Bie qeveria, ngrihet qeveria

E çka pasi të bjerë qeveria?  Cilat parti do të jenë pasardhëse?
Të nderuar vëllezër e motra Shqiptare.

Nuk thonë kot që politika është k… ! Shumë qartë po duket që këtu gjithçka po zihet, e gjithashtu po shihet se këto janë lojëra të partnerëve të koalicionit qeveritar. Pse, vallë nuk do kishin mundur që këto mosmarrëveshje të tanimshme t’i zgjidhnin me marrëveshje paraprake të dy partnerët si Gruevski dhe Ali Ahmeti? Por e zmadhuan kaq shumë veprën e Ministrit te Mbrojtjes Z. Fatmir Besimi, i cili shkoi në Sllupçan dhe iu përkul Dëshmorëve të UCK-së, bashkë me forcat e ARM-së, vepër e cila është jashtëzakonisht domethënëse dhe ia vlen të përshëndetet nga të gjithë; fundja, të drejtat e barabarta i kemi ne këtë Shtet multietnik, pse të përkulemi vetëm ndaj dëshmorëve Maqedonas e jo edhe ndaj vëllezërve tanë, të cilët  e dhanë jetën për të drejtat e barabarta dhe për qetësi këtë shtet?

Unë, me këtë letër kisha dashur të ju bëj apel, qoftë partisë në pushtet që I përfaqëson shqiptarët, qoftë partive në opozitë, që të mos e marrin këtë vepër si qëllim politik, por ta përshëndesin dhe ta përkrahin si gjest kombëtar, për të mirën e popullit Shqiptar në Maqedoni. E në qoftë se ky veprim I Minstrit të Mbrojtjes Z. Fatmir Besimi merret si shkas per t’u prishur kjo qeveri, atehërë do të ishte moment I duhur që radhën tjetër,  të gjitha partitë shqiptare të bëhen bashkë dhe të marrin mbi supet e tyre obligimin e tyre moral për t’I zgjedhur kuadrot të cilat kanë njerëz më të kualifikuar e janë kuadro më të suksesshme se të tjerat.

 Nuk ka rëndësi për ne si popull se ngjyrat e cilës parti do të na përfaqësojnë, për ne është e rëndësishme cilët njerëz do jenë udhëheqës në institucionet shtetërore dhe sa do të punojnë ata për interesat e shqiptarëve në Maqedoni.

Bashkimi bën fuqinë; të bashkuar ne do ta fitonim edhe postin e kryeministrit ose të kryetarit të parlamentit, e pse jo edhe Presidentin e Shtetit. E kështu të ndarë e të përçarë, duke formuar parti të reja politike në çdo afat që afrohen zgjedhjet, ne jemi duke shkuar rrugës ku do ti humbim edhe këto poste që me aq sakrifica I fituam deri më tani.

Sa I përket trimërisë dhe fuqisë së maqedonasve ne RM, ajo u pa qartë në vitin 2001. Ajo që duhet bërë është të zgjohemi e të mos lejojmë që ata të “nxjerin brirë” pas fitores së 2001. Le të vazhdojmë t’u tregojmë atyre se ne jemi po ata trima që ishim në vitin 2001, e mos të lejojmë që të mendojnë se munden të luajnë me ne, andaj me trimëri le t’iu tregojmë se ne jemi popull që inatet personale i lëmë anash kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare dhe gjendjen e popullit tonë , duke marrë parasysh çdo aspekt të jetës së tyre, përfshirë edhe çëshjtet ekonomike, aq sa na takojnë neve. Le të mos lejojmë që ata të manipulojnë me buxhetin që na takon neve, të manipulojnë ata me njerëzit e ngratë të cilët me djersë e nxjerrin kafshatën e gojës, duke e marrë hakun që na takon neve po aq sa ju takon edhe atyre. 

Me këtë dua të them se jo te gjithë minsitrat e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet dhe siç kanë mundësi. Ashtu si mundi ministri i mbojtjes t’i dërgojë pjesëtarët e ARM-së t’iu përkulen dëshmorëve të UCK-së, ashtu duhet edhe të tjerët të mundësojnë që subvencionet nga buxheti I RM-së dhe nga fondet e BE-së, të cilat u takojnë edhe Shqiptarëve, të ju ndahen atyre të cilëve iu takojnë.

