MARKUZE DHE ‘AMAN’

Nesër për herë të katërt  me radhë do të mbahen protestat kundër shtrenjtimeve të organizuara nga lëvizja joformale AMAN e cila mundohet të mobilizoj sa më tepër qytetarë rreth kauzës së saj, e cila në të njëjtën kohë është edhe kauzë e përbashkët dhe e përgjithshme , e ajo është të ndërpritet shtypja ekonomike dhe varfërimi i qytetarëve të Maqedonisë. Kam qenë pjesëmarrës në tre protestat e para, do jem prezent edhe nesër, edhe të martën e ardhshme, edhe të martën pas saj, meqë i përkrah këto protesta dhe ndjehem si pjesë e tyre. 

Ajo që pak më habiti nga protesta e parë, ishte ajo që organizatorët që në fillim theksuan se “këta nuk janë protesta politike” dhe “nuk protestojmë kundër Qeverisë”. Të njëjtat fjalë u përsëritën disa herë edhe në dy protestat tjera të radhës. I them vetvetes nëse nuk janë protesta politike, atëherë çka janë?  Çfarë është gjithë kjo rini me aq neutralitet dhe depolitizim? Përse ajo frikë që politikisht të artikulohet një protestë dhe një kauzë? Nëse pajtohemi me Aristotelin se njeriu është ‘kafshë politike’ (zoon-politikon) atëherë rrjedhimisht çdo aktivitet shoqëror është aktivitet politik. 

E para, nëse nisemi nga kjo pikë, atëherë nuk e shohë të nevojshme të përsëritet diçka që nuk është, dhe se është normale të jetë ashtu. Thjesht protestat politike nuk janë vetëm protestat e organizuara vetëm nga partitë politike. Protesta politike janë edhe ato të Green Peace, Occupy Wall-Street, të minatorëve në Spanjë, etj, Edhe protestat tona janë protesta politike, kanë filozofinë e vetë, dhe nuk duhet të mbrohemi apo mbyllemi për shkak të kësaj. Nuk ka asgjë të keqe, dhe të pandershme. Ajo që është e keqe, dhe e pandershme është vjedhja sistematike që ju ndodh qytetarëve nga ana e institucioneve të shtetit e cila mbron vjedhjen e korrporatave, dhe jo atë të qytetarëve. 

E dyta, nëse nuk protestojmë kundër Qeverisë, kundër kujt të protestojmë? Kundër komisionit rregullator? Po i kujt është komisioni rregullator? Po, e zgjedh Parlamenti, por e kontrollon Qeveria. Besoj nuk jemi aq naivë të mendojmë se me të vërtet është organ i pavarur.  Nuk duhet të mërzitemi se çka do thotë Qeveria nëse  themi se protestojmë kudër saj. Gruevski e tregoi se çka mendon për AMAN dhe për protestat. 

Herbert Markuze? Pse? Ata që kanë lexuar për të, apo kanë lexuar veprat e tij e dijnë se ai ka qenë ide – udhëzues, inspirim filozofik, dhe ideolog i shumë lëvizjeve sociale dhe shoqërore në vitet e 60-ta të shekullit të 20-të, në SHBA dhe në Evropë. Për dallim nga kolegët e tij profesorë universitarë dhe intelektualë, si pjesë e shkollës së Frankfurtit, të cilët zgjodhën të jenë konformistë dhe të depolitizuar, ai zgjodhi të kundërtën, të konfrontohet me politikën e atëhershme. Veprat e tij si “Mendje dhe revolucion”, “Eros dhe civilizimi”, “Njeriu njëdimensional”, “Ese për liri” dhe të tjera e definojnë impulsin politik të asaj kohe. Jeta dhe koncepti i tij i pikëpamjeve shoqërore, ekonomike, politike dhe filozofike, do t’ia vendojnë, në qarqet shoqërore, titullin “filozofi revolucionar”. 

E tani çfarë lidhje ka Herbert Markuze me “AMAN”? Tani për tani, kurrfarë. Por, pikërisht për shkak të asaj se nuk ka, e ne nuk kemi Markuze tonë, konsideroj se kjo lidhje duhet të vendoset me atë Markuze të 60-ve të shekullit të 20-të. Neve, në orvatje që të hiqemi nga njëdimensionaliteti, dhe konformizmi në të cilin fundosemi.

Konsideroj se gabojmë që aktivitetet që i marrim në prizmin e “tolerancës së pastër dhe neutralitetit”, e me këtë, siç thekson Markuze “e përforcojmë sistemin dhe e kufizojmë lirinë personale”. E përforcuam atë sistem të njëjtë i cili na plaçkit, atë të njëjtin kundër kujt protestojmë. Aq më shumë, nëse vazhdojmë të lëvizim deri te “toleranca e pastër dhe neutraliteti” si filozofi e veprimit, në kohë kur mainstrem mediumet janë nën kontroll të pushtetit dhe forcave konservative të korporatave, vetë ne ndihmojmë në imunizimin e qytetarëve nga mendimi opozitar dhe të vepruarit.

Mendoj se gabojmë me atë që thërrasim në protesta paqësore kundër shtrenjtimeve, kur në dukje është njëfarë lloj “lufte” e imponuar nga vet institucionet e shtetit ndaj qytetarëve, duke i shkaktuar padrejtësi, duke i harxhuar ekonomikisht, e me këtë i varfëron dhe i degradon. Edhe pas kësaj, ende do të jemi tolerantë dhe neutralë? Ka të drejtë një i afërmi i imi i cili më thotë “Do të vijë në ato protesta atëherë kur do të vendosni të shtyni dhe rrokullsini të paktën një kontejner në rrugë”.

Unë nuk dua të shndërrohem në “Flaschenpost” – gjegjësisht të jem ai që do të lë porosi për ardhmërinë në ndonjë shishe të cilën do ta lëshojë në deti me shpresë se një ditë, dikush, diku do ta gjejë dhe do ta lexojë. Dua të ndikojë në ndryshimet që sot!

Ndoshta këtë tekst dikush do ta interpretojë vetëm si teorizim, dhe pjesërisht do të ketë të drejtë. Por, ne si AMAN, gabojmë me atë që mendojmë se duke i përsëritur të njëjtat metoda të veprimit, si në disa aktivitete të ngjashme paraprake, do të fitojmë rezultate të ndryshme. Andaj, konsideroj se vlen të orvatemi që të përdorim një pjesë të asaj “filozofie revolucionare” të Markuze-s. Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet obligimi ynë. Ama(n) rezistenca e duhur! /Portalb

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button