Ameti: Alb-shkenca, nxitje të reja për studimin e albanologjisë

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, morri pjesë në hapjen solemne të takimit të shtatë ndërkombëtar me radhë të Institutit “Alb-Shkenca”, me temë: “Mendimi shkencor gjithëshqiptar në pragshekullin e dytë të pavarësisë kombëtare”, i cili u mbajt në Shkup. 

Në këtë takim merrnin pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Institutit, Alb-Shkenca, Niko Qafoku, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, rektori i UEJL, prof. dr. Zamir Dika, ambasadori i Italisë në Maqedoni, Fabio Kristiani, kryetarja e degës së Institutit në Kosovë, Shpresa Hoxha, kryetari i degës në Shqipëri, Ali Maliqi, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, prof. dr. Shefqet Zekolli, etj. U.d. rektori i USHT-së, Vullnet Ameti theksoi se ky manifestim shkencor me karakter ndërkombëtar mund të luaj rol madhor dhe do të kontribuojë për avancimin e shoqërisë sonë. 

“Ky aktivitet i radhës i Institutit të Alb-shkenca, i cili mbështetet edhe nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes të Ohrit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, si dhe institucione të tjera të rëndësishme, dëshmon përvlerat shkencore që përcjell nga viti në vit, por këtë vit vjen më i veçantë, aq më tepër kur organizohet në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar”, theksoi Ameti. 

Ai ka shtuar se arsimi ka rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre veçorive, prandaj ne të gjithë duhet të angazhohemi në forcimin e institucioneve arsimore, sepse kanë mision të shenjtë për arsimimin, edukimin, emancipimin e gjeneratave të reja dhe zhvillimin e vendit tonë. 

“Në këtë vit historik për kombin tonë, besojmë fuqishëm se ky takim shkencor me karakter ndërkombëtar do të luaj rolin e tij madhor dhe do të sjellë nxitje të reja për studimin e albanologjisë dhe do të kontribuojë edhe më tepër për afrimin e punonjësve shkencorë, me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të shoqërisë sonë”, shtoi Ameti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button