Nga papërgjegjësia dhe nga mospërkushtimi i duhur në punën e disa ministrave dhe drejtorëve të institucioneve shtetërore, të cilët nuk mundohen aspak që të ndihmojnë popullin e tyre aty ku ndahet kulaçi, humbasim gjithmonë ne si popull. Kur është fjala për çështjet ekonomike, ndoshta për ju mund të duket si e çuditshme, mirëpo çështja e bujqësisë dhe e blegtorisë në RM, është temë shumë e rëndësishme për t’u diskutuar. Nuk dëgjohet të flitet shpesh për gjendjen e bujqëve Shqiptarë të cilët nuk munden të përfitojnë nga subvencionet e shtetit dhe ato të BE-së, dhe faji I vetëm I tyre është  se shkruajnë emër  shqiptar në fletë-aplikime. Ata të cilët I pranojnë këto aplikime në agjencionet shtetërore ku ndahen këto subvencione, me të parë këtë “provë fajshmërie”, i refuzojnë ose i frigojnë me kushte që s’kanë të bëjnë me punën e tyre, thjeshtë për të krijuar rrethana ku bujku shqiptar dëshpërohet dhe vetë heqë dorë nga ajo kërkesë,e pastaj po ajo hise që i takon shqiptarit, i ndahet maqedonasit. Kjo poshtërsi vjen nga njerëzit tanë, që janë kompetentë në këto institucione, që nuk dalin t’i shohin dhe t’ua pyesin hallin popullit të vet nga të cilët e kanë marrë bekimin për tu ulur në ato karrige, nga po të cilat ata kurrë nuk ngrihen ta shohin se si rrjedhin punët me popullin e vetë.

Dhe kur po ky popull shkon të ankohet te sekretarët shtetërorë shqiptarë, zv. ministrat apo te ministrant, ata ua lyejnë kokën me akull duke u thënë se do ta zgjidhin këtë çështje, raste tjera i dëbojnë duke thënë se aty  nuk kanë njerëz të vet të cilët do të mund të gjejnë zjgidhje, ose me arsye të tjera të kota. Kohërat kalojnë, afatet përfundojnë, mMaqedonasit përfitojnë dhe ne ngelemi këtu ku jemi, gjithmonë të shkelur, dikur nga maqedonasit, e tani edhe nga vëllezërit tanë Shqiptarë, e kjo e dyta dhemb shumë.

Të nderuar politikanë, dëgjoni ankesat e njëri-tjetrit, dëgjoni këshillat e njëri-tjetrit, shkëmbeni idetë dhe mendimet e kolegëve dhe bashkërisht jepuni fund këtyre manipulimeve. 
Rrëzimi i qeverisë është një çështje e thjeshtë mirëpo çka pas kësaj? Kush do jenë ata të cilët do të na përfaqësojnë neve pas kësaj? Apo do të vazhdojë të përsëritet skenari i vjetër, ku me një gjest të vogël që bëni kur afrohen zgjedhjet, fitoni përsëri mandatin dhe besimin e popullit nevojtar, e më pas vazhdoni përsëri me avazin e vjetër, me politikat e njejta. 

Politikani I mençur nuk dallohet nga ngjyrat e partisë poltike që përfaqëson, mirëpo dallohet nga aktivitetet e tij. Ministra, deputetë, politikanë të bukur,  ne nuk na duhen “mistera” që të na udhëheqin, ne na duhen njerëz punëtorë, aktivistë të palodhshëm dhe trima të cilët nuk i frigohen punës dhe drejtësisë, e jo të tillë që I frigohen një maqedoni.

Gjithmonë do të ketë ankesa dhe pakënaqësi, nuk egzistojnë shoqëri ideale, mirëpo mundohuni që këto ankesa të reduktohen, e jo të shumëzohen siç po ndodh te ne. Le të mos bëjmë partneritet me parti maqedonase, para se të bëjmë partneritet ndërmjet vete me partitë shqiptare, dhe mandej mund të shohim se kush na qenkan trimat.

Edhe në opinionet e mia të mëparshme, unë e kam cekur që ata të cilët mendojnë t’i zënë karriget vetëm për interesat e tyre personale, le ta dijnë që një ditë do ti vjellin të gjitha dhe do të mbajnë përgjegjësi së pari para Zotit e mandej para popullit të tyre. Mos të harrojmë se ne shqiptarët në Maqedoni jemi shumicë muslimane, dhe frigë duhet ti kemi vetëm Zotit që është një dhe i vetëm, e jo një Z. Gruevskit qe e pamë se kush ishte në vitin 2001. E gjithashtu mos harrojmë se besimi i keqpërdorur është I dënuar edhe nga Zoti, e dita e llogarive do të vijë shpejt.

Jemi punëtorë, trima dhe të fortë, të vazhdojmë kështu të jemi të gjithë për një dhe një për të gjithë,  e të  mos  lejojmë kurrë  që dikush të luajë me fatin tonë.

Jeton Xheladini MATRANÇI
Diplomat i Diplomuar

Lajme të ngjashme

Back to top button