Kur kolumnet e Teutës, lexoheshin me kënaqësi!

Një grua në politikë nga të rrallat  që kishin marrë guximin t’i futen lojërave të pista të politikës ballkanike, ku sipas një rregull? të pashkruar, vetëm fjala e burrit politikan mund të ketë peshë. Vendim i guximshëm i një gruaje shqiptare e cila diku para dhjetë viteve vendosi që të t’i hyjë politikës me të gjitha rreziqet e mundshme dhe të ulet në një tavolinë me burrat e djemtë muskulor që kishin luftuar në emër të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, po? që me përfundimin e luftës vendosën të drejtojnë edhe të drejtat politike që u takojnë shqiptarëve në Maqedoni. I gëzoi të gjithë ardhja në skenën politike e një shqiptare- grua intelektuale me tituj të lartë shkencorë, në veçanti lumturoi gratë të cilat mburreshin në atë kohë me intelektualizmin e zv/kryeministres aktuale, zonjës Teuta Arifi. Madje, shumica prisnin nga ajo freski në politikë, qasje tjera politike nga ato të njohura dhe bajate të disa burrave politikanë që rrihnin gjoks e nuk bënin gjë prej gjëje. 

Lexoheshin me kënaqësi kolumnet e saj dhe dëgjohej shpesh nëpër ndeja e muhabete fjala: Bravo për Teutën. Ishte nga të rrallat që përmes shkrimeve kritikonte kryeministrin e vendit dhe sërish shqiptarët thoshin: Hallall i qoftë Teutës! Nuk duhet harruar guximi i saj kur përmes mediave diku kah viti 2008-09, kur kërcënohej duke thënë se BDI-ja do të zgjedh popullin e jo Gruevskin, nëse për shqiptarët nuk realizohen këto apo ato të drejta, të cilat edhe pa kërcënimet e Teutës shqiptarëve u takojnë duke përbërë gati 40 % e popullatës në Maqedoni. Mbase për këto të drejta e bëri luftën lideri i Teutës, Ali Ahmeti.

Dhe deri këtu gjithçka shkonte mirë për Teutën. Shqiptarët vazhdonin ta admironin guximin dhe intelektualizmin e saj, derisa erdhi dita (ditë e ardhur më moti) kur shqiptarët filluan ta kuptojnë se kolumnet e Teuta Arifit në gazetën maqedonase ‘Dnevnik’, nuk të sjellin asnjë dobi. Se kërcënimet e saja për braktisje të Qeverisë përmes TV Alsatit, nuk realizojnë të drejtat politike-ekonomike të shqiptarëve. Shqiptarët e kuptuan se intelektualizmi i saj së bashku me doktorllëkun e saj për gjuhësinë (shqipe), nuk u solli shqiptarëve Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, ata ende vazhdojnë të detyrohen të flasin maqedonisht në sportelet e institucioneve të vendit me të cilat qeverisë edhe BDI-ja e Teuta Arifit. Shqiptarët në Maqedoni, me gjithë të “bëmat” gjegjësisht të pabërat  e Teutës dhe partisë së saj, vazhdojnë të jetojnë në mjerim ekonomik e politik.

Ajo që arrin kulmin e befasisë është heshtja e Teutës në këto momente kur partia e saj dhe partneri i koalicionit krijuan krizën politike qeveritare, dhe në kohë kur i gjithë opinioni është bërë sy e veshë për të kuptuar diç më shumë se cili do të jetë epilogu i skenarit të përgatitur mes Ali Ahmetit dhe Gruevskit, zv/kryeministrja për integrimin e vendit hesht. Zonja ministreshë vazhdon të heshtë, atëherë kur më së shumti duhet të dëgjohet zëri i saj dhe edhe njëherë tu jep përgjigje të gjithë atyre që e përkrahën dhe e votuan, se ku vallë do të integrohet Maqedonia, në perëndim apo në lindje?! Kjo është më e pakta që duhet ta bëjë zonja ministresh, Teuta Arifi.

