Sui generis

Vërtetë Republika e Kosovës është “sui generis”, rast i veçantë, rast special. Në krahasim me rastin normal, rasti special është i ndryshëm, që nuk i përshtatet normës, e rrjedhimisht është jo-normal. Kur është fjala për shkollat, për shembull, kudo në botë ka “shkolla”, e pastaj ka edhe …“shkolla speciale”, për nxënës specialë, me nevoja speciale, të cilët fatkeqësisht s’mund të ndjekin hapin e shumicës së nxënësve tjerë.

Kosova i thotë vetes “Republikë”, përderisa është brenda Kosovës. Por sapo të kalojë kufirin ajo prezentohet me një emër special, Kosovo* 1244. Emërtimi special me fusnotë, sui generis, i referohet Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244. Përderisa brenda Kosovës, Kosova është Republikë, jashtë Kosovës ajo vetëveten e quan Kosovo* sipas 1244, që nënkupton se llogaritet pjesë e Jugosllavisë, apo një shtetit që tashmë nuk ekziston. Shtet special brenda një shtetit të shuar.

Por, pavarësisht fusnotës, pjesa më speciale, më “sui generis” e Kosovës është vetë Qeveria e saj e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës. Kjo Qeveri është speciale për shumë arsye, duke u nisur që nga paaftësia e mungesa e vullnetit për ta menaxhuar mirë vendin, e deri tek lidhja e ngushtë me struktura “speciale” të nëntokës si ShIK-u e zyrtarët mafiozë në pushtet. Si Qeveri speciale e me nevoja të veçanta, kjo Qeveri nuk e njeh fjalën “përgjegjësi” dhe nuk i jep llogari askujt.

Kjo Qeveri speciale, duke qenë poashtu edhe e shantazhuar, është e gatshme të pranojë çdo formulë speciale për ta mbajtur veten në pushtet, e nuk trembet as nga specializimi në vjedhje votash, as nga negociatat speciale me Serbinë që në të drejtën ndërkombëtare paraqesin rast “sui generis” kur marrëveshja ndërkombëtare hyn në fuqi pa u ratifikuar në Kuvend.

Tash po flitet edhe për status special. Qeveritë e pasluftës duke qenë tejet të angazhuara me luftën për pasurim të jashtëligjshëm, nuk kishin kurrfarë shtytjeje që të shtrijnë sovranitetin në veri të vendit e të shuajnë oazën e krimit që lulëzon në atë pjesë. Kështu u la veriu në një gjendje speciale, e tash me anë të negociatave politike po pritet se do i jepet veriut të Kosovës “status special”. Status special, sepse Thaçit siduket i pëlqen kjo fjalë. Është edhe vetë një Kryeministër special, apo jo?

Si përmbledhje: Kosova speciale, me fusnotë speciale, me Qeveri speciale, e struktura speciale të krimit, futet në negociata speciale, për status special për veriun. Çfarë po mungon këtu? Mungon çelësi i gjithçkaje, populli special!

Për të realizuar retardimin e plotë të Republikës së Kosovës, duhet që edhe populli i saj të qëndrojë në një nivel special dhe të tregojë qetësi e nënshtrim sui generis. Kudo në botë kjo do të ishte e pamundur, meqenëse çdo popull proteston në çdo formë dhe lufton me çdo mjet kundër padrejtësive që i bëhen si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm. Kudo në botë… por jo në Kosovë!

Këtu populli qëndron special, falë durimit, shpresës dhe besimit të madh që ka. Ky popull përgjatë viteve të 90-ta u bombardua me thirrje për “durim”, nën arsyetimin se “kështu do bota” e kështu “do të bëhet më mirë”. Rrjedhimisht u deshën 10 vjet për ta tejkaluar durimin e tepruar dhe për t’ju bashkuar kushtrimit të UÇK-së.

Ky popull ka shpresë të madhe se gjërat do të përmirësohen, meqenëse logjikisht shihet se s’ka ku shkon më keq, e kur s’ka ku shkon më keq, atëherë normalisht se veç më mirë duhet të bëhet. Por jo, paska edhe më keq! Çdo ditë e më tepër, Qeveria Thaçi po na e dëshmon që mund të bëhet edhe më keq e se atë të keqen më të madhe akoma nuk e kemi arritur.

Ky popull ka besim të madh në gjëra të bukura. Gënjeshtrat, duke qenë përherë më të bukura sesa e vërteta e hidhur, janë shumë më të besueshme e më atraktive për popullin tonë. Posaçërisht besimi tek “miqtë” e huaj të Kosovës është i palëkundur e i ndërlidhur fort me bindjen e popullit tonë se lirinë ia paskemi borxh aleatëve të huaj. Rrjedhimisht, mjafton që cilido zyrtar i parëndësishëm perëndimor të flasë, në mënyrë që ky popull t’i besojë e të qetësohet.

Kosova nuk duhet të jetë “sui generis”, speciale, e veçantë! Kosova duhet të jetë normale, të jetë si çdo shtet normal, e të hecë përpara me hapa të shpejtë në mënyrë që të kompensojë ngecjen qe një shekull. Megjithate për t’u bërë vend normal, Kosovës i duhet emër normal pa fusnotë, Qeveri normale dhe e përgjegjshme, sundim normal të ligjit e zhdukje të strukturave ilegale, referendum normal për ta artikuluar vullnetin e popullit, dhe mbi të gjitha një popull normal që me aktivitetin e tij i arrin të gjitha këto.

Për dallim nga të gjitha anët jo-normale të Kosovës, të paktën populli është në rregull dhe normal, mirëpo është i përgjumur dhe kjo duhet të ndryshojë. Zgjidhja ndoshta mund të duket e çuditshme, por duhet të zëvendësojmë durimin me rezistencë, shpresën me punë, e besimin me studim. Vetëm kështu mund të shndërrojmë vendin nga special në normal, e t’i dëshmojmë edhe botës se jemi të barabartë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button