Disa pyetje logjike

Po që se dëshironi paqe me armikun tuaj, duhet të punoni së bashku. Kështu, ai bëhet partner i juaj.
Nelson Mandela

Njëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është tejet e qartë që Maqedonia e ka humbur kohën dhe mundësitë e panumërta për krijimin e një shoqërie të mirëfilltë, të bazuar në pajtim, pranim të gabimeve dhe falje të sinqertë. Në qoftë se progresi matet sipas Marrëveshjes, që tek shqiptarët trajtohet si një dokument paqësor kurse masa e konsiderueshme e maqedonasve e trajton atë si një e keqe e domosdoshme, vlerësimet ekzistuese janë dëshmia më e mirë për dështimin e përbashkët. E monopolizuar dhe manipuluar nga të gjitha partitë shqiptare në pushtet, përherë e minimizuar dhe urrejtur nga shumica aktuale parlamentare, një goditje e pakompensueshme për opozitën që nuk e merr dot veten edhe sot. Kjo është pasqyra e shkurtër e Marrëveshjes, që gjeti thyerjen me ose pa plan gjatë javës së kaluar.

Ministri i mbrojtjes, pas hapit guximtar të ndëmarrë vitin e kaluar me përuljen para ushtarëve të ARM-së të vrarë në Karpallak, ka menduar me të drejtë që nevojitet respektimi edhe për ata që humbën jetën si pjesë e Ushtrisë që konsiderohet paraardhëse e partisë së tij. Kështu, erdhi koha për hapin vizionar, ku sipas lajmërimeve zyrtare, “Delegacioni qeveritar nderoi ushtarët e UÇK-së” së bashku me disa ushtarë në uniforma të ARM-së. Tejet e mirë për tu besuar si reale, komunikata e rrufeshme qeveritare e zhveshi iluzionin sa ora. Ditën tjetër, Qeveria – aty ku BDI ka shtatë ministra – demantoi lajmin e delegacionit zyrtar. Vizita tashmë konsiderohej si private, ndonëse ajo ishte realizuar të hënën gjatë orarit të punës, që e sfidon logjikën optimale, si edhe shumë deklarata dhe veprime tjera të ditëve të fundit. Reagimet vijuese gjetën arsyetim në linjën se përulja ka synuar pajtimin mes bashkësive, duke harruar që mes atyre në Sllupçan nuk kishte joshqiptarë, andaj kjo nuk mund të trajtohet si hap pajtimi. 

Të zënë me festim virtual se “Ne jemi shtet – krenohu me BDI”, për një moment mund të jetë harruar pyetja kyçe se cili është qëllimi i kësaj loje?  Kush me kë ka arritur pajtim nëse Qeveria me dy zëvendës-kryeministra shqiptarë distancohet nga ministrat e saj?  Kuptohet, një mundësi e këtillë nuk u lëshua nga Kryeministri i porsakthyer nga pushimet verore. Konsistent ndaj qëndrimit se e respekton Marrëveshjen e Ohrit por nuk e feston atë¸ mbase i ka zgjatur shkurt gëzimi nga mbrojtja besnike e atyrë që e presin vite me radhë në festimet partiako-qeveritare të Marrëveshjes. Duke mos dalluar qytetarët etnikë maqedonas nga shtetasit e Maqedonisë, deklaratat e tij ku partnerin e koalicionit e tipizon sipas ‘veprave terroriste’ e treguan edhe një herë arrogancën e tij të pandryshuar, një skemë mendore ku krenaria kategorizohet si pronë e një grupi etnik. 

Po aq sa kjo pjesë e parë e dramës ngriti pyetjet mbi dinjitetin e vizitës në Sllupçan dhe manipulimit me përuljen para dëshmorëve të rënë, ajo i vrau edhe ato pak gjasa për një falje mes bashkësive, përfaqësuesit e të cilave me lehtësi i tejkaluan sfidat e të kaluarës, si për shembull incidentin e Kalasë, rrahjet në autobusë dhe vrasjen e pandricuar në Smillkovcë. Incidentet evidente maskoheshin me deklarata fjalë-ëmbla për koordinim qeveritar dhe kapacitet institucional, deri në momentin kur VMRO-DPMNE nuk vendosi të hakmerret. Duke treguar superioritetin e etabluar me vite, Ligji për ‘branitellat’ në procedurë parlamentare tash u bë pjesë e lojës që nuk mund të shihet ndaras nga zgjedhjet lokale, që duket se do të kalojnë në parlamentare. Pikerisht kjo e pasqyron gjendjen e dhjetëvjeçarit të kaluar: çeshtjet emocionale shfrytëzohen për qëllime politike, zgjedhjet sjellin premtime për grupe pune dhe statuse sociale, ushtarët mbesin aty ku kanë qenë, ndërkohë që tani deklarohet publikisht se çeshtja e 2001 është dakorduar të mos hapet. Atëherë, çka punuan grupet e punës deri sot dhe ku janë rezultatet e punës së tyre madhore?

Distancimet vicioze në relacion mes Kryetarit, ARM-së,  Shtatmadhorisë dhe partive qeverisëse janë hutuese, po aq sa edhe zhvillimet e fundit. Deklaratat e post-Bajramit u pasuan me demante, ku spinerat me përvojë tashmë e aplikojnë diturinë e tyre brenda kampit qeveritar. Gjysëm-loja e dytë filloi me kërcënime për krizë qeveritare, duke harruar rregullin bazë që kërcënimi i eksploatuar më shumë se dy herë shndërrohet në blof qesharak. Si edhe në të kaluarën, një javë pas zanafillës së sfidës së fundit, askush nuk pyet se si jetojnë ushtarët, të lënduarit dhe të dëmtuarit e vitit 2001. Vërtetë, pse në detin e monumenteve dhe kuajve milionerikë, nuk ekziston asnjë përkujtim i një ushtari të thjeshtë ose viktimës së pafajshme, që me siguri se ekzistojnë në të gjitha palët?

Mbi të gjitha, ngritet pyetja se kush udhëheqë me këtë shtet dhe me të gjithë ne, ku  partneriteti i dëshiruar mbi baza të barabarta është shndërruar në manipulim të përbashkët si strategji e qeverisjes? Kjo, si edhe të gjitha krizat tjera do të kalojnë në harresë, meqë askush nuk e beson sinqeritetin e deklaratave nga zyrtarët, edhe atëherë kur nuk nxjerren nga konteksti. Por, ajo që nuk do të kalojë – të paktën jo së shpejti – është mundësia e humbur për një pajtim të mirëfilltë. Kjo nuk arrihet me manipulimin e të vdekurve, arrogancën ndaj të gjallëve dhe truqe mediatike.

Me veprimet e fundit, bëhet e qartë se pajtimi nuk është në axhendë. Atëherë, cili është plani aq madhor që tashmë kushton kaq shumë?

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button