

“Ne nuk kemi realisht 1.8 milion votues por diku 1.5 andaj sot nuk kishim dalje në votime sepse nuk kemi njerëz në shtet, dhe do të kemi ende më pak zgjedhjet tjera” tha mes tjerash Reka.

Ai tha se nuk do të ketë pazar me votat e tij dhe se në rundin e dytë secili të votojë si të dojë dhe se nuk do t’i thotë askujt për kë të votojë në rrethin e dytë.

Ziadin Sela: Shqiptarët e dhanë mesazhin e qartë, dëshmuan se janë të pakënaqur

“Votat ishin mesazh për pushtetin. Sot shihen gjurmët e shtetit të zbrazur si pasojë e mungesës së shtetit të së drejtës, mungesës së zhvillimit ekonomik, si pasojë e zhgënjimit të thellë të banorëve. Partitë në pushtet kanë pësura humbje nga ana e konceptit të profesor Rekës dhe humbja është 3 me 1. U pa qartë që ideja e oponentëve tanë ishte e rrejshme dhe nuk kishte të bëjë aspak me konceptin e konsensualitetit por me përkrahjen dhe shërbimin që u dashtë t’ia bëjnë partisë që kishte kandidat ” tha mes tjerash Sela.

Ai tha se Aleanca për Shqiptarët nuk do të bëjë pazar me votat e votuesve të tyre dhe se janë kundër “aksham pazarëve” për rrethin e dytë votues.

Bilall Kasami: Shqiptarët treguan se nuk janë të kënaqur me pushtetin

“Jemi të kënaqur me rezultatin zgjedhor sepse shqiptarët duhe zgjedhur këtë koncept treguan se e duan ndryshimin ashtu siç ndodhi ndryshimi në kampin politik maqedonas. Nëse kryeministri do të vazhdojë ti mbrojë kriminelët vetëm pse i shërbejnë atij, ai duhet ta dijë se ata do ta tërheqin në greminë ku janë futur moti. Andaj, mesazhi ishte i qartë se ka votuar për konceptin e republikës të profesorit Reka “tha mes tjerash Kasami.

Edhe partia Lëvizja Besa tha se në rundin e dytë të zgjedhjeve nuk do të bëjnë pazare dhe se banorët do të votojnë siç dëshirojnë.

ORA 19- Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, nga shtabi i kandidatit për president Blerim Reka në konferencë për media shprehën shqetësim për numrin e ulët të daljes së votuesve në këto zgjedhje presidenciale, transmeton Portalb.mk.

“Na shqetëson fakti për numrin e vogël të votuesve në nivelin republikan sepse kjo dalje e ulët mund të jetë indikator për brengat që kemi ngritur që në fillim të fushatës, lidhur me mospastrimin e listave, gjithashtu edhe duke pasur parasysh se çereku i popullsisë në Republikën e Maqedonisë më nuk është këtu prezent. Në përgjithësi procesi ka qenë tepër i qetë, mirëpo në ditët në vijim kur do t’i kemi të dhënat zyrtare do t’i tregojmë parregullsitë zgjedhore”, tha Vlera Gjakova,  përfaqësuesja e shtabit zgjedhor të Blerim Rekës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button