Shqiptarët/et tanimë e kanë kuptuar se Teuta Arifi, deklaratat dhe shkrimet e saja i paska patur vetëm kamuflim politik dhe rrena të pastra, të thëna nga një gjuhëtare intelektuale. Tanimë të gjithë e mësuan, e në veçanti gratë shqiptare, se paskan gabuar që krenoheshin me të dhe i bënin Bravo sa herë që paraqitej në TV, sepse ajo tanimë është shndërruar në një burrë politikan interesxhi. Ajo harroi hallet e problemet për të cilat  shumë gra shpresuan dhe i besonin fjalëve të Teutës, se me pozitën që ka në hierarkinë e lartë të shoqërisë, dhe partia e saj (BDI) e e cila po udhëheq me strukturat shtetërore (kjo madje vetëm nga aspekti formal) qysh do qoftë, nëse jo t’i zgjidh tërësisht të paktën t’i zvogëlojë për nga numri.

Por, kjo nuk ndodhi kurrë. Teuta dhe partia e saj sikur u harruan në luksin dhe pasionet e Qeverisë, ani pse në dëm të popullit. Bile, krijohet përshtypja se Teuta ka harruar gjenezën e saj prej femre shqiptare.

Askush, zaten nuk ka pritur mrekullira nga Ju, Teuta Arifi, dhe nga partia juaj. Por, meqë ju të BDI-së si pjesë e elitës shoqërore-politike ku sillen dhe miratohen ligje për Ju dhe për popullin, dhe pasi që Ju dhe shokët e tu të partisë (BDI) jeni aty ku përpilohet e ndryshohet buxheti i shtetit, buxhet ky i mbushur nga taksat-paratë tona (të popullit), është kërkuar dhe jemi lutur që nga ky buxhet të ndahet pak më shumë edhe për ne(popullin shqiptar tuajin), e jo si deri tani vetëm nja 2-3%. Pra  do të bëhej shumë mirë dhe do i gëzoheshim arritjeve tuaja në rast se do të ishin ndarë pak më shumë nga paratë tona për rrugët ku ne jetojmë e të cilat janë plot gropa dhe pa ndriçimin publik, për spitalet dhe entet tjera shëndetësore publike që janë në mjerim, për shkollat publike ku na mësojnë fëmijët, si dhe për nevoja tjera që sadopak do ta kishin përmirësuar mirëqenien tonë. Sa për paga më të larta, tani për tani edhe mund t’ju mirëkuptojmë dhe të presim kohë më të mira, se edhe ashtu pagat tona (për ata pak shqiptarë që kanë arritur të gjejnë vend pune) po realizohen me borxhe të shumta e që sërish në një të ardhme, po nga paratë e popullit, duhet të kthehen borxhet e shtetit.

Mbase për këto punë edhe jeni zgjedhur nga populli juaj.

Meqë ra fjala, ju dhe partia juaj, kur të doni dhe si të doni mund të vendosni, se vallë do rrini me popullin, apo me … Gruevskin? Seç bie ndërmend krejt rastësisht një deklaratë e tillë që ju shumë vite më parë e patët dhënë për mediat. Megjithatë se dyshohet se ju nuk do e tradhtoni edhe njëherë popullin i cili ju votoi, nëse nuk gabojmë edhe kjo sikur u tha para do kohe nga një bashkëpartiak i juaji, mbase të jetë Musai ose ndonjë tjetër. Nuk ka rëndësi edhe aq emri, është e rëndësishme të mbahen premtimet! Shpresojmë shumë se të paktën njëherë do u qëndroni besnik premtimeve tuaja.

Por u harrua Teuta dhe partia e saj (BDI) në labirintet e tenderëve të kurdisur, duke i harruar në tërësi obligimet dhe detyrat që kanë karshi popullit. Ata krejt kanë harruar se duhet të jenë më afër popullit, të takohen me ta e të dëgjojnë hallet e tyre, ndonjëherë edhe  të marrin mendimet e tyre për ndonjë çështje në interes të tyre. Por, kjo në rastin konkret (BDI), mbetet mision i pamundur. Kjo gjendje është kështu pasi duhet të jenë shumë “të zënë me punët dhe udhëtimet politike në drejtim të  euro-integrimeve”, ani pse të izoluara si asnjëherë më parë, po mbase një ditë apo njëherë nëse jo euro-integrimet, na presim të tjera integrime. Kushedi se çfarë integrime! Ecjet tuaja nëpër botë, mund ta marrim me mend, se mund t’ju japin shumë lodhje, mundim, harxhim energjie, sakrificë në kohën që ju duhet ndarë për ekskursionet politike, duke sakrifikuar kështu kohën për familjen tuaj! Por derisa sa të shëtiteni andej-këndej nëpër botë, bëni diçka edhe për popullin dhe mos harroni se shpenzimet e këtyre udhëtimeve mbulohen nga taksat tona, kinse për hir të punëve shtetërore dhe të “integrimeve”.

