Saraçini: ‘Mejhanet’ do të reflektojnë edhe kulturën shqiptare

Me ndryshimet e reja në Ligjin për turizëm dhe hotelieri parashikohet që të hapen restorane nacionale, apo “Mejhane” të cilat sipas kabinetit të ministrit të ekonomisë Valon Saraçini do të përmbajnë edhe elemente shqiptare.

“Rregullorja e posaçme nën ingerencat e ministrit të ekonomisë do të përcaktojë kushtet dhe kriteret që duhet ti plotësojnë subjektet e interesuara për të hapur Mejhane.  Restorantet nacionale ‘Mejhanet’ do të pasqyrojnë kulturën, veshjen, kuzhinën, melosin dhe arkitekturën e rajonit në të cilin do të hapet restoranti në fjalë, ndërsa Mejhanet do të pasqyrojnë veçoritë e rajonit të caktuar” shkruhet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.

Kultura, etnosi, arkitektura, kuzhina shqiptare medoemos do të jenë pjesë e këtij projekti turistik thonë nga dikasteri i Saraçinit.

“Në Maqedoni, parashihen tetë lloje që do të pasqyrojnë traditat e po aq rajoneve, për shembull, nëse një i tillë hapet në Prespë, aty duhet të ketë veshje kombëtare prespane, kamerierët duhet të kenë fustanella, muzika burimore prespane, në Tetovë veshje popullore tetovare, muzika tetovare etj” shkruhet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.

Qëllimi kryesor për hapjen e këtyre restoranteve, sipas kësaj ministrie është pikërisht promovimi ushqimit, traditës, kulturës të secilit rajon në veçanti dhe i Republikës së Maqedonisë si tërësi. Ministria e ekonomisë nga viti i ardhshëm do të ndaj edhe subvencione për hapjen e restoranteve të tilla, ndërsa të njëjtit do të jenë pjesë e promovimit të vendit gjatë qëndrimit të delegacioneve të ndryshme në vendin tone. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button