Qytete të tëra pa gjinekologë në Maqedoni

Numri i gjinekologëve amë në shtet nuk i përmbush nevojat për mbrojtje shëndetësore të femrave. Sipas të dhënave të Fondit për siguri shëndetësore, në vend ka gjithsej 137 gjinekologë amë të cilët punojnë në nivel primar dhe të cilët kanë nënshkruar marrëveshje me Fondin. Ata duhet të kujdesen për shëndetin e një milion femrave në Maqedoni.

Gjysma e gjinekologëve amë punojnë në Shkup. Nga Fondi thuan se përfshirja e këtij kuadri është tejet e keqe pasi që gjysma e komunave në Maqedoni nuk kanë gjinekolog ose, ka por në sasi të pamjaftueshme. 

“Na brengos fakti se gjysma e femrave në Maqedoni aspak nuk kanë zgjedhur gjinekolog amë dhe se nuk mund të shfrytëzojnë mbrojtje shëndetësore në nivel primar. Kemi 1.800.000 persona të siguruar. Gjysma e tyre janë femra, por vetëm  400.000 prej tyre kanë gjinekolog amë. Edhe pse nuk ekzistojnë standarde ndërkombëtare për atë se sa gjinekologë duhet të ketë në krahasim me numrin e femrave, në Maqedoni do të ishte e pranueshme që 80% e femrave të kenë zgjedhur gjinekologun e tyre amë”, thotë zëdhënësi i Fondit, Branko Axhigogov. 

Për të bërë një kontroll të thjeshtë, gratë nga Krusheva duhet të udhëtojnë në qytetet tjera për ta bërë atë. Pa gjinekolog janë edhe femrat në Haraçinë, Nagoriçan të vjetër dhe Zajaz. Në Manastir, një qytet me mbi 100.000 banorë, punojnë vetëm katër gjinekologë amë. Mungesë të gjinekologëve ka edhe në Prilep, ku punojnë vetëm tre mjekë. Në këtë qytet vitin e kaluar kanë lindur 1.151 foshnje, me çka Tetova është qyteti i dytë në Maqedoni, menjëherë pas Kumanovës, në të cilin nataliteti është shumë më i lartë se mesatarja në shtet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button