Ograk

Titulli i parë i sotëm, i cili më së miri do ta përshinte temën dhe fjalët e sotshme do të ishte – Lehtësia e padurueshme e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, përveç se ky titull duket i ngurtë dhe i parashikueshëm, mendoj se ky titull rrezikon që fjalët t’i ulë deri në nivelin e të qenurit patetik. Në atë nivel, ku librat me tituj të tillë blihen dhe përmenden, por pak me të vërtetë lexohen. Diku nën nivelin e Milan Kundera-s, por sigurisht mbi Paulo Koeljo-n. Por, ky titull nuk korrespondon edhe për shkak të normalitetit të të njëjtit. Kjo, para se gjithash, me gjithë respektin ndaj vetes, lexuesve, qytetarëve, popujve, institucioneve dhe shtetit, për shkak të paranormalitetit të opinionit, veçmas të kontekstit shoqëror dhe atij politik.

Paranormaliteti është term i cili përshkruan një fenomen apo përvojë të pazakontë, për të cilin s’ka sqarim shkencor dhe përdoret në parapsikologji, për të përshkruar dukuritë e tilla. Por, mendoj se edhe shumë dukuri në kontekstin shoqëror dhe politik në Maqedoni do të mund të regjistrohen vetëm nën këtë term. Ashtu, ato janë të pranishme, i ndjejmë efektet e tyre, funksionojnë, por për to s’ka sqarim shkencor. Sigurisht se ka gjëra për të cilat jemi unikë edhe për sqarimin e tyre ende shkenca duhet të na ndjek, por në këtë shkallë ku kanë arritur sqarimet shkencore, ne vlejmë si një vend paranormal. Kështu, ndërlidhur me këtë, kur Maqedoninë do ta krahasonim me një shembull të vajzës së sëmurë, e cila ka mbledhur mjaft mjete nga donatorë, dhe ka arritur për t’u kontrolluar tek psikoanalisti më i mirë në botë, mendoj se ai, ndonëse shkencëtar më kulmor, nuk do të kishte ndonjë sqarim valid shkencor, por në diagnozën do të shkruante fjalën: paranormal. Duke e ditur edhe ai, pa mos i ditur këto fjalë tona, se kjo, në fakt, është ose ograk, ose mësysh!

A thua vallë me të vërtetë kemi shkelur në diçka, ndaj jemi ograisur deri në atë shkallë, saqë ndonëse flasim se Maqedonia është e përjetshme, assesi të bëjmë atë që është në dorën e politikanëve tanë: Maqedonia përfundimtare. Kur, ja, më në fund, bëmë demarkacionin e kufijve shtetëror, dhe të paktën sipas kësaj dukemi të përfunduar, ne ende kemi, ndërkombëtarisht, vetëm emër pune për shtetin. Edhe për çdo ditë, bëjmë vepra të cilat e problematizojnë pikërisht të qenurit tanë- të përfunduar. E që veprat t’i mbështesim edhe me simbolikë, kryeministri, pasi këtë e pati bërë më parë edhe kryetari i shtetit, takohen në nivel të njëjtë protokollar me kryeministrin e krijesës më të papërfunduar në Ballkan: Republika Sërpska!

Apo që kështu, të kemi opozitë, të cilës assesi nuk i kujtohet që kategorikisht të hedh poshtë çfarëdo mundësie për të pasur çfarëdolloj zgjedhjeje, pa lista të pastruara të zgjedhësve dhe regjistrim të përfunduar të popullatës. Edhe atë, duke pyetur shumë thjeshtë: kush na garanton se nuk do ta lini edhe mbajtjen e zgjedhjeve, kështu, të pakryer, siç e bëtë këtë gjë me regjistrimin e popullatës? Me të vërtetë, pse janë të sigurtë  ata të opozitës se nuk do t’ju kujtohet apo pëlqejë diç pushtetit, e pastaj t’i ndërpresin zgjedhjet, ashtu, në mes të ditës? “Nuk mundet ajo ashtu” assesi nuk mjafton si argumenti bindës, sepse po shohim se gjithçka është e mundshme, madje edhe që kryeministri t’i hidhërohet ministrit të Mbrojtjes, ndërsa fajin për shtrenjtimet ta locojë vetëm te Komisioni rregullator për energjetikë!

Kush vallë na mori mësysh, që ndonëse dikur ishim i vetmi vend pa zgjedhje të parakohshme parlamentare, tani, pothuajse çdo verë, duhet që ne votuesit t’ua rregullojmë punët politikanëve? Sigurisht se nuk janë fqinjët ata që na morën mësysh, sepse po shohim se ata, pothuaj të gjithë, na parakaluan, gati në gjithçka, dhe janë shumë më të përfunduar se ne!
Ka shumë argumente për padobishmërinë dhe jonormalitetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një vend, në të cilin, vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje të rregullta lokale. Nëse duan edhe njëherë të maten me opozitën, ja, ai do jetë rasti. Kështu, vetëm dëshmojnë se kanë frikë nga kalimi i kohës. Ende më e rëndësishmja, zgjedhjet përmenden shkaku i një problemi etnik, i cili shpërtheu me nderimet e bëra në Karpallak dhe Sllupçan dhe me propozim ligjin për “branitellat”. Me këtë vendim, ata që do vendosin për zgjedhje të parakohshme, dëshmojnë se nuk janë të aftë t’i zgjidhin gjërat e mëdha, ndonëse pikërisht për atë janë zgjedhur. Problemet e vogla të përditshme, ne njerëzit vet i rregullojmë, sigurisht, ja, më mirë se ata.

Më pikëlluese në atë se do të ketë zgjedhje pas një shkaku të këtillë etnik, është fakti se me këtë japim argument shtesë për të qenurit tonë të papërfunduar. Dërgojmë porosi deri te bota, se ne jemi vend i cili nuk ka përgjigje përfundimtare për faktin se në të jetojnë një popull (maqedonas), autentik dhe në përqindje të konsiderueshme, së bashku me një pjesë të një populli tjetër (shqiptar). Sigurisht që edhe kjo porosi është paranormale, por e keqja është se këtu, në Ballkan, ka edhe praktikë tjetër. E ajo është, se sado që të kenë mundësi financiare, prindërit nuk e dërgojnë vajzën e ograisur vetëm te psikoanalisti, por kërkojnë edhe çare tjetër. 

Fokus, 30 08 2012
© PortAlb (përkthimi në shqip) 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button