Kërko falje për lapsin, do të blej fletore!

Prapëseprapë ka diçka të mirë edhe në të qenit e Qeverisë dykrenore dhe ndasinë e pushtetit ekzekutiv, që shpeshherë vjen në shprehje. Ajo e mirë e vogël është mundësia që, në ndasinë e funksionalitetit të Qeverisë, për shkak të mos koordinimit të krerëve, vullneteve ose qëllimeve, populli të mund të përjetojë t’i ndodh diçka e mirë edhe atij. Këtë e dimë dhe mund ta argumentojmë me shumë shembuj nga historia jonë e shkurtër e pavarësisë, por më së shumti në këto vite kur, ja, kemi një qeveri, ashtu-kështu, të shtrënguar. Qeveri e shtrënguar, e cila për qytetarët, shohim se do të thotë rrip i shtrënguar madje edhe fyt. Kështu që, mendoj se, po të mos ishin rastet e tilla të mos koordinimit të qeverisë dhe regjimit, ne qytetarët do të mund të përfundonim si njerëz të cilët duhet të fillojnë të paguajnë shkallë të fuqisë së angazhuar në secilën faturë, dhe jo vetëm në atë të rrymës, siç është tani. Tatimin ta paguajmë të llogaritur në shumën më të lartë të mundshme, ja të themi, në fund të vitit! Ose, të hyjmë në historinë e njerëzimit si njerëzit e vetëm, të cilët  do të kërkojmë që e drejta e hapësirës së lirë, të futet në të drejtat e njeriut!

Kjo pasi që çdo ditë shohim shembuj se si disa njerëzve, me para të popullit, ju kujtohet të ngritin përmendore të gjyshërve të tyre dhe të tjerët, të cilët, në vend se të merren me atë për të cilën janë zgjedhur, të rregullojnë shërbimet komunale, udhëheqin politika madhore, me përmendore dhe histori. Kurse e gjithë kjo tingëllon shëmtuar, sikurse Sinan Sakiçit t’i kujtohej të këndonte këngën “Imagine” të John Lennon-it. 

Me të vërtetë, a kemi të drejtë për hapësirë të lirë? Ta regjistrojmë si përmendore një vend të cilën gjithmonë e dimë si vend të zbrazët. Qoftë ai vend shesh, park gjelbërimi apo ndonjë kënd në mëhallën tonë. Këtë vend, për shembull, ta regjistrojmë si hapësirë e zbrazët me rëndësi të madhe kulturoro- historike apo ekologjike. Pasi andej shkojmë. Pra o do rezistojmë dhe do të themi aman më, ose do duhet të paguajmë edhe shumë fuqi të angazhuar, madje edhe ate të ministrave të paangazhuar të Qeverisë, të cilëve, ja, assesi nuk ju kujtohet që së pari vetë vetes t’i caktojnë rrogë sipas normës së punës, e tek më pas ta bëjnë këtë për mjekët. Ndoshta ashtu, shumë më shumë, do kërcenin mbi dyshekë?!  

Edhe pse duket e paqartë, prapëseprapë ekziston një lidhje e fshehtë mes qeverisë dykrenore, përmendoreve, punës së ministrave dhe këngëve e këngëtarëve të ndryshëm. Ajo lidhje është fshati i mrekullueshëm kumanovar, Sllupçani. Atje edhe këtë vit bënte vapë, njëlloj sikur në vitin 2001. Atje ishte, trimi kryesor i filmit të pavetëdijshëm në të cilin ka hyrë BDI-ja, Fatmir Besimi. Në mes të ditës së bardhë me diell dhe në mes të orarit të punës. Filmi u është i pavetëdijshëm, pasi që nuk e dinin se sa ajo duket “ thellë “ në maqedonisht dhe se si mundet që aq shpejtë, për vetëm disa ditë, toka ta gëlltisë atë shoqatë e cila më herët përshëndeti homazhet e bëra nga ai, në Karpallak.  Ose, si mundet t’i hidhërohet shefi, mu sikur një fatos që hidhërohet për lapsin e thyer, të cilin ta ka huazuar për shkurtë, vetëm sa për ta shkruar emrin në fletore. Ndërsa më parë, ti atij, edhe pse shqiptar, ia ke mbaruar një nga punët më “serbe” në historinë e Maqedonisë, duke u takuar edhe me kryeshefin e Shtatmadhorisë të Armatës së Serbisë.

Por ja, kaq kemi: ministrat shqiptarë të  cilët nuk lexojnë në gjuhën maqedonase turpërohen aq sa edhe intelektualët maqedonas të cilët nuk kanë qasje në pjesën shqiptare të opinionit. Njëlloj si profesori i fakultetit Juridik i cili, ja, nuk ka ditur për autenticitetin, se një nga të rënët e UÇK-së, pikërisht në Sllupçan, është një student i tij: Imri Elezi. Ai student i vyeshëm ishte edhe politikisht i angazhuar (kryetar i degës të së rinjve të PDSH-së së atëhershme) dhe me siguri që, në qoftë se nuk kishte ndodhur konflikti atë vit, ai sot, nëse jo kolegë si profesor, do të ishte ministër. Duke e njohur edhe personalisht të ndjerin Imri si një njeri i ndershëm, e di që me siguri do të pajtohej vetëm të bëhet anëtar i Komisionit rregullator për energjetikë, ku nuk do lejonte që të na vjedhin kaq lehtë dhe në mënyrë kaq tinzare!

Se BDI-ja kanë hyrë pa vetëdije në këtë film shihet edhe nga kënga të cilën duan ta këndojnë në brifingjet anonime: Should I stay or should I go, por janë të tradhtuar nga melodia e këngës shqipe: More Musa, Musa i vogël, e zezë dita të pru në Shkodër…”. Por, më shumë nga zgjidhja të cilin e ofrojnë dy krenat: më kërko falje për lapsin, do të blej edhe ty fletore! Tamam si fatosa në shkollë fillore! Ndërsa këta të VMRO-së, të cilët kanë sulm të historisë rishtazi, pas një angazhimi aq të madh me antikën, janë në një film tjetër, por këtë me siguri që do t’ua thuan të tjerë prej meje, në maqedonisht, ende më origjinal. 

Dhe në fund, për të mos qenë se nuk jemi konstruktivë, ja të propozojmë diçka që do t’ju shërbente si një zgjidhje më elegante dhe më afatgjate, nga kjo që ditëve të fundit po e shohim. Bëhet fjalë për një propozim rezolutë në Kuvend që do ta legalizonte faktin se Jugosllavia, për ne dhe tek ne, ka zgjatur edhe pas vitit 1991, diku deri në 2006-ën, ose se ende po zgjat. Kështu ne me krenari mbajmë këtë emërtim në emrin punues të shtetit, kemi ende ligje të asaj kohe të cilat ende na vlejnë dhe ja, shumë këngë dhe këngëtarë mbajmë mend nga ajo periudhë. Dhe, kur mundet që lustrimi të vlejë edhe pas vitit 1991, pse të mos mund të praktikohet kjo edhe për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe ata të UÇK-së. Me këtë rezolutë të gjithë ata do të konsideroheshin si pjesëtarë të APJ-së, të cilët përmenden në propozim ligjin për branitellat. Edhe ujku i ngopur edhe delet në numër. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button