Saraçini viziton Dibrën, prezanton Strategjinë e re për përkrahjen e turizmit alternativ

Ministri i ekonomisë Valon Saraçini sot vizitoi komunën e Dibrës, me ç’ rast zhvilloi takim me kryetarin e komunës Argëtim Fida. Saraçini pas takimit me Fidën deklaroi se zhvillimi ekonomik nuk është i mundur pa alokimin e barabartë të kapitalit dhe aktiviteteve ekonomike në tërë territorin e Maqedonisë.

“Ministria e ekonomisë dhe unë personalisht maksimalisht respektojmë këtë princip dhe pikërisht për këtë qëllim takoj përfaqësues të biznesit nga të gjitha rajonet dhe me ta ndërtojmë raporte partneriteti”, tha Saraçini.

Gjatë takimit me kryetarin Fida dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit hapur biseduam për gjendjen në komunë si dhe për mundësitë e zgjërimit të bashkëpunimit dhe përforcimin e partneritetit përmes projekteve të përbashkëta.

‘Me kënaqësi mund të konstatoj se Dibra është shembulli më i mirë ku resurset natyrore janë shndërruar në biznes real. Sot kisha takim me menaxhmentin e fabrikës Knauf-Radika, një investim i huaj i cili funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme, dhe implementon standardet më të larta europiane’ tha Saraçini.

Saraçini tha se Dibra ka mundësi të shkëlqyeshme për zhvillimin e mëtejmë ekonomik përmes turizmit të Banjave dhe bukurive natyrore që e karakterizojnë këtë rajon, duke shtuar se ‘Banjat e Dibrës-Capa’ është një shembull për biznes-storje të suksesshme, pasi që është një ndër banjat e para që u privatizua dhe punon me kapacitet të plotë.

‘Ministria e ekonomisë kan përpiluar Strategjinë për zhvillimin e turizmit alternativ dhe përmes bisedave me biznesmenët do të vendosim për format e përkrahjes shtesë me qëllim të promovimit të këtyre kapaciteteve dhe tërheqjes së një numri sa më të madh turistësh. Gjithashtu po përpilojmë projekte për zhvillimin e SPA turizmit’, deklaroi Saraçini.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button