Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka e nisin me fitore Bundesligën

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë debutuar me fitore në Bundesligën gjermane në futboll. Shaqiri ishte titullar për gjigantin gjerman Bayern Muenchen, në ndeshjen që e fitoi të shtunën në udhëtim përballë Greuther Fuerthit të dyshes kosovare Mërgim Mavraj e Ilir Azemi me rezultatin 3:0, derisa Xhaka po ashtu luajti nga fillimi në fitoren që Borussia Moenchengladbach e shënoi në shtëpi përballë Hoffenheimit me rezultatin 2:1. 

Mesfushori 20-vjeçar Shaqiri mori pjesë në aksionet që u shënuan goli i parë dhe i dytë për Bayernin. Goli i parë për Bayernin i shënuar nga Thomas Mueller (43′) erdhi pas një goditjeje nga këndi që u ekzekutua nga Shaqiri. Ndërsa ai mori pjesë edhe në aksionin e golit të dytë që u shënua nga Mario Manxhukiq (59′). Goli i tretë i Bayernit ishte autogol i realizuar nga Thomas Kleine (79′). 

Shaqiri luajti 72 minuta dhe në vend të tij u aktivizua Bastian Schweinsteiger. 

“Në pjesën e parë patëm pak vështirësi, pasi Greuther Fuerth ishte vendosur në mbrojtje dhe shumë pak na ofroi hapësirë. Në pjesën e dytë kemi mundur më tepër të tregojmë në ofensivë. Pastaj edhe kemi shënuar golat”, ka thënë Shaqiri, për faqen zyrtare të Bayernit. 

Te Greuther Fuerthi tërë ndeshjen luajti Mërgim Mavraj i cili është edhe kapiten, ndërsa te skuadra e promovuar në Bundesligë bëri debutimin zyrtar edhe sulmuesi kosovar Ilir Azemi, i cili u aktivizua nga minuta e 62-të. 

Moenchengladbachu i Xhakës është këndellur pas disfatës që pësoi të martën nga Dynamo e Kievit (3:1), në ndeshjen e parë të raundit final eliminator të Ligës së Kampionëve. Xhaka 19-vjeçar luajti tërë ndeshjen për Gladbachun dhe u ndëshkua me karton të verdhë. 

“Pas humbjes të martën është dashur të ngrihemi në këmbë dhe këtë e kemi arritur. Së bashku me tifozët tanë kemi reaguar në mënyrën më të mirë dhe kemi fituar me meritë. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për ne. Në pjesën e dytë Hoffenheim bëri pak presion. Por, është vërejtur se edhe në presion, mund të bëjmë lojën tonë”, ka thënë Xhaka, për faqen zyrtare të Gladbachut.

Shaqiri e Xhaka te skuadrat e Bundesligës gjermane u transferuan verës nga gjiganti zviceran Basel. Me Baselin ata kishin fituar shumë tituj në Zvicër. /koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button