21

Kur ndokush është i lodhur nga jeta në ditëlindjen e tij të 21-të, ajo tregon se se ai është më tepër i lodhur nga diçka në veten e tij.

Francis Scott Fitzgerald

Ky nuk është shkrim për kafenenë kulte të rinisë sonë “21” (njëzet e një), në Çarshinë e vjetër të Shkupit. E as fjalë për F.S. Fitzgerald i cili konsiderohet si pjesë e grupit të a.sh. “Gjenerata e humbur”. Ndërsa ajo gjeneratë te ne, do ishin njerëzit, të cilët atëherë kishim përafërsisht aq vite, sa ka tash ky shtet i yni. Shumica e atyre nga ne, të cilët shkonin në “21” dhe që kishim lexuar diçka nga F.S. Fitzgerald, ikën nga këtu, por ja që ka edhe prej të këtillëve, që kemi mbetur.

Kjo s’është asnjëra nga këto, por është vetëm përkujtim i krijimit, pikërisht para 21 viteve, të këtij shtetit tonë të tanishëm. Por, çdo përkujtim mban në vete edhe një shënim personal, të cilin, për taksirat, do të duhet ta lexoni. Ashtu siç e ka taksirat, çdokush që do ta përkujtojë faktin se shqiptarët nuk votuan në referendumin për pavarësi, të përkujtohet për atë se pse ata atëherë nuk e bënë këtë gjë: Nuk besonin në pavarësi, të dalë nga një pyetje e referendumit me kuptim të dyfishtë. Politikisht artikulonin se dëshirojnë pavarësi të plotë dhe pyetje të njëkuptimshme dhe akoma nuk kishin lexuar asnjë anekdotë nga Itar Pejo. Pastaj edhe Kiro Gligorov vdiq, pa na shpjeguar se çka krejt kishte folur me Milosheviqin në takimin e famshëm të Ohrit.

Shënimi im personal fillon tri vite më pas, në vitin 1994, derisa isha në fakultet në Turqi. Atje një profesor i egzegezës dhe hermeneutikës, na mësonte se gjëja më e keqe, madje më e keqe se sundimi i padrejtë, është anarkia dhe mosekzistimi i shtetit. Ai nxirrte çfarëdolloj argumentesh për të na bindur në këtë; nga ato fetare, juridike, deri te ato logjike dhe sociale. Në fund, për të arritur deri te poenta, i pyeti të gjithë: a keni jetuar ndonjëherë në gjendje pa shtet? Heshtja mbizotëroi, për të treguar se cila është përqindja e atyre të cilët veç më ishin bindur. Absolute. Përveç meje, i cili ngrita dorën dhe mora fjalën:
Në vitin 1991, në dhjetor, veç më ishim një shtet tremuajsh. ANJ kishte vendosur se do të pranohen vetëm katër fakultete, të tjerët do të duhet të shkojnë në luftë, edhe pse janë studentë të rregullt. Unë, duke mos qenë i informuar për këtë, personalisht solla vërtetim në Shkup nga fakulteti i Sarajevës, ku po vijoja studimet dhe veç më i kisha kaluar kolokviumet e vitit të parë. Ma morën atë vërtetim dhe më dhanë një biletë dhe disa të holla me një postë të caktuar  ushtarake, më duket se ishte Kraleva! Unë vendosa, prapëseprapë, të kthehem në Sarajevë, ku kisha obligime shkollore nga më të rregulltat, me qëllim që, në qoftë se nuk rregullohet, prej aty të nisem diku në botë. Ashtu sikur edhe bënë shumë qytetarë të Maqedonisë, të cilët atë vit të parë, u larguan nga këtu shkaku i një telashi banal: të ikësh nga vendi yt, që të mos të marrin në armatë të huaj! 

I shpjegoja profesorit se si gjatë zbritjes nga aeroplani në Sarajevë, ikja nga policia ushtarake e një shteti krejtësisht të tretë, duke shkuar nga Maqedonia në Bosnje dhe Hercegovinë. Me autobus nuk mundesha të shkoj pasi që duhej të kaloja nëpërmjet dy apo tre Serbive (merreni me mend, atëherë edhe Kosova shquheshe si Serbi).

Pasi më dëgjoi, heshtja tani kaloi tek profesori. Më erdhi keq, sepse, ai, Bedrettin Çetiner, ishte një ndër profesorët e mi më të mirë. Njeri i mençur, gjeni. Ne, atë vit (1994) ishim mes studentëve të parë të huaj të atij fakulteti në Stamboll. Të gjithë profesorët ende flisnin, duke mos na patur parasysh neve, të huajve.

Pikërisht ky shënim personal dhe citati i Fitzgerald-it më shtyjnë të mendoj se pikërisht në “mospasjen parasysh” përbëhet lodhja e Maqedonisë nga diçka që ka në vete. Edhe pasi që, ja, i mbushi njëzet e një vjet. Moshë e cila, sipas disa rregullave amerikane, sipas të cilave shpjegohet edhe citati i lartpërmendur, arrihet mosha madhore. Edhe pse për të votuar, si dhe për shumë gjëra tjera bëhesh madhor në moshën 18 vjeçe, atje në SHBA, vetëm pasi të ketë mbushur 21 vjet, qytetari gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë. 

Kështu, Maqedonia në moshën e saj 21-vjeçe, veç më, duhet t’i ketë parasysh shqiptarët. Ky është një muhabet, i gjerë e i gjatë, të cilin sigurisht, nuk mund që vetëm unë dhe vetëm kaq shkurt, ta artikuloj. Maqedonasit, për shkak të Maqedonisë duhet t’i kenë parasysh shqiptarët. Edhe shqiptarët në Maqedoni duhet që, në mënyrë të qartë, madje edhe në gjuhën maqedonase, të sqarohen në lidhje me Maqedoninë, ndërsa shqiptarët, kudo që janë, të fillojnë t’i bëjnë hesap maqedonasit. Në të gjitha gjuhët  dhe poashtu, për Maqedoninë. Ajo që shqiptarët janë lloj endemik fqinjë të Maqedonisë, të cilët assesi, ja, nuk dëshirojnë ta ndajnë Maqedoninë, duhet që në mënyrë të qartë ta theksojnë: duke ndarë përgjegjësi për Maqedoninë. Edhe para botës, por edhe, ç’është më me rëndësi, për Maqedoninë, para të gjithë fqinjëve të tjerë.  

Fokus, 13 09 2012
© PortAlb (përkthimi në shqip) 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button