Nuk jemi të pavdekshëm, edhe pse do të na pëlqente

Në Fshatin tonë të madh shqiptar, shpesh e më shpesh, lufta për pushtet ngjan sikur zhvillohet ndërmjet të pavdekshmëve. Duket pra, në mënyrë të rreme, sikur kjo betejë dhe këta ‘trima’, kush Bajloz e kush Gjergj Elez Ali, kush i nxirë në diell e kush bardhosh, do të ndeshen papushim edhe për ca qindra vite të tjera. Ashtu me shpata të rënda dhe topuzë, buzë detit në të ngrysur apo në mejdan të gjelbër, rrethuar nga ankthi dhe zemërdridhja e turmës.Në të vërtetë, derisa vdiq Enver Hoxha, në psikologjinë e thellë dhe të pashprehur të shumicës ai, ‘Komandanti’, ngjante si i pavdekshëm dhe i pacenueshëm. Ndryshe nga shorti i vdekatarëve, dukej sikur vdekja ishte shpikur për një kategori sekondare njerëzore, për banorët e periferisë dhe për populluesit e Asgjësë dhe të Askundit.

Me vdekjen e shumëpritur të Hoxhës, asokohe, ne, banorët e Asgjësë dhe Askundit, fare qartazi morëm edhe njëherë provën e pagabueshme historike që na mungonte: Vdekja është e Ndershme.

Kanë kaluar shumë vite që atëherë, kur së bashku me Ramën e gjatë, qeshnim fshehurazi dhe na vinte njëkohësisht edhe jo mirë, që lumturoheshim në mënyrë jo shumë të hijshme, në fund të fundit për një vdekje. Qoftë kjo edhe vdekja e tiranit. Vitet e kaluara depozitojnë eksperiencë dhe dije të shumta perceptive te disa pak njerëz që kanë kujtesë të mirë dhe kuptohet, edhe depozita të mira e të shëndetshme mendore. Ajo që tashmë i përket së kaluarës, shndërrohet në një çelës, që hap portat e së ardhmes, edhe pa ardhur vetë e Ardhmja.

Dhe shihet përmes kësaj Tejqyre që sheh të Ardhmen, edhe pa ardhur, që të Pavdekshmit nuk ekzistojnë dhe që vdekja është akoma dhe sot e pagabueshme dhe e Ndershme përsëri.

Po a e dinë këtë qeveritarët tanë?

A kanë ata, një koncept filozofik, që ndan të Mirën nga e Keqja, kur marrin vendime apo mpleksin pazare?

Ndajnë dot së paku të Dobishmen nga e Dëmshmja?

Në botën e sotshme nuk ka sekrete. Edhe ato, sekretet më të thella të Politikës shqiptare, çalamane dhe egoiste sa më s’ka, dihen apo pëshpëriten lart e poshtë. Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme në ka sot prova apo jo, apo nëse do të ketë vetëm nesër dhe nesër është vonë, për krimet e kryera, në jetën e tyre private apo politike. Ato sërish dihen.
Dihet gjithashtu që Ata nuk do të përgjigjen për to, në këtë Vend ku Pandëshkueshmëria e më të Fortëve, është ligji themeltar i xhunglës shqiptare. Personalisht besoj shumë pak në një drejtësi të Drejtë e të mundshme, as në Shqipëri dhe as Përtej, në botën perfekte të Rregullave perfekte.

William Shekspiri, te ‘Hamleti’, me gojën e princit fatkeq dhe atvrarë, kur e pyesin për botën e nëndetit, e paeksploruar asokohe, thotë: …‘nuk kam qenë asnjëherë aty poshtë, por edhe nën det, peshku i madh e ha të voglin…’

Ashtu si dhe mbi Tokë, i madhi e ha të voglin. Dhe populli shqiptar thotë: ‘më mirë mut se i vogël!’ dhe prandaj shqiptarët, që e dinë këtë, duan të rriten me ngut e të bëhen të mëdhenj me çdo kusht; se, si i vogël, në Shqipëri, jeta është e padurueshme. Por në shqip, bashkësinë e të vegjëlve, shqiptarët e përmbledhin me termin ‘vegjëlia’, që do të thotë ‘e shumta’, që do të thotë ‘populli’. Pra, të jetosh si i vogël, të jetosh si popull, në Shqipëri, është ende e padurueshme. Për të dalë nga kjo botë e vogël, shumëkush është gati të vjedhë, të vrasë apo të shitet trupërisht. Sepse një impuls i egër kumbon ndër veshë të Vegjëlisë, të zhbëhet si i vogël, sepse si i vogël nuk jetohet! Koncepti i nderit dhe i moralit janë idhuj të rënë nga dynjallëku, se dynjallëku dhe Dynjaja sakaq kanë ndryshuar.

Kurva është dhe thirret sot Zonjë apo Star. Kurvari, topmodel apo burrë familjar. Hajduti, menaxher apo biznesmen i talentuar. Vrasësi, djalë trim dhe me syrin pishë. Gënjeshtari, pidhsome e king burrë. Mashtruesi, predikator dhe zemërpushtonjës. Tinzari, moralist apo negociator. Spiuni, informator, xhentëlmen dhe, më së shpeshti, politikan me karrierë të pandalshme…

Por edhe këtu nuk ka asgjë që lind për së pari; edhe këtu, në këtë metamorfozë, pra, nuk ka asgjë të pavdekshme. Janë thjesht e bukur ca teknika të reja, po aq sa edhe të vjetra, për të bërë tënden atë që s’është e jotja. Është moda e re, ‘the new fashion’ e pra, fasada e re, që fsheh, apo përpiqet të fshehë, të njëjtin skelet të vjetër, Padrejtësinë Njerëzore.

Ndoshta ky tekst është ca i vështirë, për nivelin e dystë mendor dhe kultural, të shumicës së politikëbërësve shqipfolës; por, dreqi e mori, ca gjëra nuk shkruhen dot më thjesht.
Nuk jemi dot të pavdekshëm, edhe pse do të na pëlqente; dhe këtu nuk dua thjesht të shpalos ndonjë dilemë të vonuar ekzistenciale. Shpesh apelet për t’u bërë substancialisht më njerëzorë dhe për të qenë më pranë hallit të të Vegjëlve, bëhen në emër të jetës. Por sot, 26 gusht, tek po shkruaj dhe kam, si i thonë, edhe datëlindjen time, hedh në eter një ftesë për refleksion, qoftë edhe në emër të Pavdekshmërisë së Pamundur. Sepse askush nuk është dot Zoti, edhe pse do të donte. Duke qenë mirëfilli njerëzorë, nuk ka asgjë për t’u turpëruar të bëheni ju, Miqtë apo Armiqtë e ‘mëdhenj’, më njerëzorë. Më njerëzorë me njerëzit. Më të prekshëm. Më të vërtetë. Më pranë tyre.

Se, në fund të fundit, kujtimi që lëmë pas, qoftë edhe për njerëzit që biologjikisht lëmë pas, ka një vlerë. Pavarësisht se në Shqipëri mungon Bursa apo Banka ku depozitohen vlera të tilla. Abstrakte, por njëkohësisht me peshë.

Marrë nga: MAPO

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button