Njerëzit nuk duhet të shoqërohen me arinj

Duke menduar për situatën momentale, politiko-kulturore-sociale-ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, si alegori shumë e afërt mu kujtua një tregim që ma tregonin kur isha i vogël.

Tregimi nis kështu:
Një herë një grup i madh i njerëzve kanë nisur të shoqërohen me arinj. Prej tyre disa me arinj të malit kurse disa tjerë me arinj të rrafshinës. Në ndërkohë pjesa tjetër e njerëzve (natyrisht ata që kanë mbetur) ua tërheqin vërejtjen me fjalë: juve nuk ju takon të shoqëroheni me arinj, ata janë arinj kurse ju jeni njerëz. Këta mendjelehtët (lexo naivët) u përgjigjen: ju nuk i dini se sa të mirë janë arinjtë… ata prapë u thonë: ne nuk ju themi që janë të këqij por ju themi që arinjtë e kanë natyrën më ndryshe prej njerëzve.

Edhe këtyre vërejtjeve mendjelehtët nuk ua varin veshin dhe e vazhdojnë shoqërinë e tyre me arinj. Në anën tjetër arinjtë bëhen kryelartë dhe ecin me mburrje, bile bile nisin jo vetëm ti imitojnë njerëzit po edhe ti kritikojnë vend e pavend.
Kundra kësaj reagon grupi i njerëzve që nuk është shoqëruar me arinj por  grupi i arinj shoqëruesve (lexo prapë naivët) prapë nuk ua var veshin dhe thonë në vete: këta na xhelozojnë dhe për këtë shkak i kritikojnë shokët tanë – arinjtë.

Një ditë prej ditëve, njerëzit – shokë të arinjve (naivët), shkojnë te strofulli i miqve të ri (arinjve) dhe pasi bisedojnë e kuvendojnë, pasi darkojnë, u vjen koha për tu kthyer nëpër shtëpitë e veta. Kur nisen të dalin prej strofulli, shohin që ka nis të bjerë shi me të madhe. Kur e shohin këtë arinjtë, i lusin njerëzit që ta kalojnë natën te strofulli i tyre dhe këta pranojnë. Arinjtë, prej kënaqësisë së madhe nuk flenë tërë natën, e mbajnë strofullin të ngrohtë dhe i ruajnë njerëzit.
Ne strofull paska shumë miza, dhe gjatë natës mizat ndalen në hundët e njerëzve të cilët paskan qenë duke flejtur. Kur e shohin këtë arinjtë, marrin nga një gurë dhe ua meshojnë në hundë njerëzve.

Njerëzit zgjohen dhe të gjithë të përgjakur dhe me hundë të thyer i pyesin: përse na i thyet hundët? Arinjtë nervozohen shumë dhe ashtu të nervozuar u përgjigjen: si guxoni të pyetni kështu… ju në vend që të na falënderoni që i vramë mizat të cilat do tu kafshonin, ju na sulmoni….

Pas kësaj njerëzit këndellen dhe kthehen në shoqëritë e tyre normale (natyrisht me hundë të thyer) dhe pranojnë që ai grup, edhe pse i vogël i njerëzve, që prej fillimi u kishin thënë të mos shoqërohen me arinj kanë pasur të drejtë. Tani edhe këta nisin ti predikojnë të rinjtë që nuk duhet shoqëruar me arinj deri sa këta të bëhen njerëz….
Dhashë Zoti që të gjithë njerëzit të këndellen para se tu thyhet koka, hundën më e kanë të thyer…. 

Lajme të ngjashme

Back to top button