Thaçi: Krerët serbë, në takime të mbyllura, pranojnë se Kosova është shtet

Duke folur në New York në prag të shqyrtimit vjetor nga ana Këshillit të Sigurimit të OKB mbi progresin e Kosovës, Thaçi tha se udhëheqësit e Serbisë, ish sunduesi i vendit të tij, së shpejti do të duhej të braktisin retorikën e tyre nacionaliste dhe t’u tregojnë qytetarëve të tyre një lloj progresi ekonomik.

“Mesazhi im për ta është që të përqendrohen në vende të punës dhe ekonomi”, tha Thaçi.  “Ata fituan zgjedhjet mbi një platformë të nacionalizmit, por nuk mund të mbijetojnë mbi atë platformë. Qytetarët më shumë interesohen për vende e të punës sesa për nacionalizëm”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, është ish zëdhënës i Sllobodan Milloseviqit. 

Thaçi dhe shumë nga zyrtarët e tij të lartë kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi serbët në tokë ndërsa NATO bombardonte nga ajri. Kjo ka bërë të vështirë dialogun ndërmjet udhëheqësve, ndonëse Thaçi është shprehur se është i gatshëm të takohet me Daçiqin dhe të zgjidhë çështjet politike përfshirë kontrollin e kufirit dhe njohjen reciproke.

“Ata e kanë humbur betejën në vitin 1999”, u shpreh Thaçi.

Kosova ka arritur progres në ndërtimin e një shteti demokratik e funksional, tha ai, megjithëse një organ i drejtuar nga BE-ja akoma mbikëqyr policinë dhe sistemin e drejtësisë së këtij vendi dhe SHBA dhe donatorët e tjerë akoma financojnë shumë nga zyrat e qeverisë së vendit.  

Ndërkohë që Serbët e Kosovës kanë të njëjtat të drejta sikurse edhe shumica Shqiptare si dhe kanë ulëse të rezervuara në Kuvend dhe në qeveri, rreth 5 600 trupa të drejtuara nga NATO akoma mbesin në vend, pjesërisht për të shmangur dhunën etnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe pjesërisht për të penguar kontrabandimin dhe trafikimin.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia do të jenë anëtare në BE dhe NATO”, u shpreh Thaçi. 

“S’mund ta shpreh në ditë, javë apo muaj, por do të ndodhë”.

Udhëheqësit Serbë e dinë këtë, tha ai.

“Unë e di se çfarë thonë ata në takime të mbyllura”, vijoi më tutje kryeministri aktual i Kosovës, duke iu referuar Nikoliqit dhe Daçiqit. “Ata thonë se Kosova është shtet i pavarur”.

Lajme të ngjashme

Back to top button