Krismat s’kanë të ndalur, armët gjithandej në shoqëri

Krismat e kallashnikovëve mbeten tinguj shoqërues të dasmave shqiptare kudo në Ballkan. Të festuarit e tillë prishi dasmën e një tetovari një muaj më parë, kur një familjar i tij shtiu me armë duke plagosur tre mysafir. Si edhe në shumë raste tjera, bëhet fjalë për mërgimtar i lodhur nga rendi dhe qetësia e Evropës, e i përmalluar për anarkinë që ofron vendlindja.

Të shtënat dhe incidentet e shpeshta nëpër dasma janë dëshmi për numrin e madh të armëve të zeza në qarkullim mes qytetarëve. Edhe pse nuk mund të dihet numri i armëve të kontrabanduara në treg të zi, mund të bëhet vlerësim i përafërt.

Sipas Organizatës joqeveritare “CIVIL”, në Maqedoni qarkullojnë prej 100 deri 160 mijë copë armë, edhe atë nëse supozojmë se një armëmbajtës nuk posedon më shumë se një armë.

Sipas kësaj organizate, disa ekzistojnë disa arsye kryesore për rritjen e numrit të armëve në qarkullim ilegal.

“Arsyet më të shpeshta janë kulti ndaj armëve, rritja e pasigurisë politike dhe sociale, dhe radikalizimi i marrëdhënieve ndëretnike” – thonë nga “Civil”.

Sipas Ministrisë së punëve të brendshme, policia ka qenë aktive në parandalimin e qarkullimit të armëve ilegale. Në gjashtë muajt e para të vitit, në nivel republikan janë regjistruar 106 vepra penale, kundër 128 personave.

Për më tepër, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 12 vrasje, për të cilat akuzohen 10 persona.

Sipas “CIVIL”, masat preventive të cilat duhet të ndërmerren që të ulet numri i armëmbajtësve, është rritja dhe forcimi i besimit në dy nivele, mes institucioneve dhe qytetarëve nga njëra anë, dhe mes grupeve etnike nga ana tjetër.

Megjithatë, nëse krahasohet me shtetet e rajonit, duket se ky numër është pak më i ulët në Maqedoni. Në vend ka 4.9 copë armë në 100 qytetarë. Gjithnjë sipas “CIVIL”, brengosëse janë të dhënat për Kosovë dhe Serbi, ku supozohet se ka 15.05 copë armë në Kosovë dhe 12.55 në Serbi, në 100 banorë proporcionalisht. Ndërsa në Shqipëri kjo mesatare shkon në 6.57 copë në 100 banorë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button