Madje populli fisnik shqiptar dhe xhentil, mund t’ju urojë edhe shumë udhëtime tjera, mjafton që Ju dhe shokët Tuaj të politikës shtetërore, të na integroni aty ku na keni dhënë fjalën se do na integroni. 

JU E MBANI FJALËN!

Por, kini kujdes që këto integrime të jenë aty ku keni premtuar disa vite me radhë e jo integrime tjera (kushedi… ndoshta Kina, ndoshta Rusia, ndoshta ndonjë shtet tjetër). Thjesht, integrime të tilla nuk na keni premtuar dhe për to as populli nuk ju ka votuar.
Zonja ministre dhe partia e saj (BDI), gjithashtu jo më larg se para një viti bërtisnin e klithnin SË BASHKU DREJT QËLLIMIT! Po së bashku, z. Teuta, po kah cili Qëllim! Kjo fjalë sikur ka filluar të na frikësojë. Kemi frikë mos të jetë ky Qëllim i momentit, sa për të marrë e blerë votën e këtij populli, e pastaj Ju dhe shokët e tuaj që po na përfaqësoni në shtet, t’i realizoni Qëllimet e juaja, e pjesa e parë e motos “SË BASHKU” të harrohet fare. Sepse, jo së bashku po shëtisim e udhëtojmë nga taksat tona – të popullit kuptohet, jo së bashku po ndajmë standardin e njëjtë jetësor, jo së bashku po bëjmë pazar për nevojat e shtëpisë… ju në vende ku populli as nuk di si shkohet, ndërsa populli vetëm ku mund të gjejmë diçka lirë e më lirë, pa bërë hesap kualitetin e ushqimeve që blejmë e konsumojmë. Ju dhe të tjerët si ju, veshmbathjen e siguroni nga firma me reputacion e kualitet të lartë, e populli në tregun e Shuto Orizares, i njohur në popull si “Shutka Siti”. Ju sigurisht as nuk e keni idenë ku ndodhet ky treg, mbase nuk keni nevojë për veshmbathje të pa firmosur dhe me kualitet të dyshimtë. Për këto tregje është populli!

Bile, dallimet mes Jush dhe popullit në aspekt të ekonomive familjare janë si toka me qiellin.  Jo SË BASHKU mësojnë fëmijët tuaj dhe fëmijët e qytetarëve të rëndomtë. Fëmijët Tuaj sigurisht se shkojnë në shkolla ku duhet dhënë shumë para, aq sa qytetarët të cilët përafqësoni nuk mund t’i ëndërrojnë as në ëndrrat më të bukura. Deri sa ju kinse po punoni për euro-integrimet, fëmijët shqiptarë duhet edhe më tutje të mësojnë në shkolla, ndërtesat e të cilave mund të jenë çdo gjë tjetër por jo edhe shkolla, pa ulëse dhe tavolina adekuate për moshën e fëmijëve, pa tualete dhe salla sportive, pa ngrohje e disa nga këto shkolla edhe me xhama të thyer. Sa për kompjuterë e gjëra tjera të teknologjisë moderne, as që guxojmë të mendojmë, të gjorët fëmijë shqiptarë. S’ka dert, mjafton që ju edhe më tutje të udhëtoni nëpër botë në emër të integrimeve të vendit gjithnjë e më shumë të izoluar, ndërkaq që fëmijët tuaj rehatshëm dhe në kushte shumë të mira të shkollohen, dhe sigurisht të shkojnë edhe në aktivitete tjera si sporte të ndryshme, aktivitete për mësim të veglave muzikore, aktivitete këto që kërkojnë gjithashtu para, e që popullit i  mungojnë pa masë.

Por, mos harroni se ka filluar të mungojë edhe besimi në emër të të cilit thirreni ju pa ndërprerë.

Përfundimi i kësaj sipas jush dhe partisë tuaj sigurisht se mund të jetë ky: nuk ka faj askush nga partia e BDI-së,  që nuk mundeni, nuk dini ose nuk doni t’i zgjidhni problemet më elementare për arsimin cilësor të fëmijëve tanë. Ka faj fëmija i vogël që nuk di gjuhën maqedonase dhe nuk është lindur  si maqedonas? Sepse vetëm si i tillë do t’i kishte gëzuar të gjitha të drejtat. Madje, sigurisht ju dhe partia juaj përkrahët pa hezitim projektin e partnerit tuaj në qeveri për mësimin e integruar që kishte për qëllim mësimin e maqedonishtes nga fëmijët shqiptar por jo edhe anasjelltas, sepse ky ishte QËLLIMI i këtij  projekti, natyrisht edhe i QËLLIMIT të motos tuaj në zgjedhjet e fundit.

