Poker me eshtra

“E keqja e njerëzve jeton gjatë kohë pas vdekjes së tyre, por e mira shpeshherë varroset me eshtrat e tyre”. Me këto fjalë të shkruara me pendën e Shakespeare-it, ushtari Marko Aureli qante gjeneralin dhe udhëheqësin e tij “të mirë, të ndershëm dhe besnik”, Jul Çezarin. Po të ishin besnikë, të ndershëm e të mirë ndaj ushtarëve të vdekur dhe pasardhësve të tyre, udhëheqësit tanë asnjëherë dhe nën asnjë kusht nuk do të lejonin pokerin aktual me eshtra, të shpërndarë nëpër altoparlantët e mediave, sa për të marrë një poen plus.

Në këtë lojë të pandershme nervash, vetëm një gjë është e ditur – të rënët dhe familjet e tyre përsëri janë vënë në rol të topit të mishit për artilerinë partiake në fushë betejën politike. Vetëm klikët partiakë dhe ithtaret e zjarrtë të tyre që ende besojnë në sulmin e ndërgjegjes së udhëheqësve për fatet e zeza të të prekurve. Aq më pak ka nga ata që ende besojnë në sinqeritetin e ndjenjave të ndezura kombëtare patriotike, të nxitura në mënyrë të përshtatshme në prag të zgjedhjeve, në të cilat të uriturit përsëri do të votojnë për të mirën e të ngopurve.

Zotëri Gruevski akoma duhet t’i shpjegojë vetes, por edhe të gjithë neve, se çfarë është ai moral dhe etikë e së djathtës  i hedhjes çallëm mbi ushtarët e vdekur të UÇK-së, vetëm disa ditë pas shkuarjes së përulur në festat e ditëlindjeve puthadorë me Ahmetin, i cili ende pëlqen të prezantohet si komandant i po të njëjtës ushtri. Do të ishte interesante ta dëgjonim elaborimin e tij elokuent të dallimit mes ushtarit të ndjerë të UÇK-së në Sllupçan dhe ish “terroristit” mirë të ushqyer, Talat Xhaferi, tani i avancuar në një partner të respektuar të koalicionit. Bibla e përshkruan politikën si një oqean pa fund në thellësitë e të  cilit fshihen edhe virtyte edhe dobësi, por me qëndrimin e tij ndaj ushtarëve të rënë të UÇK-së, kryeministri noton në ujëra të cekët të demagogjisë së paturpshme nga e cila edhe Millosheviqi do të skuqej. Lufta dhe paqa, prapëseprapë sillet rreth proverbës së vjetër serbe-“dikujt luftë, dikujt vëlla”.

Nga ana tjetër, parteri i tij i koalicionit, zotëri Ahmeti ndoshta një ditë do ta shohë si të nevojshme dhe do të mbledhë kurajë të na përkujtojë se për çka në të vërtetë u zhvillua ajo luftë dhe për çka vdiqën ata njerëz. Për barazi? Për të drejtat e njeriut? Për Telekomin dhe Hemofarmin? Për hapjen e kafeneve partiake nga krahu kamerierist i BDI-së në Çair? Nga të ardhurat e të cilave deri më tani edhe si bile do të kishte mundur t’u ndihmojë ish-ushtarëve të tij dhe familjeve të tyre, pa pritur leje dhe pëlqim nga ana e Gruevskit. Është i kuptueshëm revolti i shqiptarëve kur VMRO-DPMNE-ja e trajton UÇK-në si “terroriste”, por çka të pritet kur një pjesë bukur e madhe e udhëheqësisë së BDI-së ka pothuajse qëndrim të njëjtë ndaj disa ushtarëve tjerë të ndjerë të po të njëjtës ushtri?  

Mjaftonin deklaratat e pakta të përfaqësuesve qeveritarë që koalicioni mbi-etnik i LSDM-së dhe PDSH-së të plasë si një topth sapuni. Mbase është i kotë i tërë mjerimi social, tërbimi i qytetarëve për shtrenjtimet, rritja e vetëdijes për manipulimet e qeverisë me ndjenjat kombëtare, revolti ndaj stagnimit dhe izolimit, kur dy liderët opozitarë që në thirrjen e parë alfa-etnike u kyçën drejt “njerëzve të tyre”. Me çka përsëri hyrën në orbitën manipuluese të drejtuar nga koalicioni qeveritar. Ndryshe nga zotëri Thaçi i cili të paktën mbijeton nga axhenda e tij verbale-nacionale dhe qëndron besnik ndaj filozofisë fatale se “ai që nuk punon asgjë, nuk mund të gabojë”, akoma do të duhet të presim që zotëri Cërvenkovski më në fund të vendosë se a është nacional-patriot apo social-demokrat? Të na shpjegojë se kur, si një fëmijë nga Shkupi që është, do ta kuptojë se Gazi Baba dhe Serova janë pak më afër se Tetova dhe Bogdanci dhe se votat e shqiptarëve të Dyqanxhikut janë po aq të vlefshme si edhe ato të Kapishtecit? Me një raport të këtillë të stilit “nuk ju dua juve – dua votën” ndaj bashkëqytetarëve të tij shqiptarë janë të kota të gjitha shpresat opozitare dhe tentimet për fitim të votave të shqiptarëve në mënyrë të fshehtë nëpërmjet taktikave te fshehura, për një përdorim. 

Mbase i vetmi i cili mes rreshtave tregoi dimensionin e vërtetë të problemeve tona ishte zotëri Philip Reeker, duke theksuar rëndësinë e ekonomisë. Megjithatë, do të ishte shumë më e përshtatshme sikur ato fjalë t’i thonte gjatë mandatit të tij si ambasador në vend. Mandat ky që përkoi me krijimin e vrimës së pafund financiare Shkupi 2014, gjatë së cilës periudhë ai i përmbahej këndimit të refreneve të tilla frymëzuese. Përkunder përpjekjeve të tij, ofensivave të sharmit dhe “kthjelljes së vonshme”, Reeker do të mbahet mend si një nga arkitektët e jashtëm të dimrit të tanishëm arabik në Maqedoni, si dhe debakëlve të shumtë diplomatik. Duke përfshirë edhe shpalljen e Besimit si “lider me vizion” edhe krahas akuzave për nepotizëm eklatant, të hedhura nga ana e PDSH-së. Me një qasje të tillë Reeker shkaktoi më shumë dëm se sa dobi ndaj procesit të pajtimit, duke e shndërruar atë në lojë politikante për promovimin e lojtarëve të klasës së dytë, njekohesisht duke amnistuar personat udhëheqës të dy bashkësive nga obligimi i tyre për të ndërmarrë përgjegjësi dhe për të dhënë një shembull personal të shërimit të plagëve të së kaluarës. 

Para nesh kemi edhe një raund të pasigurisë në të cilën do të ishte e pafalënderueshme të jepen çfarëdo prognoza. Në një vend ku raporti parimor ndaj çështjeve me rëndësi thelbësore për të gjithë qytetarët është vetëm një emër i imagjinuar, vetëm një gjë është e ditur – se kjo agoni do të vazhdojë me një nxehtësi më të madhe. Në ikje të përgjigjeve, politika e gjuajtjes së gurëve dhe fshehjes së duarve do të sjellë edhe më shumë pyetje, edhe më shumë dilema dhe sa më pak zgjidhje. 
Deri në llogaritë e vjeshtës që ta nxijnë jetën.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button