Nga nesër ndalesë pune në vende të hapura nga 11-17

Ministria e punës dhe politikës sociale njofton se nga nesër ndalohet puna në hapësira të hapura prej orës 11 deri në orën 17.

Maqedonia është nën ndikimin e temperaturave tropikale dhe si pasojë ministria ka shpallur fazë të portokalltë të rrezikut. Për ditën e nesërme pritet të ketë përsëri rritje të temperaturave dhe të rrezatimit UV në të gjithë Maqedoninë. 

“Kisha dashur t’i informoj gjithë punëdhënësit se gjatë ditës së nesërme do të ndalohet puna në ambiente të hapura prej orës 11 deri në orën 17 dhe njëkohësisht apeloj që të respektohen këto rekomandime pasi që inspektorat e punës do të jenë në terren dhe sikurse edhe tani, do të bëjnë kontrolle serioze. Çdo subjekt punëtorët e të cilit do të kapen duke punuar në ambiente të hapura, do të mbajë përgjegjësi në përputhshmëri me Ligjin për siguri dhe mbrojtje gjatë punës”, shtoi ministri.

Vazhdojnë të vlejnë edhe rekomandimet për masat preventive për parandalimin e efekteve të dëmshme për shëndetin nga temperaturat e larta. 

Sipas institutit të hidrometeorologjisë, deri në fund të javës do të ketë mot shumë të nxehtë me diell me temperatura deri në 40 gradë C./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button