E nderuara zv/kryeministre për integrime, shqiptarët kanë  edhe shumë halle dhe probleme tjera, por duke mos dashur tua rëndojmë agjendën e prioriteteve tuaja dhe të bashkëpartiakëve tuaj, kërkojmë dhe shpresojmë se më në fund pas shumë viteve qëndrim fiktiv në Qeveri, të jeni më aktiv në realizimin e premtimeve që dhatë e të filloni të bëni diçka konkrete për një status më të mirë të qytetarëve që ju besuan.

Është koha që më në fund të bëni ndonjë punë sado të vogël e të zgjidhni ndonjë nga problemet e shumta që kanë shqiptarët e Maqedonisë, sepse vetëm kështu mund ta arsyetoni besimin dhe legjitimitetin që ua dha populli, e që Ju dhe ata të partisë Tuaj e përsëritni në çdo paraqitje në mediat e vendit, media të cilat gjithashtu ballafaqohen me shumë probleme qoftë nga presionet që ia bën politika qoftë edhe probleme të natyrës ligjore, e për të cilat Ju vetë u zotuat se do kontribuoni për tu dalë në ndihmë atyre, përmes disa ndryshimeve ligjore, por që në fund rezultoi me një ligj ku mediat sërish do të gjobiten rëndë nëse marrin guximin të kritikojnë (mos)punën e qeveritarëve. JU E MBANI FJALËN!

E nderuara zonja ministreshë Teuta, këto janë vetëm një pjesë e problemeve të popullit shqiptar. Ju edhe mund të mos i ndërpritni udhëtimet e shumta, por paralelisht filloni e punoni diçka më të rëndësishme për mirëqenien qytetare. Mbase për këtë jeni aty dhe po realizoni, si udhëtimet ashtu edhe pagat e majme mujore nga paratë tona (të popullit tuaj).

Sa shumë u pëlqye buzëqeshja Juaj diku para dhjetë viteve kur ju filluat rrugëtimin në politikë. Shpresuan shqiptarët/et shumë se kjo buzëqeshje do të sjellë freski, inteligjencë, kulturë e së bashku me to edhe mirëqenie. Madje buzëqeshja juaj edhe më tutje në mënyrë konstante po qëndron në fytyrën tuaj, por populli juaj assesi të mund të qeshë se nuk po e lënë problemet e  telashet e shumta. Fytyrat e shqiptarëve të rëndomtë janë përplot trishtime si rezultat i problemeve të shumta që kemi e që ju dhe bashkëpartiakët tuaj, assesi t’ua zgjidhni. Për  më keq edhe po ua shtoni. As gjumin më nuk po guxojnë ta bëjnë rehat, nga frika se mos kur të bien në gjumë t’u futen policët në shtëpi, e t’i marrin nënat plaka apo vajzat e reja e t’i mbajnë nëpër burgje. Kjo më është e padurueshme.

Prandaj, bëni diçka, para se populli të vendosë se çka të bëjë me Ju, se ndoshta më populli nuk mund të pret se kë do zgjidhni ju, POPULLIN apo ….Gruevskin? Populli mund të vendosë ndryshe nga ajo që ju konvenon apo përshtatet dëshirave tuaja. Populli juaj ka mundësi të mendojë pak më shumë për mirëqenien e vet, sesa për udhëtimet tuaja në emër të integrimeve, dhe kolltuqeve të buta që po i shijoni në kabinetet tuaja nga të cilat nëse jo Ju vetë, populli do ju nxjerrë nga aty njësoj sikur kur ju dërgoi. Nuk ka nevojë askush për inskenimin e krizave të kurdisura dhe ekzibicioneve politike që po bën BDI-ja, kemi mjaft kriza tjera dhe nëse nuk mund dhe nuk dini t’i zgjidhni ato, mos sajoni të tjera. Dijeni se ju ka rënë boja politike, nga e kaltra keni rënë në politikën e ngjyrës së hirtë!

FATMIRE ELEZI

     

Lajme të ngjashme

Back to top button