SHBA ndihmon Maqedoninë të luftojë kriminalitetin

Letër bashkëpunimi për pajtueshmëri  në zbatimin e ligjeve mes Qeverisë të SHBA-së dhe të Maqedonisë, kanë firmosur sot Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti, ajo e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe diplomati amerikan në vend, Paul Wohlers. 

Me këtë projekt SHBA-të do ti ndihmojnë Maqedonisë të luftojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpër institucionet e vendit.

Uollers edhe një herë ka ripërsëritur nevojën për Gjykata të pavarura, media të lira dhe shoqëri civile të fuqishme.

“Gjykata të pavarura, media të lira, shoqëri civile e fuqishme kanë rëndësi vitale për çdo shoqëri dhe shtet demokratik dhe për këtë qëllim SHBA-të do të vazhdojnë të jenë partner në zhvillimin e tyre në Maqedoni. SHBA-të i njohin dhe përshëndesin  hapat e Maqedonisë që i ka ndërmarrë për ta përmirësuar kornizën e saj ligjore nëpërmjet miratimit të ligjit për procedurë penale dhe masat për rritjen e efikasitetit gjyqësor, masat tjera që janë marrë në polici, prokurori dhe gjykata. Tentimet  për  Gjykata të pavarura janë në procedurë e sipër” tha Wohlers.

Ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, pas nënshkrimit të marrëveshjes, mes tjerash tha se ky dokument paraqet kornizë normative të një projekti shumë të nevojshëm të cilin financiarisht dhe në mënyrë institucionale e përkrahin SHBA-të.

‘E gjithë kjo bazohet në një qëllim, të përforcohen kapacitetet të institucioneve për luftën ndaj kriminalitetit posaçërisht me krimin e organizuar. Në aspekt të Ministrisë së punëve të brendshme dua të potencoj se modernizimi i mëtejshëm, mbindërtimi i kapaciteteve të organeve për sjelljen e ligjeve posaçërisht në sferën e hulumtimit, përndjekja efektive penale në veprave penale, paralelisht me këtë edhe përforcimin e profesionalizmit në kuadër te ekipeve policore për ne paraqet qëllim prioritar për të cilën vazhdimisht përgatitemi’, tha Jankullovska.

Për rëndësinë e Letrës së bashkëpunimit në sferën e Gjyqësorit foli edhe Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti. Ai siguroi se zbatimi i aktiviteteve të përshkruara në pëlqimin e kësaj marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve në luftë kundër krimit të organizuar.

“Kjo ditë shënon vazhdimësinë e bashkëpunimit tonë me qeverinë e SHBA-ve në fushën e të drejtës penale, duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e ligjit i cili do të forcojë kapacitetin e institucioneve tona për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend” tha Bexheti.

Projekti parasheh realizim të trajnimeve, donacion, pajisje teknike, ekspertizë profesionale për Akademinë dhe gjykatësit e prokurorët, për Ministrinë e drejtësisë, Prokurorinë publike, gjykatat, sidomos për gjykatat e shkallës së parë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button