Drita e përbashkët

Pritëm, nuk erdhën. Hapëm
dritaret, u bëmë vesh për zërat
ditën dhe natën, shqyrtuam një nga një
fytyrat e lodhura që zbritën në stacion,
dylbinë e kurdisëm për njollat në horizont:
pritëm, zemërthyer, bile edhe pasi kuptuam 
se nuk do vinin.

Nuk kaluan ditët me ndonjë ekstravagancë këtu:
Momentet e zakonshme, sade, të qeta i shkonin pas
momenteve të zakonshme, sade, të shqetësuara: Nuk pati
stuhi të mëdha, ashtu magji të mëdha 
nuk u ndreqën apo prishën në këtë verë: mall si gjithnjë
pashkak, falli i shastisur i fëmijëve, 
pak, sa për pushime fjalë për kasabanë,
me pak biseda pa kokë e krye, iknin tej fletët e kalendarit.
Sytë i kishim andej ka rruga, nuk erdhën.

U tërhoqëm nëpër dhoma poezi lexuam 
në vete: Seferis dhe Montale,
vargje përplot Mesdhe, krejt nga gabzherri.
Ashtu kot dilnim për ecje
mbrëmjeve, ashtu kot heshtnim përnjëherë
sikur kishim kapur ndonjë kuptim të rrallë,
dolëm një dit në fshatrat e malësisë
dëgjuam rrëfimin 
për bijtë e qylaxhiut, me një grua të harruar 
folëm një ditë tjetër, më pas mrekullitë 
u renditën njëra pas tjetrës: Një petrit 
gjatë kohë e shikuam, parë nga syri i gjahut,
një përrua lëshuam në mes sezonit të zhegut,
duke e fikur një zjarr 
një tjetër kishim ndezur:ashtu kot 
mund të vinit, ju pritëm.

Tryeza ishte gati: purslane dhe hudhër
Trumzë të mbledhur nga duart tona, fik,
nane: ishim të gatshëm të vazhdojmë telashin
dhe entuziazmin, prej aty ku e lamë.
Si kaloi e kaluara dhe si 
do vijë e ardhmja do pyetnim.
Nuk pushonte dhimbja pa i qëndruar mbi kokë,
nuk çahej kjo mjegull e dendur
pa mos e kapur, rrënjësisht, një dritë të përbashkët,
do ishim brenda frikës që kemi brenda vetes:
pritëm, nuk erdhët.

Mungonte diçka me rëndësi, kthimi
kur filloi, s’mbyllëm dot valixhen. U kthyem
shikuam sërish dhomat, kërkuam
në gurët e shtëpisë dhe në hajat: Nuk kuptuam çka ishte ajo 
që kishim humbur. Ndoshta qe një gjysmë ndjenjë,
ndoshta një ëndërr me sy hapur që vazhdon,
ndoshta një zjarr që ushqenim në vete, por që
te tjetri ishte i fikur,
ndonjë që i kishim vajtur afër e nuk e kishim parë:
ju pritëm, të vinit…

Enis Batur është poet turk, në shqip e ka të botuar romanin “Molla” 

Përktheu: Ramadan Ramadani

Lajme të ngjashme

Back to top button